Nitaj: LV-ja dhe LDK-ja kanë humbur besimin ndaj njëra-tjetrës

19 janar 2020 | 14:05

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka thënë se është degraduar procesi i negociatave në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së.

Ai ka thënë se njerëzit e ndërgjegjshëm nuk negociojnë në këtë mënyrë për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.

“Këto kanë mundur të kenë qenë gjithçka tjetër, por jo negociata. Njerëzit e përgjegjshëm nuk negociojnë në këtë mënyrë, me takime të njëjta e pa rezultat, me deklarata “me spec” në publik dhe me letra të gjata, ku njëra palë më të rëndësishme e ka poshtërimin e palës tjetër sesa rezultatin e bisedimeve. Kam frikë se ata e kanë humbur besimin te njeri-tjetri dhe tani marrëveshja ose bëhet e pamundshme ose edhe po u arrit, ajo vështirë se do të mbahet. Ne jemi munduar të mos përzihemi as me qëndrime politike për këtë proces, por ai aq shumë u degradua sa nuk mbeti njeri imun ndaj saj! Marrëveshja për qeveri është konsideruar sfidë e lehtë dhe shikoni se sa e komplikuar është bërë. Merreni me mend kur këta do të duhet të përballen me sfida shumë më të mëdha se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Nitaj në një intervistë për “Epokën e re”.

Më tutje, Nitaj ka thënë se Vetëvendosje dhe LDK kanë humbur besimin ndaj njëra-tjetrës.

“Unë e kam përshtypjen se gjërat janë më serioze se kaq. Thash që palët e kanë humbur besimin në njëra-tjetrën, negociatat janë bërë të rënda. Partneriteti, mbi të gjitha, kërkon mirëbesim dhe respekt të ndërsjellë dhe këto nuk i keni vërejtur për këto 100 ditë. Unë do ta konsideroja më të ndershme një përgjigje të prerë sesa tërhiq e mos këput”, është shprehur Nitaj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Zvicër ka shumë shqiptarë të suksesshëm dhe të integruar…