Nikollë Leonik Tomeu, rilindësi shqiptar që frymëzoi Kopernikun, Erazmin dhe Galileon

02 nëntor 08:16

Nga: Ndriçim Kulla

Rol të rëndësishëm në krijimin e një lëvizjeje mendore e krijojnë vatrat përreth të cilave formësohen qerthujt e ideve dhe mendimeve. Janë ato katalizatorët dhe kondensuesit e frymës dhe atmosferës kulturore në një shtresë të qëndrueshme veprash dhe në një ndikim të fortë idesh. Përmes këtyre qendrave arriti të kryhet kalimi nga një “histori personalitetesh kulture” në një lëvizje mendimi. Dhe humanizmi latino-arbëror i pati dy të tilla.

Ndër më të parat mund të përmendnim Universitetin Al’Bo’ të Padovës, ku studioi dhe mbrojti doktoratën për “shkencat e lira” Gjon Gazulli (1400-1465), që në moshën tridhjetë vjeçare. Më vonë ai do të merrte edhe drejtimin e Katedrës së Astronomisë së këtij universiteti. Një gjeni i një kohe diçka më të vonë se Gazulli, ishte edhe shkencëtari tjetër shqiptar Nikollë Leonik Tomeu (1456-1531). Tomeu i nisi studimet në Venedik, për t’i vazhduar në Firence ku dhe do të laurohet për artet e bukura. Gjithsesi, më 7 maj të vitit 1484, Leonik Tomeu do të fitojë titullin doktor i filozofisë në universitetin e Padovës, duke u zgjedhur madje edhe rektor i kësaj katedre më 1497.

Leksionet e Tomeut dalloheshin qartësisht për nivelin e tyre shkencor, për mënyrën e interpretimit dhe metodën didaktike shumë të gjallë që ai përdorte nëpër debate. Për këtë arsye, ai fitoi menjëherë shumë famë si filozof, astronom, fizikan, mjek e letrar, aq sa drejt katedrës së tij do të vërshonin mjaft studentë që më pas do të bëheshin shkencëtarë të shquar. Midis humanistëve më të shquar shqiptarë të formuar kulturalisht prej tij në Universitetin e Padovës spikat Mihal Artioti (1475-1576), i lindur në Artë, një qytet i Epirit i populluar asokohe me mjaftë shqiptarë. Që në moshë shumë të re udhëtoi nëpër Itali për plot 15 vjet, duke studiuar në Ferrara dhe Firence e duke i përfunduar studimet në Padovë, pikërisht kur në krye të Katedrës së Filozofisë ishte bashkëpatrioti i tij epirot Leonik Tomeu. Një tjetër humanist i shquar arbëror, që pat arritur të bëhej edhe profesor i këtij universiteti, ishte Marin Beçikemi (1468-1526). “Lindi në Shkodër nga dera bujare e Beçikemëve e cila i kishte vlejtë atdheut dhe Republikës së Venedikut në ushtri dhe në zyra të larta diplomatike”, shkruan Zef Valentini për të. Studioi letërsi me mësues humanist nga më të çmuarit, dhe bëri përparim aq të madh në këtë fushë sa arriti të marrë në dorë drejtimin e “Shkollës letrare” të Raguzës, duke e mbajtur këtë drejtim për plot dhjetë vjet. “Ka qenë humanist dhe gojëtar aq i ëmbël dhe i fuqishëm sa me mujt me u nxjerrë lot digjuesve apo duke i lënë pa gojë edhe kundërshtarët e tij më të rreptë”.

Por, më i larti dhe i karakterizuari shpesh si një prej njerëzve më të ditur e më të kulturuar të kohës së vet, ishte Nikoll Leonik Tomeu. Veprimtaria e mirëfilltë krijuese dhe përkthyese e tij ka rrezatuar qartë erudicionin e madh dhe interesat shumëplanëshe kulturore, që nga filozofia, historia, shkencat natyrore e mjekësore e deri tek letërsia, pedagogjia, piktura, skulptura dhe numizmatika. Këto dhunti, virtyte dhe arritje i kanë pohuar e vlerësuar në thëniet shkrimet epistolarë, si dhe në përkushtimet që kanë bërë në adresë të tij shumë prej personaliteteve e bashkëkohësve të mëdhenj të epokës. Botës së pasur shpirtërore dhe universit të gjerë kulturor të tij i janë referuar qarqe të shumta mbretërore e princërore, kishtare e shkencore, letrare e artistike. Emrave të tillë si ato të Pietro Bembos nga Italia të Reginald Pole nga Anglia, te Nikolla Kopernikut nga Polonia apo te Erazmit të Roterdamit nga Holanda, mund t’u bashkoheshin pa më të voglën mëdyshje dhe ato të dhjetëra të tjerëve që ia kishin njohur çmuar e vlerësuar arritjet dhe meritat e tij të mëdha.

“Tomeu kishte arritur të siguronte një përvetësim të përkryer të greqishtes së vjetër në shkollën e profesorit të njohur grek, Dhimitër Kalkondila. Ky i fundit, një athinas me kulturë të gjerë dhe të admirueshme, kishte dhënë një ndihmesë të veçantë për rizgjimin dhe interpretimin sa më korrekt, drejtpërsëdrejti nga origjinali, të trashëgimisë kulturore e sidomos asaj filozofike të autorëve të Greqisë së Vjetër. Midis nxënësve që e kishin ndjekur hap pas hapi mësuesin e tyre të respektuar në Padovë e më pas në Firence, Milano e gjetkë siç ishte zakoni i asaj kohe, bënte pjesë edhe Leonik Tomeu”. Ai kishte dalë nga gjiri i asaj diaspore të rëndësishme arbërore që ishte shpërngulur në Itali si rrjedhojë e pushtimit osman në gjysmën e dytë të shekullit XV. Në mesjetë Durrësi do të përftonte statusin e Dukatës së krijuar nga Venediku, si dhe të kryeqendrës së Mbretërisë së Arbërisë të krijuar prej Karlit të Anzhuinëve. Shekulli XIV e gjen Durrësin si qytetin më të madh të Arbërisë me afro 25 mijë banorë si dhe me një zejtari të zhvilluar dhe tregti të lulëzuar. Duke qenë nën kërcënimin e pushtimit osman, Gjergj Topia, një prej sundimtarëve të atëhershëm të principatës, do t’ia dorëzonte Durrësin Sinjorisë së Venedikut. Në qoftë se mbahet parasysh periudha afro 117 vjeçare e Durrësit nën sundimin e Venedikut (1392-1508), mund të jenë më të kuptueshme edhe mundësitë apo synimet e emigrimit të mjaftë shqiptarëve dhe të familjeve të tyre në drejtim të Venedikut.

“Ajo ç’ka e karakterizonte si profesor Tomeun në veprimtarinë shkencore dhe akademike, si pranë katedrës në Padovë ashtu dhe gjatë qëndrimit disa vjeçar në Venedik, ishte prirja për të afruar madje dhe pajtuar doktrinat e Platonit dhe të Aristotelit. Kjo bëhej pas një pranimi fillestar të ideve të këtyre dy kolosëve, ashtu siç parashtroheshin nga Averroesi dhe pasuesit e tij shpesh me shumë gabime e shtrembërime larg dritës dhe vlerave të vërteta autentike të këtyre doktrinave.”

Ndërkohë, Leonik Tomeu do ta përqendronte vëmendjen në përkthimin dhe komentimin e një numri veprash të Aristotelit që deri atëherë kishin qenë më pak të publikuara për rrjedhojë dhe më pak të njohura – si për qarqet studimore italiane ashtu dhe për ato mbarë evropiane. Në vitin 1523 botohet në Venedik Parva naturalia me përkthim dhe koment të Tomeut që ai ia kushtonte anglezit Richard Pace, në karrierën e të cilit spikaste dhe qenia e tij si sekretar i Henrikut VIII dhe si diplomat në Venedik. Në vitin 1524 dalin Dialogjet që ia kushton studiuesve P. Bembos, R. Poles e mjaft të tjerëve. Në to vërehen orvatjet e Leonikut për të afruar e pajtuar pozicionet filozofike të platonianeve dhe aristotelianëve.

Po në këtë periudhë, botohet në Venedik vepra e titulluar Opuscula, një përmbledhje punimesh të Aristotelit që kishin të bënin me studimin e dukurive të ndryshme natyrore. Kjo përmbledhje i kishte kërkuar Leonikut një qëmtim të kujdesshëm, që do zgjaste për një periudhë afro 25 vjeçare. Ai gjithnjë ka ngulmuar që “filozofia duhet të përthithet nga burimet më të kulluara, jo nga rrëke të përbaltura; nuk donte të dëgjonte të mësuarit e sofistëve, që mbretëronte atëherë nëpër shkolla; sepse mësuesit, pasi kishin sajuar e përdorur, me një mprehtësi barbare, stërhollime boshe të dialektikës, i ringrinin dhe i shqyrtonin problemet fizike, jo me synimin për të hedhur në to dritën e së vërtetës, por thjesht për të dhënë shkas për diskutime të kota, dhe që të rinjtë në universitet të ndiqnin shpjegimet e arabëve e të barbarëve, dhe t’i orientonin ato jo drejt udhës së drejtë e të asfaltuar, por drejt humnerës së dhëmbëzuar të injorancës”.

Daniela De Bellis, në ditët tona vë në dukje se “ka qenë kjo merita themelore e Tomeut që i ka siguruar atij një vend mjaft të qartë në historinë e kulturës së Rilindjes”. Shkrimtari francez, Pierre Bayle (1647-1706), publicist, filozof skeptik, profesor i Akademisë së Sedanit dhe i Universitetit të Roterdamit, një prej përfaqësuesve të iluminizmit francez, në Fjalorin e tij historik dhe Kritik, duke u ndalur tek Leonik Tomeu, do të vlerësonte meritat e tij si humanist ku, midis të tjerash, do të nxirrte në pah edhe “… neverinë e tij për metodën e të filozofuarit, që ndiqej në kohën e tij, sikurse dhe guximin që ai pati për të shpjeguar tekstet në greqisht të Aristotelit”.

Leonik Tomeu mbahet si studiuesi i parë modern që leksionet e tij mbi Aristotelin i kishte bazuar në tekstin origjinal, në greqisht. I ndikuar nga Marsilio Ficino dhe Pico della Mirandola, Leoniku u përpoq që të afrojë apo të pajtojë doktrinën platoniane të ideve me psikologjinë e Aristotelit. Parva Naturalia është një prej sukseseve kryesore të tij dhe është botuar nga Vitale në 1523. Ndërsa, dishepulli dhe miku i tij anglez, Richard Pace, u kujdes që të kishte të drejtën e kësaj vepre për një periudhë dhjetëvjeçare. Në parathënie ai lavdëron metodën që ka ndjekur Leonik Tomeu për të komentuar këto vepra të Aristotelit, duke deklaruar haptazi se ai ka dashur që të imitojë më shumë përkthyesit dhe komentuesit antikë se sa ata modernë. Edhe pse Parva Naturalia ka qenë përkthyer dhe komentuar prej shumë personave; ai që kishte realizuar Tomeu rezultoi si më i sakti dhe më i preferuari, duke i rezistuar më gjatë kohës. Madje, edhe Galileo Galilei, që studionte mjekësi në Piza, i ka lexuar këto vepra të korpusit në fjalë sipas versionit dhe komenteve të bëra nga Leonik Tomeu. Në bibliotekën e tij, sipas pohimeve të studiuesve të ndryshëm, gjendeshin një varg prej këtyre veprave apo broshurave të botuara në vitin 1525.

Duke mbajtur parasysh numrin e madh të ribotimeve që ka pasur Parva Naturalia gjatë shekullit të XVI , ato, siç shkruan studiuesja De Bellis, “… dëshmojnë se përkthimi i Leoniko Tomeut është i përsosur për nga karakteri humanist dhe i përshtatshëm konceptualisht, shquhet menjëherë dhe ka mbetur klasik”. Në këtë parathënie, sa i takon vlefshmërisë së dijeve, vëmendja përqendrohet dhe tek filozofia që, nga ana e saj, ka të bëjë me dobishmërinë civile dhe kultivimin e zakoneve të mira, që e ndihmojnë për të rrënjosur dashurinë për rregull dhe maturi, për të gjetur rastet e favorshme dhe kohën e përshtatshme për të vepruar, për të njohur natyrën dhe zakonet e individëve, duke dalluar të ndershmit dhe të moderuarit, duke i sajdisur me çmime e lavdërime, si dhe për të përjashtuar të padrejtët dhe të pandershmit, duke i dënuar, në përputhje me ligjet dhe ndëshkimet përkatëse.

Në vitin 1525, në Venedik botohet një përkthim në latinisht prej Tomeut me titullin Conversio Mechanicorum Quaestionum Aristotelis [trad. latine et comm.]. Ky përkthim, i bazuar në krijimtarinë universale të Aristotelit, lidhur me problemet e mekanikës, si një prej shkencave apo arteve, që e bënte njeriun më të fortë në përballimin e ligjeve të natyrës, për të vepruar në dobi të interesave të tij, është i shoqëruar dhe me komentet e spikatura të Tomeut. Ky përkthim ka qenë më i përhapuri, sidomos në 30 vitet e parë të shekullit të XVI. Në të, bie në sy shprehja praeter naturam (larg ose përtej natyrës) dhe fjala është për gjërat që prodhohen nëpërmjet artit, meqenëse shumë shpesh, duke respektuar ligjet e natyrës, arti dukshëm përpiqet të realizojë në jetë atë që është në dobi dhe përfitim të njerëzve. Janë të shumtë studiuesit që e kanë vlerësuar Leonik Tomeun, si një prej përkthyesve më të zotë të autorëve të lashtë. Por s’kanë qenë të pakët dhe ata që e kanë parë atë me statusin e një filozofi të vërtetë. Dhe duke bërë sintezën e këtyre këndvështrimeve, me plotë të drejtë, Augusto Serena do të vinte në dukje se “… nuk do të ishte e mundur të zbulohej një përkthyes i tillë, nëse ai nuk do të ishte filozof”.

Leonik Tomeu, në komentet e tij rreth problemeve mekanike aristoteliane, i përmbahet pikëpamjes se janë të mrekullueshme gjërat, që përftohen nëpërmjet natyrës, shkaqet e të cilave nuk njihen; por janë të tilla edhe ato që përftohen përtej natyrës, kur ato realizohen nëpërmjet artit, në dobi të njerëzve. Nga ndalesa e posaçme, në komentet e bëra prej Tomeut, brenda kuadrit të trashëgimisë aristoteliane, lidhur me problemet e mekanikës, e merr shtysën e saj edhe krijimtaria e realizuar në këtë fushë nga Galileo Galilei. Kjo vepër e tij kishte mbetur e pabotuar sa ishte gjallë autori i saj. Siç ka dëshmuar një prej përkrahësve dhe pasuesve të tij, Vincenco Viviani (1621-1703), midis temave që kishte trajtuar Galilei, gjatë viteve që jepte mësim në Universitetin e Padovas, binin në sy dhe ato që kishin në epiqendër të tyre mekanikën. Traktati i Galileit konsiderohet prej shumë studiuesve të sotëm si një prej pikarritjeve më të mëdha të mekanikës deri në fund të shekullit XVI. Dijetari i madh i Rilindjes, përmes kësaj vepre, u kundërvihej mendimeve të pseudo-aristotelianëve të Mesjetës mbi problemet e mekanikës, që sundonin në të gjitha trajtesat dhe studimet e asaj periudhe. Nga ana tjetër, ai skiconte dhe hidhte premisat për një mekanikë krejtësisht të rinovuar, në shërbim të epokës së re dhe në interes e dobi të mbarë njerëzimit. Parashtresa e mësipërme na jep dorë të pohojmë se dijetari i shquar i Rilindjes dhe Tomeu, para tij (që të dy profesorë të Universitetit të Padovas), problemet e mekanikës i kishin afruar edhe nga këndvshtrimi humanitar.

Por, vepra më origjinale ku spikat më tepër talenti filozofik i Tomeut është Dialogjet. Ato janë shkruar, siç vinte në dukje dhe Erazmi i Roterdamit, nën shëmbëlltyrën e dialogjeve të Platonit dhe të Ciceronit. Dialogjet janë botuar në vitin 1524 në Venedik. Në ta, Leonik Tomeu përpiqet të provojë më shumë jo atë që e dallon, por atë që lidh midis tyre Platonin dhe Aristotelin. Kjo rezulton të shfaqet si veçoria themelore apo filli përshkrues i gjithë përkthimeve, krijimeve dhe komenteve që ai u ka bërë mjaft problemeve të rëndësishme filozofike. Prandaj, s’do të ngjallte ndonjë habi fakti që ndonëse Leonik Tomeu në epiqendër të ligjëratave të tij publike universitare kishte mendjen enciklopedike të lashtësisë, Aristotelin dhe doktrinën e tij, në të njëjtën kohë, ai do të komentonte, si protagonist kryesor të diskutimeve të tij të mençura edhe Platonin. “Në të vërtetë asgjë nuk më pengon sot që të bëj akademikun prej peripatetikut” (Nihilenim me prohibet hodie academicum ex peripatetico fieri).

Vlerësimin për këto orvatje interesante, për t’i afruar e pajtuar midis tyre këta dy kolosë të antikitetit, Pietro Bembo e ka fiksuar dhe në mbishkrimin e varrit të Leonikut në kishën e Shën Françeskut në Padovë, duke shkruar se ai ishte po aq i shkëlqyer si në doktrinën akademike, ashtu dhe në atë peripatetike. Dialogjet e tij trajtojnë probleme të ndryshme, midis të cilave spikasin ato që lidhen me teorinë e shpirtit. Argumentet kryesore, që ka sjellë Tomeu, janë në funksion të një tematike të tillë, që synon të trajtojë thelbin, fatin dhe pavdekësinë e shpirtit, origjinën e emrave, të hyjnizimit etj. Duke përdorur fakte dhe argumente të ndryshme, Leonik Tomeu përpiqet të parashtrojë dhe të analizojë çështje të tilla, si ato të lartpërmendurat, që ishin në optikën e shumë studiuesve e filozofëve të asaj periudhe. Kryesisht, trajtesa temash filozofike me karakter të mirëfilltë platonian, pitagorian dhe neoplatonian.

Dëshmitë e këtij universi kanë arritur deri në ditët tona, duke konfirmuar frytet e një mendjeje që s’mjaftohej vetëm me veprimtarinë pedagogjike, por dhe me atë qëmtuese e kërkuese. Ajo ç’ka bie në sy në këtë pjesë të krijimtarisë së Leonik Tomeut është parashtrimi i mendimeve dhe i ideve të tij nëpërmjet përdorimit të artit të dialogut. Rizgjohet dhe rifunksionon një ndër mënyrat më të përhapura e më interesante në paraqitjen, argumentimin dhe mbrojtjen e pikëpamjeve të filozofëve të shquar të lashtësisë greke. Studiuesja italiane e ditëve tona, Daniela De Bellis, do t’i përmbledhë si më poshtë vlerat dhe rëndësine e trashëgimisë së Nikollë Leonik Tomeut: “Kthimi tek Platoni, mënyra e re për ta lexuar e diskutuar Aristotelin dhe komentatorët e tij antikë, zbulimi ose rizbulimi i disa teksteve dhe karakteri i përpiktë i metodës së re për studimin e veprave, kanë ndihmuar thellësisht në zhvillimin e mendimit modern. Të zotëruarit e greqishtes ishte çelësi për kuptimin e një serie të tërë tekstesh dhe autorësh deri atëherë të panjohur ose pak të njohur dhe kjo nxjerrje, me zanafillën e një force novatore, pati një rëndësi historike, që i kapërceu kufijtë e Venetisë dhe të Italisë. Nga ato fermente dhe nga ato entuziazme lindën mendimi dhe shkenca moderne”.

Në vitin 1508, Tomeu do të njihet me Erazmin e Roterdamit në Venedik, me rastin e një udhëtimi të realizuar prej këtij të fundit në Itali. Përshtypja që la Tomeu tek humanisti i shquar holandez ishte e jashtëzakonshme. Në epistolarin e tij Erazmi s’ka munguar që të shprehë konsideratën e veçantë për Tomeun. Ia vlen të ndalesh në një nga letrat e këtij epistolari që daton korrikun e 1529 ku atë, së bashku me Bembon, i vlerësoi si “dy pishtarë specialë të kësaj bote” . Ndërsa, duke u ndalur tek Universitetit i Padovas, ai do të jepte këtë konsiderate: “Atje gjendet në të vërtetë jeta”.

Një kapitull më vete përbëjnë raportet e Tomeut me rrethin e humanistëve anglezë që erdhën të studionin në Itali e në mënyrë të veçantë në Padovë. Ishin të shumtë studentët me të cilët ai pati raporte të vërteta miqësore të një respekti reciprok, por mbi të gjitha të një mirëkuptimi ideologjik, të cilat nuk u ndërprenë as pas largimit të tyre në Angli. Një korrespondencë që hedh dritë mbi këto marrëdhënie në vitet 1521-1531, ruhet në Bibliotekën Vatikane (Ms. Ross. 997) e cila është publikuar vetëm pjesërisht nga Kardinali Francis Gasquet (1846-1929). Mbi argumentin në fjalë veç tij është marrë pjesërisht studiuesja Daniela De Bellis e më tej Jonathan Walson. Ky i fundit në lidhje me përkushtimin anglofil të Tomeut shkruan: “Për më shumë se tre dekada burim frymëzimi këtu ishte filozofi padovan Nikolla Leonik Tomeu. Ai inkurajoi studimin e teksteve antike greke e latine mes studentëve të tij të shumtë anglezë dhe i drejtoi ata tek vlerat të cilat theksojnë edukimin dhe rëndësinë shoqërore të studimeve humanistike”.

Mbas impenjimeve të drejtpërdrejta në Universitetin e Padovas (1497-1504) dhe më pas në Shkollën e Kancelarisë së Venedikut (1504-6), Tomeu u rikthye në Padovë e mbeti aty gjer në fund të jetës së tij. Në këtë periudhë ai iu dedikua studimeve mbi Platonin dhe Aristotelin e nuk duket që të jetë përfshirë më zyrtarisht në strukturat e universitetit. Ndaj, Tomeun duhet ta shikojmë më pas më shumë si një dijetar të pavarur e të mirënjohur, i cili vazhdonte të zhvillonte studimet e veta humanistike, por edhe veprimtarinë didaktike në një formë private. Kështu, një sërë studentësh anglezë që erdhën të studionin në Padova, patën rekomandime të veçanta nga Anglia, apo nga gjetkë, pikërisht në sajë të famës që gëzonte Tomeu në ambientin evropian. Erazmi i Roterdamit më 31 gusht 1524 nga Bazeli e këshillonte studentin Haio Herman, se: “Ka mjaft të devotshëm në Padova dhe ju do ta keni Venedikun fare afër, ju do të gjeni mjaft midis tyre që zotërojnë mësimdhënje të shquara pa shumë pretendime, në veçanti Leoniku-n”.

Sidoqoftë mbas vitit 1520 raportet e Tomeut me intelektualët anglezë janë meritë e kapaciteteve të tij e të respektit që vazhdonin të ruanin akoma për të ish-studentët e parë anglezë, pra humanistët e shquar si p.sh. Richard Pace, Cuthbert Tunstall, William Latimer, Thomas Linacre e të tjerë. Ishte pikërisht Richard Pace ai që në prill të vitit 1523 siguroi nga Këshilli i të Dhjetëve priviligjin për 10 vjet që Tomeu të publikonte veprën Parva naturalia (Aristotele Stagirate: Traktat i shkurtër mbi natyrën), të cilën Tomeu nga ana e vet ja dedikonte pikërisht Pace-it. Kjo frymë e re e trajtimit të aristotelizmit duhet të ketë reflektuar edhe në ambientet universitare të Oksfordit dhe Kembrixhit. Madje, aty nga fillimi i shekullit XVI, një grup humanistësh anglezë mes të cilëve edhe Latimeri e Linacre u angazhuan gjithashtu për botimin komplet të veprës të Aristotelit në latinisht. Pavarësisht se kjo nismë nuk dha frytet e pretenduara, influenca e Tomeut reflektohet në përmbledhjen e veprës së Aristotelit të bërë nga C. Tunstalli, Nichomachean Ethics, (vepra kryesore e Aristotelit Etika u përmblodh e u shpërnda nga i biri i tij, prandaj u quajtjti Etika e Nikomeut), por edhe në veprën e tij matematike të vitit 1522 De arte supputandi (Mbi artin e përllogaritjeve), i cili ishte i pari libër mbi aritmetikën i botuar në Angli (Londër). Me një letër drejtuar mikut të tij Thomas More, vepra u shndërrua menjëherë edhe si libër shkolle gjatë shekullit XVI. Si konkluzion mund të themi se ndikimi dhe përkushtimi anglofil i Tomeut mbetet si një rast i shquar, i veçantë dhe unik në ambientin akademik të Padovës për gjithë shek. XVI, kurse për humanizmin arbëror ai ishte një dimension i papërsëdytur.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Bertrand Russell Përktheu: Elona Caslli 1. Mos ji i…