Ngrihet aktakuzë kundër kryeministrit të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës

20 nëntor 2026 | 16:21

Zyra e Prokurorit të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës ka ngritur aktakuzë kundër kryeministrit aktual të entitetit, Nermin Nikshiq, ministrit të Brendshëm, Ramo Isak, dhe pesë personave të tjerë për shpërdorim të detyrës dhe autoritetit, si dhe për tregtim të ndikimit, është konfirmuar sot.

Aktakuza është ngritur nga Departamenti Special i Zyrës së Prokurorit Federal, përgjegjës për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, pas një hetimi disamujor.

Në mesin e të akuzuarve janë edhe ish-drejtori i Drejtorisë së Policisë së Ministrisë së Brendshme të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Vahidin Munjiq, si dhe zyrtarët e policisë dhe qeverisë, Muhamed Ohranoviq, Ariana Huseinoviq Ajanoviq, Ervin Mushinoviq dhe Mirela Bubalo.

Sipas aktakuzës, nga prilli i vitit 2023 deri në gusht të vitit 2024, në kundërshtim me ligjin, të akuzuarit organizuan zgjatje të përsëritura të autorizimit të Munjiqit për të drejtuar Drejtorinë e Policisë. Vendime të tilla, të cilat Zyra e Prokurorit i konsideron të paligjshme, u nënshkruan nga Nikshiqi në cilësinë e kryeministrit dhe Isaku në cilësinë e ministrit.

Aktakuza e ngarkon Ohranoviqin, i cili është i punësuar në Drejtorinë e Policisë, dhe Ariana Huseinoviq Ajanoviqin, shefen e Zyrës së Kryeministrit të Federatës, për ndërmjetësim lidhur me dhënien dhe zgjatjen e kompetencave të kontestuara, si dhe me emërimin e kushëririt të Munjiqit si drejtor ekzekutiv në detyrë për trafikun postar në “BH Post”.

Mirela Bubalo akuzohet për përdorimin e pozitës së saj zyrtare dhe ndikimit për të ndërmjetësuar punësimin si drejtuese e një departamenti në zyrën e ministrit federal të Brendshëm.

Aktakuza gjithashtu u referohet ngritjeve në detyrë dhe punësimit në Drejtorinë e Policisë, si dhe asgjësimit të paautorizuar të informacioneve konfidenciale lidhur me kontrollet dhe hetimet e prokurorisë.

Zyra e Prokurorit ka propozuar që Nikshiqit t’i ndalohet ushtrimi i detyrës së kryeministrit të Qeverisë së Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa Ramo Isakut ushtrimi i detyrës së ministrit federal të Brendshëm.

Masa ndaluese janë propozuar edhe për të pandehurit e tjerë, ndërsa aktakuza i është dërguar Gjykatës Supreme të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës për konfirmim, së bashku me propozimin për dëgjimin e 60 dëshmitarëve dhe administrimin e 500 provave materiale.

Kujtojmë se qeveria e udhëhequr nga Nikshiqi, në të cilën Isaku është ministër, është në mandat teknik deri në emërimin e një qeverie të re, bazuar në zgjedhjet e mbajtura më 4 tetor.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Mbledhja e radhës e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës është…