Betohen 16 ekspertë gjyqësorë, Gërvalla: Integriteti i tyre ka rëndësi për gjithë procesin gjyqësor

20 nëntor 2026 | 13:17

Gjashtëmbëdhjetë ekspertë gjyqësorë janë betuar të premten në Ministrinë e Drejtësisë, duke marrë zyrtarisht përgjegjësitë ligjore për ushtrimin e këtij profesioni.

Në ceremoninë e licencimit dhe betimit ka marrë pjesë zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila ka theksuar rëndësinë e ekspertizës profesionale në funksion të një sistemi të drejtësisë të bazuar në fakte dhe vlerësime të besueshme.

Gërvalla ka thënë se pavarësia dhe integriteti profesional i ekspertëve gjyqësorë janë thelbësore për cilësinë e proceseve gjyqësore.

“Pavarësia e gjykatës në vendimmarrje duhet të mbështetet edhe në pavarësinë e atyre që ofrojnë ekspertizën profesionale. Kjo është arsyeja pse integriteti i ekspertit gjyqësor ka rëndësi për të gjithë procesin gjyqësor”, ka deklaruar ajo.

Ministrja u ka bërë thirrje ekspertëve që të ruajnë paanshmërinë dhe pavarësinë në ushtrimin e detyrës, pavarësisht kundërshtimeve apo pakënaqësive që mund të shkaktojnë përfundimet e ekspertizave të tyre.

Ajo ka nënvizuar se vlerësimet profesionale duhet të mbështeten gjithmonë në fakte dhe njohuri shkencore, e jo në pritjet e palëve të përfshira në proces.

Duke iu drejtuar ekspertëve të rinj të licencuar, Gërvalla ka thënë se besimi në aftësitë e tyre profesionale duhet të shoqërohet me përgjegjësi të lartë.

“Ceremonia përfundoi me betimin e 16 ekspertëve gjyqësorë, të cilët u zotuan se detyrën do ta ushtrojnë me ndërgjegje, pavarësi, paanshmëri dhe profesionalizëm, duke respektuar normat ligjore, etike dhe standardet shkencore e profesionale”, është theksuar në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Gjelal Hoti B.I. shpall të humbur numrin Unik Identifikues: 811135468…