Të rinjtë në mbarë botën duan të martohen dhe të kenë fëmijë, por nuk kanë mundësi financiare, paralajmëron OKB-ja

20 nëntor 2026 | 16:49

Të rinjtë në mbarë botën po përballen me vështirësi për të arritur etapat tradicionale të jetës së të rriturve, nga pavarësia financiare dhe punësimi i qëndrueshëm deri te martesa dhe krijimi i familjes. Kështu thuhet në një studim të ri të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA).

Pavarësisht se janë më të arsimuar dhe kanë qasje më të madhe në informacion sesa gjeneratat e mëparshme, miliona të rinj po e kanë gjithnjë e më të vështirë të sigurojnë punë, banim dhe stabilitet financiar, të nevojshëm për të ndërtuar jetën që dëshirojnë.

Sipas raportit të UNFPA-s për Gjendjen e Popullsisë Botërore, të publikuar të enjten, këto vështirësi janë veçanërisht të theksuara në Afrikën Sub-Sahariane, ku mundësitë e kufizuara ekonomike dhe rritja e shpejtë e popullsisë po paraqesin sfida gjithnjë e më të mëdha për qeveritë.

Të rinjtë përballen me pengesa të konsiderueshme për t’u futur në tregun e punës. Në vitin 2024, më shumë se një e treta e të rinjve në Senegal ishin të papunë, ndërsa në Mali kjo shifër ishte 30 për qind, raporton “The Independent”.

Në nivel global, një në pesë të rinj nuk është i punësuar, nuk ndjek arsimin dhe nuk merr pjesë në ndonjë program trajnimi. Ndërkaq, katër në pesë të rinj në moshë madhore në vendet me të ardhura të ulëta nuk kanë një vend pune të sigurt dhe të paguar.

“Problemi nuk qëndron te mungesa e ambicies së të rinjve, por te mungesa e mundësive për ta realizuar atë”, ka thënë Diene Keita, drejtoreshë ekzekutive e UNFPA-s.

Ajo ka theksuar se të rinjtë e sotëm janë më të arsimuar se gjeneratat e mëparshme, janë rritur me qasje më të madhe në informacion dhe janë edukuar për të drejtat e tyre njerëzore.

“Falë dekadave të përparimit në shëndetin publik, zhvillimit ekonomik dhe përparimeve mahnitëse teknologjike, ata mund të presin të jetojnë më gjatë”, ka thënë Keita në një konferencë për media.

“Duke u bazuar në të gjithë këta tregues, ata duhej të ishin gjenerata më e suksesshme e të rinjve në moshë madhore në histori. Megjithatë, shumë prej tyre ende nuk po i përjetojnë përfitimet që u ishin premtuar”, ka shtuar ajo.

Raporti, i cili bazohet në një anketë me më shumë se 100 mijë të rinj në moshë madhore, në 73 vende dhe territore, vë në pikëpyetje idenë se gjeneratat e reja po heqin dorë gjithnjë e më shumë nga martesa dhe prindërimi.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Manchester United mund të bëjë një revolucion të madh në…