Prezantohet projektplani për Agjendën Parlamentare për Çështje të Grave dhe Barazi Gjinore 2027-2030
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se sot në Kuvend është prezantuar projektplani i punës për Agjendën Parlamentare për Çështje të Grave dhe Barazi Gjinore 2027–2030.
Përmes një postimi, Haxhiu ka njoftuar se projektplani është diskutuar me përfaqësues të institucioneve, partnerë dhe organizata të grave.
Sipas saj, kjo agjendë synon t’i ofrojë Kuvendit një plan të qartë pune deri në vitin 2030, me fokus në fuqizimin ekonomik të grave, arsimin, punësimin, mbrojtjen nga dhuna dhe mbikëqyrjen parlamentare të zbatimit të ligjeve.
Haxhiu ka bërë të ditur se pjesë e këtij angazhimi do të jenë edhe vizitat nëpër rajone të Kosovës, ku do të zhvillohen takime me organizatat e grave, me qëllim që përvojat dhe sfidat e tyre të përfshihen në punën e Kuvendit.
Ajo ka theksuar se barazia gjinore duhet të reflektohet në jetën e përditshme, përmes pagës së barabartë për punë të njëjtë, regjistrimit të pronës edhe në emër të grave dhe përfaqësimit të tyre në vendimmarrje.
“Përgjegjësia jonë në Kuvend është që kjo rrugë të jetë e hapur për secilën grua dhe vajzë”, ka shkruar Haxhiu.
Në fund, kryetarja e Kuvendit ka falënderuar zëvendëskryeministren dhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, kryetaren e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Fatmire Mulhaxhën, kryesuesen e Grupit të Grave Deputete, Arijeta Rexhepin, UN Women në Kosovë dhe të gjithë pjesëmarrësit për kontributin dhe propozimet e tyre.



