Nisma: Figurën e ndritshme të Jakup Krasniqit nuk mund ta njollosin shkarravinat e “Presidencës së Kosovës”!
Faqja zyrtare e Presidencës së Kosovës e ka një rubrikë ku janë të publikuar emrat e ish-presidentëve të Kosovës.
Në mesin e tyre është edhe emri i Jakup Krasniqit si ish-ushtrues i detyrës së presidentit.
Megjithatë, çudit fakti se në biografinë e Jakup Krasniqit, në faqen e Presidencës, theksohet qysh në fillim se ai ishte arrestuar nga Gjykata Speciale.
“Jakup Krasniqi (i lindur më 1 janar 1951) në fshatin Negrovc të Komunës së Drenasit, është politikan shqiptar dhe ish-President i përkohshëm i Kosovës. Ka qenë Kryetar i Kuvendit të Kosovës. Gjatë Luftës së Kosovës ai ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Në nëntor të vitit 2020 u arrestua për krime lufte kundër njerëzimit të paraqitura para Dhomave Speciale të Kosovës”, është thënë në faqen e Presidencës.
Nisma Socialdemokrate ka theksuar se askujt nuk ia ka marrë mendja se ndërrimet në institucionet qendrore të Kosovës mund të shkojnë deri në atë shkallë sa në faqet zyrtare të institucioneve shtetëror të paraqesin urrejtjen patologjike që kanë ndaj atyre që ua shkatërruan ëndrrën e jugosllavizmit.
“Por skandali që nuk mund të imagjinohej, doli në shesh nga mediat e vendit: ‘Presidenca e Kosovës’ prezanton Jakup Krasniqin si ‘të arrestuar për krime lufte kundër njerëzimit të paraqitura para Dhomave Speciale të Kosovës’!
Vetë struktura e fjalisë dëshmon se është gatesë e sajuar nga njerëzit e brumosur në frymën jugosllave!”, thuhet në reagimin e Nismës.
Sipas kësaj partie, qytetarët e Kosovës e dinë fare mirë se Jakup Krasniqi është emblemë e ndershmërisë, humanizmit, veprimtarit të kauzës kombëtare dhe historianit që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e vendit.
“NISMA SOCIALDEMOKRATE kërkon urgjentisht të fshihet nga biografia e Jakup Krasniqit prezantim skandaloz që i bën ‘Presidenca e Kosovës’ “, thuhet në reagimin e Nismës.



