Nga Washingtoni në Paris, Berlin, Bruksel, për ta përmbyllur marrëveshjen në Shtëpinë e Bardhë

21 qershor 2020 | 20:28

Zgjidhja e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përveçse është preokupim i brendshëm i të dyja vendeve, është preokupim madje me rëndësi të madhe edhe për komunitetin ndërkombëtar.

U desh të bien dy qeveri [Qeveria Haradinaj për shkak të vendosjes së tarifës 100 për-qind ndaj mallrave serbe dhe Qeveria Kurti për shkak të vendosjes së reciprocitetit] në mënyrë që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore të vazhdojë.

Tashmë pas heqjes së reciprocitetit nga Qeveria Hoti, e cila masë konsiderohej si pengesë për të rinisur dialogun që kishte stagnuar me vendosjen e tarifës 100 për-qind; duket se janë pjekur kushtet për bisedime drejt një marrëveshje përfundimtare.

Ishte i përzgjedhuri i Shtëpisë së Bardhë për ndërmjetësim në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ai i cili e quajti lajm të madh njoftimin se pala kosovare dhe ajo serbe me 27 qershor, 2020, do të takohen në Shtëpinë e Bardhë në Washington të SHBA-ve për të biseduar rreth dialogut.

“Lajm i madh. Kam marrë zotimin nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që përkohësisht ta pauzojnë fushatën e mosnjohjes dhe kërkesën për anëtarësim ndërkombëtar në mënyrë që të takohen në Washington, në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor për të biseduar rreth dialogut”.

Si fillim, në stacionin e parë mund të firmoset një marrëveshje që sjell benefite ekonomike për të dyja vendet ashtu siç ka paralajmëruar Grenell në njoftimin e tij: “kemi thënë në vazhdimësi, së pari duhet të bëjmë progres në rritjen ekonomike”.

Mirëpo deri tek arritja e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi, palët duhet të kalojnë edhe nëpër tre stacione tjera që njihen si qendra botërore të politik-bërjes ndërkombëtare. Në këto qendra pritet të diskutohet për problemet politike midis dy palëve, përfaqësimin ndërkombëtar, të drejtat e serbëve të Kosovës e deri tek njohja e ndërsjellë.

Më 24 mars të këtij viti, kryediplomati gjerman Heiko Maas dhe homologu i tij francez Jean-Yves Le Drian, përmes një deklarate të përbashkët kanë bërë të ditur se porsa të plotësohen kushtet për fillimin e dialogut dhe kriza me pandeminë Covid-19 të tejkalohet, Presidenti Emmanuel Macron dhe Kancerlarja  Angela Merkel, planifikojnë që ta organizojnë një Samit për pjesëmarrjen e liderëve të Kosovës dhe Serbisë i cili do të mbahet në Paris.

Klan Kosova përmes burimeve të sigurta mëson se ky Samit do të zhvillohet më 17 korrik të këtij viti.

Gjithnjë sipas këtij burimi, gjatë muajit gusht të këtij viti, pala kosovare dhe ajo serbe do të takohen në Berlin të Gjermanisë, pastaj në Bruksel të Belgjikës – për t’u takuar përfundimisht për marrëveshjen përfundimtare në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Nëse gjithçka shkon siç duhet, nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian arrijnë pajtim sa i përket substancës së marrëveshjes Kosovë-Serbi, Presidenti amerikan Donald Trump, Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel, pritet të jenë të pranishëm në ceremoninë e marrëveshjes përfundimtare”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dje në të gjitha mediat zvicerane është raportuar për vrasjen…