“Nissan” do t`i tërheq 394 mijë vetura nga tregu

18 nëntor 2019 | 11:56

Prodhuesi japonez i veturave, “Nissan”, ka njoftuar se do t’i tërheqë nga tregu 394 mijë vetura në Shtetet e Bashkuara për shkak të një defekti në sistemin e frenimit. Sipas kësaj kompanie, rrjedhja e një lëngu të frenave mund të shkaktojë zjarr në veturë.

Në një dokument që ky prodhues ia ka dërguar Administratës Kombëtare për Siguri në Trafik thuhet se rrjedhja e këtij lëngu do ta aktivizojë një shenjë paralajmëruese në tabelën e sinjaleve, por nëse ajo injorohet nga vozitësit, ky defekt mund të shkaktojë zjarr në veturë.

Në mesin e modeleve të veturave që do të preken nga ky vendim janë veturat “Maxima”, të prodhuara nga viti 2016 deri në vitin 2018, “Infiniti QX60”, të prodhuara nga viti 2017 deri në vitin 2019, veturat “Murano”, të prodhuara nga viti 2015 deri në vitin 2018 dhe modeli “Pathfinder”, i prodhuar nga viti 2017 deri në vitin 2019.

Njoftimi erdhi më pak se dy muaj pasi autoritetet amerikane e filluan një hetim për 553 mijë vetura të tipit “Nissan Rogue”, të cilat dyshohet se e kanë një defekt në sistemin e frenimit emergjent./Reuters/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitiq, raportohet se po konsideron kalimin…