
Nis zbatimi i programit për rijetësimin e qytetit të vjetër të Janjevës
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka vizituar sot objektet e trashëgimisë kulturore në Janjevë.
Ai në llogarinë e tij në “Facebook” ka shkruar se ka nisur zbatimi i programit për rijetësimin e qytetit të vjetër të Janjevës.
“Investimet dhe punët e mira në trashëgimi kulturore vazhdojnë gjithandej Kosovës. Programi i Janjevës është bashkëfinancim i Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Europian, me vlerë totale 3.4 milionë euro”.
“Parashihen ndërhyrje restauruese dhe revitalizuese në 13 shtëpi të vjetra, hartimi i strategjisë së turizmit, fuqizimi ekonomik dhe ngritja e kapaciteteve lokale për zhvillim të qëndrueshëm lokal, si dhe mbështetja e komunitetit përmes granteve”, ka shkruar Çeku.
Pjesë e kësaj vizite ishte edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.