Nisja e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Gjilan, çështje javësh

27 shkurt 14:47

Ndërtimi i autostradës Prishtinës –Gjilan pritet të nisë brenda disa javësh. Kështu ka deklaruar ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj gjatë takimit që zhvilloi me kryetarin e Gjilanit, Lutfi Haziri.

Gjatë kësaj vizite janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh për ndërtimin e disa rrugëve urbane dhe rurale duke përfshirë edhe autostradën Prishtinë-Gjilan.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka deklaruar se edhe pse ka pasur kundërshtime për autostradën Prishtinë –Gjilan, punimet e ndërtimit pritet të fillojnë brenda disa javësh. Sipas tij kjo autorrugë ndikon pozitivisht në zhvillimi ekonomik, dhe e lehtëson lëvizjen e qytetarëve. “Ka pasur zhurmë po ne jemi kanë të vendosur bashkë me kryetarin, bashkë me kabinetin që ky projekt të zhvillohet dhe tani më merr fund që është nënshkruar kontrata dhe fillojnë punimet. Falënderoj kryetarin e komunës, por edhe gjithë qytetarët e kësaj ane që kanë qenë këmbëngulës që ky projekt të zhvillohet dhe të jetë realitet dhe ne brenda disa javësh do të fillojmë punimet dhe mendoj që kjo anë më nuk do të ketë probleme sa i përket lëvizjes së lirë, korridoreve, lidhjeve të korridoreve dhe sidomos këto rrugë të kenë impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik”, ka thënë Lekaj.

Lekaj po ashtu, ka prezantuar disa projekte infrastrukturore që do kenë impakt pozitiv në jetën e gjilanasve, që kapin shifrën e investimeve 1 milion e 280 mijë euro. Ai po ashtu ka deklaruar se do të investojnë edhe në projektet që kanë qenë në procedurë siç është ndërtimi i rrugës Verbicë e Zhgrovcit që kap shumën 1 milionë e 300 mijë euro.  “Perlepnica ka kosto 520 mijë euro, është Gërmicë 450 mijë euro, është rrugica në rrugën e Prishtinës 200 mijë euro, është rruga “Pajazit Ahmeti” 110 mijë euro që vlera totale në këto projekte lokale është 1 milion e 280 mijë euro. Po ashtu vazhdimi I projektit që kanë qenë në procedurë dhe janë duke u zhvilluar 1 milionë 300 mijë euro e ke Verbicë e Zhegovc. Është me rëndësi jetike për atë anë dhe që kushton 1 milion e 300 mijë euro, e keni zgjerimin e qytetit në hyrje që është 1 milionë e 600 mijë euro, dhe projekti i unazës së jashtme”, është shprehur ai.

Ministri Lekaj potencoi se shumë shpejt do të përfundojnë procedurat për të përfituar nga kontrata me BERZH-in, e cila kap shumën 8.5 milionë euro.

Ndërsa, kryetari i komunës së Gjilanit, Lufi Haziri, ka thënë se marrëveshjet e nënshkruara sot janë projekte infrastrukturore për ndërtimin e rrugëve në fshatrat dhe qytetin e Gjilanit. Ai si pjesë të këtyre planeve të përbashkëta veçoi ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, e cila lidh Gjilanin me korridorin e kombit. “Nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit kulmon me programin e investimeve publike në Gjilan. Nënvizuam projektin kryesor madhor që ministri ka nënshkruar kontratën para disa ditëve pritet këto javë kur ministri e cakton fillimi e punimeve autostrada e Gjilanit, e cila e lidh Anamoravën dhe Gjilanin me korridori e kombit dhe me korridorin e dheut, natyrisht. Investime të përbashkëta në qytet, programi i investimeve të rrugëve në qytet duke përfshirë edhe zgjerimin e rrugëve, programi i përbashkët i investimeve në fshatrat e Gjilanit që përfshinë edhe rrugën kryesore dhe madhore tashmë lidhjen e Gjilanit dhe Lipjanin përmes Verbicës së Zhegrovcit”, ka thënë Haziri.

Ndryshe, ditë më parë ministri Lekaj ka nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Gjilan, e cila do të kushtojë 88 milionë euro dhe do të jetë në gjatësi 22.3 kilometra.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania “Huawei”,  sot (e martë), në Mobile World Congress, prezantoi…