Nitaj: Opozitës nuk i duhen zgjedhjet, është e çakorduar

08 prill 2018 | 20:53

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka thënë se opozita është e çakorduar. Ky është konstatimi i deputetit të AAK-së Nitaj, kur flet për kërkesën e LDK-së dhe  të Vetëvendosjes për zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Kërkesat për zgjedhje janë veprimtari politike normale e disa eksponentëve te opozitës, por që të jemi krejt të sinqertë, as opozitës sot nuk i duhen zgjedhjet”, ka thënë Nitaj në një bisedë për “Express”.

Aktualisht, Qeveria e Kosovës ka 52 vota në Kuvendin e Kosovës. Është duke funksionuar si Qeveri e pakicës pas largimit të Listës Sprksa.

Megjithëkëtë, edhe në radhët e opozitës nuk janë 61 vota për rrëzimin e Qeverisë.

Muharrem Nitaj ka një përgjigje për gjendjen e krijuar pas largimit të Listës Sprska nga Qeveria që ka mbetur e pakicës.

“Është e vërtetë që qeveria ka pak numra, por edhe opozita është e çakorduar dhe pjesa dërmuese e saj as që i ka si opsion zgjedhjet”, ka shtuar ai.

Por, as ky zyrtar i AAK-së nuk përjashton krejtësisht zgjedhjet.

Madje, ka një shpjegim interesant kur flet për mundësinë e rrëzimit të Qeverisë së Ramush Haradinajt.

“Por Kosova është vend i çudirave dhe gjithçka është e mundur. Ne as nuk i ngjajmë kujt e as kush na përngjet neve. Vetëm se logjika e gjërave i përjashton zgjedhjet si opsion. Por nëse kjo ndodhë, AAK-ja është aty”, ka thënë Nitaj, i cili është anëtar i Kryesisë së AAK-së.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga janari i këtij viti, që kur ka hy në…