Një delegacion i lartë i sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës viziton institucionet e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë

30 qershor 2023 | 08:57

Një delegacion i lartë i sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës, i përbërë nga Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, Zëvendëskryesuesi i KPK-së, Veton Shabani, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, anëtarët e Këshillit Prokurorial dhe Ushtruesja e Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, janë duke qëndruar për një vizitë zyrtare në institucionet e larta prokuroriale të Republikës së Shqipërisë.

Qëllimi i kësaj vizite është diskutimi për fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve ndërshtetërore, me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe për gjetjen e formave dhe mënyrave të avancimit të këtij bashkëpunimi në funksion të luftimit të kriminalitetit ndërshtetëror, problematikave të përbashkëta të evidentuara nga ana e strukturave të të dyja shteteve dhe aspekte të tjera thelbësore që shërbejnë për vlerësimin e veprimtarisë etike dhe profesionale të prokurorëve, si dhe për tejkalimin i sfidave që ndërlidhen me veprimtarinë e përgjithshme të sistemit prokurorial dhe të drejtësisë në përgjithësi.

Në kuadër të kësaj vizite, në ditën e parë, delegacioni i lartë i institucioneve të sistemit prokurorial të Kosovës është pritur në takim nga Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë së Shqipërisë, Alfred Balla, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, të cilët kanë falënderuar delegacionin kosovar për vizitën e tyre, me ç’rast i kanë njoftuar për proceset e përgjithshme të funksionimit kushtetues e ligjor dhe për aktivitetet e këtyre institucioneve të shtetit shqiptar.

Nga ana tjetër, Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku, në emër të delegacionit kosovar, ka shprehur falënderim për ftesën dhe ofrimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me qëllim të shkëmbimit të përvojave që ndikojnë në ngritjen e efikasitetit dhe efektivitetit të ndjekjes së krimeve të ndryshme, profesionalizmit, menaxhimit dhe administrimit të sistemeve prokuroriale, duke potencuar nevojën e përbashkët të vazhdimit të këtij bashkëpunimi për avancimin e praktikat më të mira në kuadër të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.

Me këtë rast, të dyja palët, gjatë diskutimeve, kanë vlerësuar në mënyrë të veçantë përcaktimin e nevojave specifike për një bashkëpunim strategjik për hetimin dhe ndjekjen e kryesve të veprave penale që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, korrupsionin,  krimet ekonomike,  pastrimin e parave, terrorizmin dhe krimin kibernetik, si dhe për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut përmes zbatimit të standardeve më ta larta profesionale.

Delegacioni i sistemit prokurorial nga Kosova do të ketë edhe gjatë ditës së nesërme takime të ngjeshura me drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorisë së Posaçme, Prokurorisë së Tiranës, Komisionit të Pavarur te Kualifikimit dhe Programit OPDAT.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anija më e madhe në botë, Icon of the Seas,…