Nis rehabilitimi i rrugës që lidh Fushë-Kosovën me Graçanicën, investim prej 1.32 milion eurosh

24 nëntor 2026 | 15:41

Ka nisur rehabilitimi i rrugës “Agron Rrahmani”, në segmentin e Uglarit, e cila lidh komunat e Fushë Kosovës dhe Graçanicës. Projekti, me gjatësi prej 2.8 kilometrash, ka një kosto prej 1 milion e 320 mijë eurosh, nga të cilat 1.1 milion euro financohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, ndërsa 220 mijë euro nga Komuna e Fushë-Kosovës.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve, kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo rrugë do të ndikojë edhe në lehtësimin e trafikut në kryeqytet, duke theksuar se projekti përfshin ndërtimin e trotuareve, kanalizimit atmosferik dhe infrastrukturës tjetër përcjellëse.

“Me rastin e fillimit të këtij projekti tejet të rëndësishëm, me gjatësi prej afër tre kilometra apo më saktësisht 2.8 kilometra, që lidh këto dy komuna, pra Fushë-Kosovën me Graçanicën, por që ndikon shumë edhe në shkarkimin e trafikut të dendur në fytat e ngushtë të kryeqytetit, pra të Prishtinës. Siç mësuam prej operatorit ekonomik, do të ketë trotuare, do të ketë gjithashtu edhe kanalizim atmosferik dhe infrastrukturë tjetër përcjellëse, ashtu që qytetarëve t’ju garantojmë jo vetëm lëvizje më të shpejtë, por njëkohësisht edhe trafik më të sigurt”, ka thënë ai.

Kurti ka theksuar se rruga mban emrin e dëshmorit të kombit, Agron Rrahmani, ndërsa ka thënë se realizimi i projektit do të ndikojë në rritjen e sigurisë dhe zvogëlimin e kohës së udhëtimit për qytetarët dhe bizneset.

“Nëpërmjet kësaj rruge, e cila mban emrin e dëshmorit të kombit, veprimtarit patriot e luftëtarit të paepur Agron Rrahmanit, ne i ndihmojmë qytetarët, pra njerëzit e familjet, por gjithashtu edhe bizneset, e rrisim sigurinë, e zvogëlojmë kohën, por gjithashtu edhe e zvogëlojmë stresin në trafik, i cili është një ndër problemet e mëdha që kanë njerëzit anë e mbanë Kosovës, e në veçanti në rajonin e Prishtinës, ku janë këto dy komuna, pra Fushë-Kosova edhe Graçanica. Kostoja e gjithëmbarshme është 1 milion e 320 mijë euro, prej të cilave 1.1 milion është nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, pra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ndërkaq 220 mijë euro janë nga Komuna e Fushë-Kosovës, për çfarë i falënderoj për këtë bashkëpunim”, ka thënë ai.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka thënë se ministria i ka mbështetur të dyja komunat edhe në hartimin e projektit, duke angazhuar ekspertë dhe duke mbuluar shpenzimet për këtë proces.

“Fillimisht ne si ministri kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyer me kryetarin dhe nënkryetarin dhe ministria, marrë parasysh nevojën e dy komunave, i kemi dalë në krah, ku kemi angazhuar ekspertë për hartimin e projektit. Pra, ministria është përkujdesur edhe për hartimin e projektit, marrë parasysh që komunat me të ardhur kryetari nuk ka gjetur asnjë kontratë për hartime të projekteve. Ne i kemi mbuluar pra shpenzimet e hartimit të projektit dhe, siç e tha edhe kryeministri, qeveria i ka dalë në mbështetje dy komunave me 1.1 milion euro, nga 1.3 milion euro sa është komplet projekti, po besoj që janë adresuar shumica e çështjeve”, ka thënë ai.

Kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Valon Prebreza, ka thënë se ky projekt do të lehtësojë qarkullimin e qytetarëve, ndërsa ka bërë të ditur se ka nisur edhe ridizajnimi i rrugës “Nënë Tereza”, që lidh Prishtinën me Fushë Kosovën.

“Kjo e lehtëson jetën e qytetarëve. Një lajm që na tha edhe ministri këtu, mbasi erdhi, që kemi filluar ridizajnimin e rrugës Nënë Tereza, do të thotë të rrugës kryesore Prishtinë-Fushë-Kosovë. Edhe ky është një lajm i gëzueshëm, do të thotë do të bëhet e mundshme qarkullimi edhe më i lehtë për të gjithë qytetarët e Fushë Kosovës dhe të gjithë qytetarët e Republikës që e frekuentojnë këtë rrugë kryesore, arterien kryesore të Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Graçanicës, Leutrim Ajeti, ka thënë se kjo komunë është e gatshme të kontribuojë edhe financiarisht në realizimin e projektit, nëse paraqitet nevoja.

“Kjo rrugë, e cila është shumë e frekuentuar, siç edhe po e shihni në këtë zonë, pra që i lidh dy komunat, Fushë-Kosovën dhe komunën e Graçanicës. Ne, si komunë e Graçanicës, nëse ka nevojë, do të kontribuojmë edhe në buxhet, pra ashtu siç është edhe marrëveshja e mirëkuptimit. Kjo rrugë është një lehtësim i madh edhe për banorët e kryeqytetit, edhe për këtë regjion”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka pritur në takim ambasadorin…