Tensione në Ngushticën e Hormuzit, goditen nga predhat dy cisterna nafte pranë brigjeve të Omanit

21 nëntor 2026 | 16:44

Dy cisterna nafte janë goditur nga predha të paidentifikuara teksa po largoheshin nga Ngushtica e Hormuzit, një prej pikave më strategjike të transportit të naftës në botë dhe në qendër të konfliktit mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Lajmi u bë i ditur nga UKMTO, shërbimi britanik i informacionit për sigurinë detare, pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar. Sipas njoftimeve të publikuara, cisterna e parë u godit në pjesën e pasme, ndërsa e dyta në zonën e dhomës së motorëve. Deri më tani, nuk raportohet për persona të lënduar.

Të dy incidentet ndodhën në brigjet e qytetit të Khasabit, në Oman, teksa anijet po lundronin për të dalë nga Ngushtica e Hormuzit. Ngushtica është një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë. Përpara shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme, më 28 shkurt, pas sulmeve SHBA-Izrael ndaj Iranit, përmes saj kalonte rreth 20% e eksporteve globale të naftës.

Që prej nisjes së konfliktit, Irani ka shënjestruar vazhdimisht anijet që tentojnë të kalojnë në këtë korridor detar pa miratimin e tij, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një bllokadë ndaj porteve iraniane, duke rritur tensionet dhe rrezikun për trafikun detar në rajon.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ismail Tasholli ka publikuar një status në Facebook, në të…