Zelensky e viziton vijën e frontit, mes spekulimeve për fatin e gjeneralit të lartë

04 shkurt 2024 | 15:32

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka vizituar trupat ukrainase në vijën e frontit në juglindje të vendit, dhe ka shpërndarë medalje, ka njoftuar zyra e tij të dielën

Vizita e tij është bërë në një kohë spekulimesh se shefi i famshëm i ushtrisë ukrainase mund të shkarkohet.

“Kam nderin të jem këtu sot, për t’i mbështetur luftëtarët dhe për t’i shpërblyer ata. Ata përballen me mision të vështirë dhe kritik për ta zmbrapsur armikun dhe për ta mbrojtur Ukrainën”, ka thënë Zelensky në një komunikatë, pasi e vizitoi rajonin e Zaporizhjas.

Presidenca ukrainase, ka thënë se Zelensky i ka vizituar pozicionet ushtarake ukrainase në afërsi të fshatit Robotine, i cili ndodhet pothuajse në vijën e frontit.

Pjesa juglindore e Robotines është çliruar në fund të gushtit gjatë kundërofensivës ukrainase kundër forcave ruse.

Zelensky e ka vizituar frontin e betejës në një kohë pasigurish për fatin e shefit të ushtrisë ukrainase, Valeriy Zaluzhny.

Sipas “Reuters”, Qeveria ukrainase e kishte njoftuar Shtëpinë e Bardhë të premten se po planifikon ta shkarkojë komandantin kryesore të ushtrisë, i cili është udhëheqës i luftës kundër forcave pushtuese ruse.

Dyshimet për shkarkimin e Zaluzhny, i cili ka pasur mospajtime me Zelenskyn për një sërë çështjesh, pasojnë pas kundërofensivës ukrainase të vitit të kaluar, e cila dështoi ta çlirojë shumicën e territorit të pushtuar nga Rusia.

I njohur si “gjenerali i hekurt”, Zaluzhny është tejet i popullarizuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ballkani, Drita dhe Dukagjini kanë kryer detyrën për t’u kualifikuar…