Nisma për këta pesë vjet arsyetoi themelimin e vet

27 shkurt 2019 | 14:34

Shefi i grupit parlamentar i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka deklaruar se rrugëtimi i këtij subjekti politik nuk ka qenë i lehtë. Në pesëvjetorin e themelimit të këtij subjekti politik ai ka thënë se Nisma ka arsyetuar themelimin e saj si parti politike. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Sherifi ka deklaruar se ky subjekt  politik para dhe pas themelimit është përballur me pengesa të ndryshme. “Themelimi i Nismës ka pasur për qëllim bashkimin rreth një subjekti të njerëzve të cilët nuk pranojnë t’i nënshtrohen individit. Bashkimin e njerëzve të cilët refuzojnë të udhëhiqen nga mendësia autoritare e drejtuesve të partisë. Bashkimin e njerëzve të cilët i ndajnë vlerat e përbashkëta kombëtare dhe socialdemokrate. Kur shohim aktivitetin e zhvilluar gjatë këtyre pesë vjetëve besojmë se kemi arritur ta justifikojmë themelimin e Nismës Socialdemokrate!”, ka thënë Sherifi.

Ai ka treguar se kjo parti politike ka bërë punë të mira edhe në qeveri, në dikasteret që drejton. “Megjithatë, për një periudhë prej pothuajse një vit e gjysmë sa jemi në qeveri, përmes kryetarit Limaj si zëvendëskryeministër dhe tri ministrive që drejtojmë, kemi arritur të bëjmë punë të mira për shtetin tonë dhe qytetarët tanë. Besojmë se deri në fund të mandatit të qeverisë do të arrijmë ta zbatojmë programin zgjedhor në një masë bukur të madhe”, ka thënë Sherfi.

Shefi i grupit parlamentar i Nismës e ka ftuar spektrin politik për bashkim për çështjen e taksës dhe në procesin e dialogut me Serbinë. Sipas tij, taksa dhe dialogu me Serbinë nuk duhet të ndërlidhen njëra me tjetrën. Ai ka thënë se bashkimi politik për taksën do ta zmbrapste presionin sikurse ka ndodhur me “Trepçën”. “Jemi dëshmitarë se sa shpejt u tërhoqën nga kërkesa që për çështjen e ‘Trepçës’ të bisedohet në Bruksel. Kjo ndodhi vetëm për shkak të reagimit të përbashkët të të gjithë spektrit politik, pra të pozitës dhe opozitës. Kam bindjen se edhe kërkesat për heqjen e taksës/tarifës do të kishin pasur të njëjtin fat po sikur të gjithë njëzëri të mos kishim pranuar që vazhdimi i dialogut të kushtëzohet as me suspendim dhe as me heqje të taksës”, është shprehur Sherifi.

“Epoka e re”: Z. Sherifi, Nisma Socialdemokrate tani po i mbush pesë vjet si subjekt politik. Si do ta përshkruani rrugëtimin e saj politik?
Sherifi: Po, më 28 shkurt të këtij viti bëhen pesë vjet nga themelimi Nismës për Kosovën. Siç e di edhe publiku i gjerë, vitin e kaluar mbledhja e Këshillit Kombëtar ia ndryshoi emrin në Nisma Socialdemokrate. Rrugëtimi pesëvjeçar i Nismës nuk ka qenë i lehtë, përkundrazi ka qenë shumë i vështirë. Nisma jo vetëm në fillimet e saj, por edhe më pas është përballur me pengesa nga të ndryshme. Megjithatë, pavarësisht prej tyre, arriti të shndërrohet në forcë politike parlamentare. Në frymën e premtimeve parazgjedhore, se do të angazhohemi për ta bërë ndryshmin në qeverisjen e vendit, përkundër ofertave të mëdha, Nisma nuk pranoi të bëhet pjesë e qeverisë, sepse kjo do të thoshte vazhdim i keqqeverisjes dhe jo ndryshim. Madje Nisma ishte edhe nismëtare e krijimit të opozitës së bashkuar pas zgjedhjeve të vitit 2014 LDK-AAK-Nisma, së cilës pastaj iu bashkua edhe LV-ja. Në të gjitha zhvillimet e kohës sa ishim në opozitë kontributi i Nismës ka qenë shumë i madh. Madje e them me bindje të plotë se pa rolin konstruktiv të themeluesve dhe drejtuesve të Nismës, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, nuk do të kishte as opozitë të bashkuar.

“Epoka e re”: Cila mendoni se ka qenë risia që kjo parti ka sjellë në skenën tonë politike?
Sherifi: Themelimi i Nismës ka pasur për qëllim bashkimin rreth një subjekti të njerëzve të cilët nuk pranojnë t’i nënshtrohen individit. Bashkimin e njerëzve të cilët refuzojnë të udhëhiqen nga mendësia autoritare e drejtuesve të partisë. Bashkimin e njerëzve të cilët i ndajnë vlerat e përbashkëta kombëtare dhe socialdemokrate. Kur shohim aktivitetin e zhvilluar gjatë këtyre pesë vjetëve besojmë se kemi arritur ta justifikojmë themelimin e Nismës Socialdemokrate.

“Epoka e re”: Po bëhen gati dy vjet që Nisma e ka sprovuar vetën në qeverisje, duke drejtuar disa ministri. Sa po arrin kjo parti ta realizojë misionin e vet politik?
Sherifi: Të qenurit në pushtet është sfidë kudo në botë, mirëpo të qenurit në pushtet në Kosovë, ku nevojat e njerëzve janë jashtëzakonisht të mëdha, ndërsa mundësitë e kufizuara, të qenurit në pushtet e bën sfidën shumë më të madhe. Megjithatë, për një periudhë prej pothuajse një vit e gjysmë sa jemi në qeveri, përmes kryetarit Limaj si zëvendëskryeministër dhe tri ministrive që drejtojmë, kemi arritur të bëjmë punë të mira për shtetin tonë dhe qytetarët tanë. Besojmë se deri në fund të mandatit të qeverisë do të arrijmë ta zbatojmë programin zgjedhor në një masë bukur të madhe.

“Epoka e re”: Së fundi koalicioni qeverisës nuk po flet me një zë rreth taksës ndaj produkteve serbe. Cili është qëndrimi i Nismës rreth këtij çështje?
Sherifi: Taksa/tarifa ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës është vendosur si reagim ndaj agresionit të vazhdueshëm të Serbisë kundër shtetit të Kosovës. Ky vendim i qeverisë është marrë në përputhje të plotë me interesat e shtetit tonë dhe në unitet të plotë të partnerëve të koalicionit qeverisës. Taksa duhet të trajtohet ndaras nga dialogu. Kushdo që e kushtëzon dialogun me heqjen/suspendimin e taksës bën gabim. Vendosja e taksës ka arsyet e veta, të cilat i përmenda më lart dhe, pa u hequr arsyet e vendosjes, ajo nuk duhet as të hiqet dhe as të suspendohet. Dialogu si proces ka arsyet e veta pse ka filluar prandaj, pavarësisht taksës, ai duhet të vazhdojë.

“Epoka e re”: A po i rrezikon taksa raportet e Kosovës me ShBA-të?
Sherifi: E kam thënë disa herë dhe po e përsërisë edhe në këtë intervistë. Raportet ShBA-Kosovë janë shumë të thella, shumë të gjithanshme, janë raporte që shkojnë përtej aleancave të zakonshme, përtej miqësisë së zakonshme mes dy popujve, janë raporte të mbrojtësit dhe të të mbrojturit. Prandaj nuk besoj se një veprim si ky i taksës/tarifës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës mund të lëkundë raportet mes dy vendeve.

“Epoka e re”: Nëse kryeministri vazhdon të këmbëngulë në mbajtjen e taksës dhe PDK-ja në pezullimin e saj, cila duhet të jetë zgjidhja? Janë zgjedhjet e parakohshme, zgjidhje?
Sherifi: Zgjidhja është ajo që thashë më lart. Dialogu dhe taksa të trajtohen veç e veç. Dialogu për marrëveshjen finale ligjërisht të obliguar për dy vendet në njërën anë dhe taksa si një çështje e veçantë që i ka arsyet e veta pse është vendosur në anën tjetër. Këto dy çështje nuk duhet të shihen të ndërvarura me njëra-tjetrën, prandaj edhe nuk duhet të kushtëzohen me njëra-tjetrën. Procesi i dialogut me Serbinë të vazhdojë. Në funksion të kësaj, Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur ekipin shtetëror për bisedime me Serbinë dhe është në fazën përmbyllëse të miratimit të një platforme e cila besoj se shumë shpejt do të marrë edhe miratimin e Kuvendit. Zgjedhjet nuk janë zgjidhje për këtë situatë sepse, ta zëmë, për shkak të mospajtimeve për taksën/tarifën do të shkonte vendi në zgjedhje, taksa/tarifa do të mbetej në fuqi gjithsesi. Prandaj nuk mendoj se zgjedhjet janë zgjidhje. Zgjidhja është tek uniteti i klasës politike pozitë-opozitë dhe jo te përplasja me njëri-tjetrin. Jemi dëshmitarë se sa shpejt u tërhoqën nga kërkesa që për çështjen e Trepçës të bisedohet në Bruksel. Kjo ndodhi vetëm për shkak të reagimit unik të të gjithë spektrit politik qoftë pozitë, qoftë opozitë. Kam bindjen se edhe kërkesat për heqjen e taksës/tarifës do të kishin pasur të njëjtin fat po sikur të gjithë njëzëri të mos kishim pranuar që vazhdimi i dialogut të kushtëzohet as me suspendim dhe as me heqje.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anëtari i Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit,…