NJË DITË E CILA NUK I NGJANË ASNJË TJETRE

09 prill 2020 | 13:44

Basrie MURATI- SAKIRI

Një ditë, e cila fillon, si të gjitha tjerat, në orën 6 të mëngjesit, por që nuk i ngjanë asnjë tjetre. Me ndjenja të përziera, bëhem gati të dalë nga shtëpia. Unë punoj në poliklinikën ortopedike. Çfarë mund të më pret sot atje? Që para dy javësh është thënë se duhet të trajtohen vetëm rastet urgjente dhe emergjente. Pacientët tjerë nuk duhet të planifikohen për trajtim, shkaku i sigurisë dhe vendit. Ne duhet të kemi kapacitete që të mund të reagojmë dhe, nëse është e nevojshme, t’i mbështesim kolegët në repartet tjera në trajtimin e pacientëve me koronë. Në poliklinikën ortopedike duhet të paraqiten mundësisht sa më pak pacientë, në mënyrë që rreziku i infektimit të zvogëlohet sa më shumë që të jetë e mundur.

Pas një javë qëndrimi në shtëpi, mund të ketë ndryshuar shumëçka. Megjithëse përpiqem të mos e prish qetësinë time, janë fotot dhe raportet mbi situatën aktuale që më ndjekun prapa. Gjendje e jashtëzakonshme? Çfarë do të thotë kjo në të vërtetë? Nuk ka ndodhur ndonjë fatkeqësi natyrore që na kërcënon. Nuk fluturojnë aeroplanë luftarakë në qiell, dhe as tanket nuk marshojnë mbi asfalt duke shkaktuar zhurmë të padurueshme, që i bën edhe insektet nën tokë të shqetësohen, e lëre më njerëzit që nuk iu lejohet të largohen nga shtëpitë e tyre.

Virusi, ky është kërcënimi i padukshëm. Por, pavarësisht numrit të madh të viktimave që ka shkaktuar gjerë më tani, rreziku për të vdekur në një luftë është më i madh. Ne këtu e kemi një shans më të mirë për të mbijetuar. Kemi një çati mbi kokë, ushqim të mjaftueshëm dhe madje edhe 24 orë në ditë qasje interneti. Poashtu kujdesi shëndetësor është i siguruar. Çka na nevojitet më shumë? Megjithatë situata është e tensionuar. Gjendja është serioze.

Zakonisht programi ynë në një të martë është i stërmbushur: tetëdhjetë deri në njëqind pacientë në ditë. Më të arritur në vendin e punës në poliklinikë, takoj vetëm një nga koleget e mia që punon në recepcion. Pas pak e kuptoj, se të gjithë të tjerët duhet të qëndrojnë në shtëpi këtë javë. Tani punojmë në dy ekipe për shkak të ngarkesave më të vogla të punës dhe rrezikut të infektimit. Një qetësi e çuditshme ka përfshirë gjithçka, dhe njëkohësisht shpresojmë në një kthesë të shpejtë për të mirë – në një proces normal.  

Posa filloj me përgatitjet, kam përshtypjen sikur edhe gjërat dhe dhomat e trajtimit janë më të qeta se zakonisht. Në zyrë duket sikur gjithçka funksionon si zakonisht, por nga një vështrim i hedhur në orarin tonë ditorë shihet se vetëm tre nga njëmbëdhjetë dhomat e trajtimit janë të zëna dhe se është planifikuar pjesërisht, vetëm një pacient në orë. Orari i pasditës është pothuajse bosh. Sipas rrethanave janë planifikuar edhe mjekët – në një numër shumë të reduktuar. Kjo gjë ma ndal frymën. Kush do të mund ta mendonte se kështu do të dukej ndonjëherë te ne? Vetëm deri para tri javësh të gjitha dhomat e trajtimeve ishin të mbushura përplot.

Gjatë ditëve të fundit kanë arritur emaila të panumërtë, të cilët në mënyrë interne informojnë mbi situatën lidhur me virusin dhe masat higjienike. Ne vazhdimisht e përshtasim punën tonë me udhëzimet. Prioritet të lartë tani kanë udhëzimet, të cilat deri para tri javësh ishin të paparamendueshme, siç janë: ofrimi i ndihmës telefonike për pacientët, të afërmit dhe punonjësit me simptome të koronës; udhëzimet për kriteret kirurgjikale; klasifikimi sipas shkallës së urgjencës; lajmërimi për punonjësit dhe pacientët e ortopedisë të testuar pozitiv me COVID-19; riorganizimi i planifikimit të ekipit etj. Dy metrave distancë duhet t’i përmbahemi edhe ne. Gjë kjo e pamundur! Ekzaminimet fizike, marrja e gjakut, trajtimi i plagëve etj., të gjitha këto i bëjmë çdo ditë. Rregullave mbi distancën ndërmjet nesh mund t’i përmbahemi vetëm ne kolegët.  

Bartja e maskave mbrojtëse është që prej një jave e obligueshme për të gjithë punonjësit e spitalit. Që në dhomën e pritjes e ndjej se pacientët janë të mbushur me shqetësim. Këtë e shoh në mimiken, gjestet dhe lëvizjet e tyre. Kur i shoqëroj në dhomën e trajtimit, me fytyrë gjysmë të mbuluar nga maska, e kam përshtypjen se te disa prej tyre pasiguria shndërrohet madje në një frikë të lehtë.

***

Basrie Murati- Sakiri emigron si 18-vjeçare nga Kosova në Zvicër. Shkaktar ishin aktivitetet politike, të cilat ia pamundësuan jetesën e mëtejme në Kosovë. Ajo ka shkruar për dhe rreth këtij historiku. Libri “Bleibende Spuren” mund të porositet këtu: https://rotpunktverlag.ch/buecher/bleibende-spuren

(Ky shkrim është botuar nga Rotpunkverlag në DitarinKatëdhjetëditor, që kjo shtëpi botuese është duke e mbajtur nga data 18 mars me shënime të autoreve dhe autorëve të saj https://vierzigtagebuch.wixsite.com/rotpunktverlag/post/basrie-sakiri-murati-ein-tag-der-keinem-anderen-gleicht

Shkrimtarja është poashtu edhe autore e librit “Gurmë të pashlyeshme”, e cila mund të porositet duke klikuar në këtë link: https://www.librariashqiptare.ch/product-page/gjurmë-të-pashlyeshme)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Marco Reus e ka hedhur poshtë çdo mundësi për të…