Nga viti i ardhshëm edukimi parafillor do të bëhet i obligueshëm

04 korrik 2022 | 16:10

Qeveria e Kosovës ka miratuar të hënën Projektligjin për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, i cili ka një qasje holistike që nxit, ushqen e promovon zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve, si dhe rregullon ofrimin e edukimit në të gjitha format e organizimit për më të vegjlit tanë, prej lindjes deri në moshën gjashtëvjeçare.

Me ligjin e ri, edukimi parafillor bëhet i obliguar nga viti shkollor 2023-2024 dhe, pos të tjerash, përfshin: koordinim ndërsektorial, edukimin në familje, ushqyeshmërinë, krijimin temenyve ushqimore, sigurimin dhe rregullimin e materialeve didaktike, monitorimin e punës edukative dhe aftësimin e dadove.

Projektligji për Fëmijërinë e Hershme ka kaluar të gjitha fazat e diskutimeve paraprake. Të gjithë aktorët relevantë kanë kontribuuar me komente e sugjerime rreth projektligjit, përfshirë edhe Komitetin Këshillues për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme që MAShTI e ka krijuar si trup këshillues me përbërje të gjerë për të ndihmuar në zhvillimin dhe implementimin e politikave të duhura për këtë fushë të rëndësishme.

Arbërie Nagavci, ministre e Arsimir, Shkencës dhe Teknologjisë, ka thënë se me miratimin e këtij projektligji shënohet edhe një hap drejt zhvillimit të përgjithshëm të sistemit edukativ dhe arsimor, social dhe ekonomik.

“Investimi në fëmijërinë e hershme garanton të nesërme më të sigurt për fëmijët, familjet dhe gjithë vendin”, ka thënë Nagavci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një delegacion i bizneseve i kryesuar nga Agim Shahini, kryetar…