Nisin hetimet për shpërthimin e bombolës në Ferizaj

06 janar 2021 | 16:50

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar opinionin publik se ka filluar hetimet në lidhje me rastin e shpërthimit që ka ndodhur në restorantin “Steak House” në Ferizaj, ku si pasojë e tij mbetën të lënduar dyzet e katër (44) persona.

Dyshimet e para lidhur me këtë rast janë që ka shpërthyer një bombol gazi dhe ky rast është cilësuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Prokuroria, në bashkëpunim me policinë, janë duke mbledhur informatat e nevojshme me qëllim të zbardhjes së këtij rasti dhe rrethanave që kanë çuar deri në ngjarjen tragjike.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka bërë me dije se janë duke bërë përpjekje maksimale që të lënduarit me gjendje më të rëndë t’i dërgojnë për në Turqi. Ai ka thënë se Ferizaj do ta kapërcejë edhe këtë plagë.

“Të gjithë jemi me lutjet tona për shërimin e të lënduarve dhe pranë familjeve të tyre. I jashtëzakonshëm ishte edhe reagimi i mjekëve dhe infermierëve ferizajas dhe stafit teknik nga komunat fqinje, Policisë së Kosovës, zjarrfikësve, solidarizimi i bizneseve me këtë fatkeqësi të qytetarëve të rastit që me reagimin e shpejtë, parandaluan zgjerimin e tragjedisë”, ka thënë Aliu.

Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pasi ka vizituar të lënduarit, ka thënë se spitali i Ferizajt, emergjenca e qytetit, policia, zjarrfikësit dhe qytetarët, kanë dëshmuar nivel të lartë të përkujdesjes ndaj dhjetëra të plagosurve pas eksplodimit të gazit në Ferizaj.

“Ky trajtim në Spitalin e Ferizajt dhe në Qendrën Emergjente në QKUK ndaj qytetarëve të lënduar deri më tani është në nivelin maksimal. Së bashku me kryetarin Agim Aliu, zëvendësministrin Muharrem Sfarqa dhe deputeten Saranda Musliu kemi diskutuar për të gjitha mundësitë e përkujdesjes shëndetësore që gjendja e secilit qytetar të jetë në nivelin e duhur dhe të bëjmë çmos që të mos rrezikohet jeta e asnjë qytetari të lënduar. Do të jemi pranë të gjithë pacientëve të lënduar dhe ju urojmë shërim të shpejtë”, ka thënë Zemaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti në…