Nis ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë

24 prill 2018 | 14:31

Të martën kanë nisur punimet për ndërtimin e rrugës Deçan-Plavë, e cila lidhë rajonin e Dukagjinit me atë të Plavës dhe Gucisë.

Me këtë rast, ministri i  Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka thënë se kjo rrugë do të ketë ndikim pozitiv shumëdimensional.

Sipas tij, nuk ka ndjenjë më të mirë sesa të jesh në shërbim të qytetarëve, të lëvizjes së lirë, të investimeve dhe zhvillimit të turizmit.

“Për mua është ditë e veçantë sepse na është dhënë rasti që të fillojmë një rrugë që lidhë Deçanin dhe Kosovën me Malin e Zi, sidomos me atë pjesë ku banojnë shqiptarët. Nuk ka ndjenjë më të mirë se kur jemi në shërbim të qytetarëve, të lëvizjes së lirë, të investimeve dhe zhvillimit të turizmit, sepse kjo rrugë ka ndikim pozitiv shumëdimensional”, ka thënë Lekaj.

Ai ka shtuar se këto bjeshkë janë atraktive për zhvillimin e turizmit, sidomos edhe për transport të mallrave si lidhje me Malin e Zi.

“Nuk ka më mirë se kur përgatisim infrastrukturën për të zhvilluar vendin dhe me këto ndjenja jemi sot këtu që t’ia nisim kësaj rruge duke mos e atakuar askënd por unë jam i vendosur që ky projekt të zhvillohet deri në fund, andaj faleminderit Deçan, e gëzofshi këtë rrugë dhe na priftë e mbara”, ka deklaruar Lekaj.

Ministri Lekaj ka bërë me dije se projekti i rrugës Deçan-Plavë do të përfundojë në vitin 2020 si dhe kostoja e tij do të jetë 12 milionë euro.

“Për këtë vit janë ndarë katër milionë euro, kurse për vitin 2019 do të ndahen edhe 8 milionë euro të tjera, kurse projekti në tërësi do të përfundojë në vitin 2020”, ka deklaruar Lekaj.

Përveç ministrit Lekaj, të pranishmëve me një fjalë rasti iu është adresuar edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili vuri në pah rëndësinë dhe simbolikën që ka kjo rrugë për banorët e Dukagjinit dhe ata të Plavës e Gucisë.

 /Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare Liri Belishova, pjesëmarrëse në…