Hoti kritikon lidershipin aktual të LDK-së, nuk e përjashton kandidaturën për kryetar

20 nëntor 2026 | 13:19

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, nuk e përjashton mundësinë e kandidimit për kryetar të kësaj partie në zgjedhjet e brendshme që pritet të mbahen vitin e ardhshëm.

Në një intervistë për “KosovaPress”, Hoti ka kritikuar lidershipin aktual të LDK-së, duke theksuar nevojën për ndryshime në udhëheqjen e partisë pas rezultateve të dobëta në tri procese zgjedhore gjatë dy viteve të fundit.

Ai vlerëson se LDK-së i nevojitet një lidership i ri, i cili do ta ristrukturonte partinë dhe do t’i jepte energji të re për t’u rikthyer si forcë konkurruese në skenën politike.

“Është Arbeni dhe disa të tjerë, dhe dy të tjerë që e kanë bërë publike interesimin e tyre për të garuar për kreun e LDK-së. Ne i kemi zgjedhjet vitin e ardhshëm në LDK. Në këtë moment që po flasim nuk mund të pohoj as nuk mund të mohoj kandidaturën time për kreun e LDK-së. Atë që shpresoj edhe që unë personalisht do të angazhohem është që të organizohen zgjedhje sipas statutit të LDK-së. Zgjedhje që janë plotësisht transparente, ku të gjithë anëtarët e LDK-së e kanë mundësinë, i dinë datat kur mbahen kuvendet nëpër nëndegë edhe nëpër degë, regjistrohen, pra u jepet mundësia që të shprehin vullnetin e vet. Dhe zgjedhje që janë konkurruese, pra me disa kandidatë, ku eventualisht arrijmë në një pajtueshmëri rreth një kandidati që na çon përpara. Një gjë është e qartë që kështu si jemi nuk mund të vazhdojmë. LDK-së i duhet një lidership i ri për ta ristrukturuar LDK-në, për t’i dhënë gjallëri LDK-së, për ta kthyer aty ku ka vend”, ka thënë Hoti.

Hoti ka theksuar se do të angazhohet për organizimin e zgjedhjeve të brendshme në përputhje me statutin e LDK-së, duke kërkuar një proces transparent dhe konkurrues, ku të gjithë anëtarëve do t’u mundësohet të shprehin vullnetin e tyre.

Sipas tij, lidershipi aktual ka pasur kohë të mjaftueshme për ta riorganizuar partinë, për të ndërtuar një strategji opozitare dhe për të krijuar ekipet e nevojshme për rikthimin e LDK-së, por rezultatet zgjedhore kanë dëshmuar se këto synime nuk janë arritur.

Ai ka vlerësuar se pas tri proceseve zgjedhore me rezultate të dobëta, LDK-ja ka nevojë për një riorganizim të plotë të ekipit udhëheqës.

“Unë do të angazhohem gjerësisht për të siguruar proces zgjedhor, siç e përmenda, të rregullt, të transparent dhe konkurrues. I mungon lidershipi që i sjell fitore LDK-së. Kjo i mungon dhe prandaj ne duhet të gjithë të angazhohemi. Secili që ka vullnet të mirë duhet të angazhohet që të sigurojmë një proces konkurrues dhe transparent të zgjedhjeve dhe jam i sigurt që nëse ne e garantojmë një proces të tillë, ky proces do ta nxjerrë në krye të LDK-së personin që mund ta çojë LDK-në përpara. Dhe unë do të kontribuoj në këtë proces… Ajo që po them është që kemi kaluar në tri procese zgjedhore si Lidhje Demokratike e Kosovës në dy vitet e fundit, në të cilat rezultatin e kemi pasur jashtëzakonisht të dobët. Edhe atë pas katër viteve të qëndrimit në opozitë. Pra, atë që po tentoj të them është që lidershipi aktual e ka pasur një mandat të plotë për ta organizuar partinë, për të ndërtuar strategjinë opozitare, për të ndërtuar strategjinë e fushatës, për të ndërtuar ekipet e nevojshme, për të ndërtuar vizionin e vet edhe ekipin për realizimin e atij vizioni, por fatkeqësisht rezultatet për LDK-në janë këto që janë, tani jemi sërish në opozitë. Tash na duhet një energji komplet e re dhe na duhet një riorganizim i plotë i ekipit udhëheqës të LDK-së”, ka nënvizuar ai.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Gjashtëmbëdhjetë ekspertë gjyqësorë janë betuar të premten në Ministrinë e…