Hungaria pritet ta heqë veton, Ukrainës i hapet rruga drejt BE-së
Hungaria pritet të heqë veton për hapjen e dy grupeve të fundit të negociatave për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian.
Vendimi pritet të formalizohet gjatë një takimi të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.
Sinjali për këtë ndryshim qëndrimi është dhënë nga Andras Biro-Nagy, sekretari i shtetit i Hungarisë për Çështjet e BE-së në Zyrën e Kryeministrit, gjatë një diskutimi mbi zgjerimin, përpara mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, të mbajtur të enjten në Bruksel.
Budapesti ka bllokuar prej kohësh procesin e anëtarësimit të Ukrainës në BE, duke kundërshtuar hapjen e grupeve negociuese.
Kjo veto ka penguar gjithashtu edhe përparimin e Moldavisë drejt anëtarësimit, pasi proceset e të dyja vendeve mbeten të lidhura.
Ndryshimi i qëndrimit të Hungarisë nisi pas ardhjes në pushtet të Péter Magyar, i cili mposhti Viktor Orbánin pas 16 vjetësh në krye të qeverisë.
Ndërkohë, procesi negociues i Ukrainës ka shënuar përparim gradual. Grupi i parë negociues u hap në qershor, i dyti në korrik, ndërsa dy grupe të tjera në tetor.



