Prokuroria e Pejës ngre 20 aktakuza për statusin e dyshuar të veteranëve të UÇK-së

24 maj 2019 | 15:38

Prokuroria Themelore e Pejës ka bërë me dije se deri më tash janë ngritur 20 aktakuza kundër 21 personave për veteranët e UÇK-së, të cilët dyshohet se kanë mashtruar me dokumente të falsifikuara ashtu që të fitojnë statusin e veteranit.

Prokurorja Lumturije Vuçetaj, ka thënë në një konferencë për medie në Pejë, se deri tani kanë hetuar rreth 800 nga gjithsej 7 830 dosje, që ka pranuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Vuçetaj ka thënë se Prokuroria do të vazhdojë hetimin e secilit rast në mënyrë individuale.

“Hetimi jonë i deritanishëm, i cili do të rezultojë edhe me hetime të tjera, konsiston se do të ketë kallëzime penale shtesë dhe në këtë kontest përveç ngritjes së 20 aktakuzave, jemi duke hetuar edhe rastet të tjera, por që marrin kohë”, është shprehur Vuqetaj.

Sipas saj, nga hetimet e bëra, certifikatat mbi statusin e veteranit të luftës dhe dokumentet për vërtetimin e statusit të veteranit, janë rastet më të shpeshta të falsifikimit.

“Sipas hetimeve këto certifikata janë siguruar nga persona të ndryshëm dha kanë kaluar në disa procese dhe midis disa ndërmjetësuesve. Gjatë hetimeve kemi vërejtur në të shumtën e rasteve një person që ka bërë këto veprime. Ai person është në arrati”, ka thënë prokurorja Vuçetaj.

Prokuroria Speciale e Kosovës, nga provat e siguruara deri më tani ka vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej mbi 68 milionë eurosh.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka hapur rastin e njohur në opinion si “veteranët”.

Pjesë e këtij rasti janë 12 persona, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Lidhur me këto raste, në vitin 2018, prokurori, Elez Blakaj pati dhënë dorëheqje. Ai është thënë se ka pranuar kërcënime sa ka qenë duke hetuar disa raste të dyshuara për manipulime me listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kylie Jenner ka thyer heshtjen në lidhje me skandalin e…