Një jetë në shërbim të kombit shqiptar – kushtuar veprimtarisë patriotike të Mehmet Prishtinës

01 shkurt 2024 | 19:17

Nga: Hysen S. Dizdari

Studiues i historisë dhe i filatelisë shqiptare, Tiranë, më 29.01.2024

Patrioti dhe atdhetari Mehmet Prishtina lindi më 7 janar 1967, në fshatin Polacë, Drenicë, Komuna Skënderaj, të Kosovës, në një familje me tradita të mëdha patriotike.

Shkollën fillore e kreu po në fshatin e lindjes Polacë në vitet 1973–1975, më pas, duke qenë se babai i tij kishte emigruar në Gjermani, i mundësoi shkollimin atje në vitet 1975–1979.

Në vitin 1980 kthehet përsëri në Kosovë dhe përfundon shkollën e mesme me rezultate të larta, në vitet 1980–1984.

Një rol të madh në edukimin e Mehmetit luajti i ati, Feriz (Mehmet) Aliuka i fisit Berisha, i cili e merrte në odën e burrave që kur ishte fëmijë. Në këtë odë mbruhen ndjenjat e atdhedashurisë e të patriotizmit, duke dëgjuar si familja e tij kontribuonte me çdo formë në luftën çlirimtare, për lidhjen prej tre a katër brezash me patriotin Hasan Prishtina, pasardhëse e të cilit ishte familja e tij. Fshati i tij i lindjes Polacë dhe krahina e Drenicës janë të njohura për historinë qindravjeçare në organizimin e kryengritjeve dhe të luftës çlirimtare kundër pushtuesve serbë, duke filluar me Mirosh Kopilin (Kopiliq), Azem e Shote Galicën e duke vazhduar me heronjtë e Kosovës Hasan Prishtina, Shaban Polluzha. Aty luftoi dhe u vra gjyshi i Mehmet Prishtinës (Mehmet Ramadan Aliuka, 1900–1945) në janar të 1945-s nga forcat çetnike serbe në Drenicë, si luftëtar i brigadës së Shaban Polluzhës, në mbrojtje të popullatës civile, së bashku me të vëllanë Miftarin e deri te themeluesi i UÇK-së, heroi i Kosovës Adem Jashari.

Në vitin 1984, Kosova ndodhej nën okupimin serb, në kuadër të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe mundësitë e shkollimit të lartë në Kosovë ishin të pamundura, edhe për shkak se ai kishte prejardhjen nga një familje atdhetare e patriotike, të lidhura ngushtë me emrin e patriotit dhe atdhetarit Hasan Prishtina.

Duke qenë se babai i tij jetonte dhe punonte në Gjermani në atë kohë, zgjodhi që ta shkollonte në një nga universitetet më të mira, në universitetet e Heildelbergut dhe Paderbornit në Gjermani, të cilin e përfundoi me rezultate të larta në vitet 1986–1990, në degën Ekologji-Agronomi.

Patrioti Mehmet Prishtina, falë intelektit të tij shquhet edhe në njohjen e mirë të katër gjuhëve të huaja: gjermanisht, anglisht, turqisht, serbokroatisht. Në saje të dijeve të tij gjuhësore, filloi të punonte në Gjermaninë e viteve 1990–1999 si përkthyes dhe interpret gjyqësor në qytetin Munih të Bavarisë. Gjatë këtyre viteve u njoh dhe me veprimtarë të tjerë të shquar nga Kosova, që kishin emigruar në Gjermani. Këtu fillon edhe aktiviteti i tij patriotik dhe kontributi i tij për çështjen e Kosovës, ku ai u shqua dhe ndihmoi në organizimin e aktiviteteve politike, patriotike dhe humanitare, duke ndihmuar emigrantët shqiptarë të sistemoheshin me punë e me strehim.

Por, kontributi i tij kryesor është në organizimin e protestave masive të emigrantëve shqiptarë në qytetet më të mëdha të Gjermanisë, Zvicrës, Belgjikës, Holandës etj.

Në vitin 1996 themelon në qytetin e Munihut të Gjermanisë kompaninë “Arian Reisen und Handels” GmbH. Pikërisht në qytetin e Munihut fillon zhvillimi i aktiviteteve të rëndësishme humanitare dhe politike, duke i ndihmuar emigrantët nga Kosova e Shqipëria dhe trevat shqiptare me strehim dhe me punësimin e tyre.

Grupet e para të prira nga Adem Jashari, Zahir Pajaziti e Salih Çeku, të cilat kishin mbaruar stërvitjet ushtarake në Shqipëri e të gatshëm për luftën për çlirim në Kosovë, fillimisht u detyruan që të strehohen në Gjermani, pasi sigurimi serb kishte rënë në gjurmë të tyre. Pasi kishin ardhur në Munih aty kontaktin dhe ndihmën e parë në kampin për strehim të refugjatëve që kërkonin azil politik në Munih e gjenin te Mehmet Prishtina. Vlen të ceken vetëm disa prej emrave të tyre, që edhe sot publikisht i janë mirënjohës Mehmetit, si: Bashkim Leci, Xhemajl Hoxha, Nazmi Kelmendi, Naim Gashi, ushtarakët Ruzhdi Alija-Rudi, Hasan Balidemaj, Musa Dobra, por edhe dhjetëra e mijëra të tjerë që vinin për t’u strehuar në Gjermani.

Patrioti Mehmet Prishtina, zyrat e kompanisë së tij i vuri në dispozicion të zgjidhjes së çështjes së Kosovës, duke pritur dhe duke përkrahur politikanë, gazetarë, shkrimtarë nga Kosova e Shqipëria dhe trevat tjera shqiptare, si: Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi, Sali Berisha, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Xhafer Shatri, Luan Malltezi, Thimi Nika, gazetari Bujar Muharremi, Afërdita Sokoli, Rustem Xhata, ambasadori i Shqipërisë atëherë në Gjermani  Xhezair Zaganjori, avokatët Bajram dhe Nekibe Kelmendi, Fazli Bala, Esat Stavileci, Pajazit Nushi, Mahmut Bakalli, Pjetër Arbnori, Arbër Xhaferi, heronjtë dhe luftëtaret Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës Fehmi Lladrovci, Ilaz Kodra, Ramiz Lladrovci, Sami Lushtaku, Ibrahim Kelmendi, Jonuz Trstena, ish-ministër i brendshëm etj.

Mehmeti ishte në dispozicion për të gjitha grupacionet dhe organizatat politike, klubet, shoqatat humanitare pa dallime ideologjie, sepse ai e kishte kuptuar me kohë misionin e doktrinës hasaniste, për të cilën më vonë veprimtari i njohur Adem Demaçi publikisht për herë të parë, në vitin 2009 në Vushtri tha: “Unë nuk jam simbol, por jam një ushtar i devotshëm i papërkulshëm i Hasan Prishtinës dhe aty ku e la Hasani, aty do ta vazhdojë, por së bashku do ta vazhdojmë. Kur ta krijojmë shtresën tonë të hasanistëve, atëherë nuk ka fuqi që do të na dalë përpara.”

Në vitin 1996 përkrah dhe ndihmon vëllezërit Kuzhnini, duke mbështetur iniciativën e tyre për themelimin e shoqatës “Lidhja Shqiptare në Botë (LBSH)”, të cilën e regjistron në Bashkinë e Munihut ku ishte i punësuar.

Në vitin 1997, në kohën më të vështirë për Shqipërinë, së bashku me një grup atdhetarësh nga diaspora, të kryesuar nga Nermin Vlora Falaski, vëllezërit Kuzhnini, gjeneral Tom Berishaj, Mehmet Prishtina, Toni Marku, Martin Berishaj, avokatët Bajram dhe Nekibe Kelmendi, Fazli Bala, Esat Stavileci, Pajazit Nushi, Mahmut Bakalli, Pjetër Arbnori, Arbër Xhaferi, Mark Krasniqi, Milazim Krasniqi etj. vizituan Shqipërinë dhe patën takime me drejtuesit e shtetit dhe partitë politike, duke dhënë kontributin e tyre në tejkalimin e situatës së vështirë politike në Shqipëri.

Në vitet 1998–1999, disa muaj përpara se forcat e NATO-s të nisnin luftën për çlirimin e Kosovës, babai i tij Feriz Aliuka, i fisit Berisha, i brumosur që në vogëli me dashurinë për atdheun, megjithëse i moshuar dhe në pension, la jetën e rehatshme në Gjermani dhe me ndërgjegje të flaktë patriotike e atdhetare mori një vendim për t’u kthyer në Kosovë dhe për t’u bashkuar e për të luftuar në krah të UÇK-së, për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë. Por, fati e kishte shkruar që ky burrë trim, fisnik dhe atdhetar të vritej gjatë luftimeve me pushtuesin serb, vetëm pak ditë para se Kosova të çlirohej. Akti i tij heroik e vendos emrin e tij në Panteonin e Dëshmorëve për Lirinë e Kosovës. Gjatë ceremonisë përcjellëse të të atit, që kishte organizuar Mehmeti në Hotelin Wolf në qendër të Munihut, erdhën për ngushëllime për 3 ditë me radhë disa mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat e Europës dhe aty në ballë i priste baca Rifat Jashari, duke e ngushëlluar Mehmetin me fjalët: “Të jesh krenar për babën! Edhe ai kishte mundësi të ishte këtu në mesin tonë në Gjermani, por ai zgjodhi luftën për liri, për të cilën se kurseu as jetën!” Këto fjalë Mehmetin e ngushëllonin shumë, sidomos kur kemi parasysh sakrificën e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, e cila u flijua në betejën për liri, me gjithsej 22 anëtarë të saj të ngushtë: nga Blerina Hamza Jashari, 6-vjeçare, e deri tek plaku 99-vjeçar.

Si i punësuar në Bashkinë e Munihut, Mehmeti arriti që të sigurojë një garanci të fortë për viza për të gjithë familjen Jashari, duke e siguruar këtë garanci edhe me kapitalin e vet. Një ditë, pas një bisede në banesën e bacës Rifat Jashari, këta së bashku shkojnë në Bashkinë e Munihut dhe marrin garancitë për viza dhe që të dy ishin të gëzuar se mund të shpëtonin jetën e fëmijëve të mitur të kësaj familjeje. Por, pas disa ditëve komunikimi në mes të bacës Rifat Jashari dhe vëllait të tij, komandantit legjendar Adem Jashari, ai ia thotë troç Mehmetit: “Faleminderit Bacës, por familja ka vendos që të mos braktisë Prekazin.” Sot baca Rifat është gjallë dhe e kujton edhe këtë rast: “Sikur ta dinin se gjaku i tyre do të na sillte lirinë që ne sot e gëzojmë.”

Akti heroik i babait të tij Ferizit me të vëllanë Idrizin dhe dy kushërinjtë Enverin dhe Avdylin që ranë dëshmorë për liri, u bë frymëzim për brezin e ri të Kosovës dhe në mënyrë të veçantë për të birin Mehmet Prishtina. I frymëzuar nga kjo ngjarje, gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, ai u shqua, por dha një kontribut madhor në përkrahjen dhe organizimin e Luftës Çlirimtare të Kosovës, duke ndihmuar UÇK-në në mjete logjistike, armatim, veshmbathje, ushqime e çdo gjë tjetër që u duhej për organizimin dhe zhvillimin e luftës çlirimtare deri në çlirimin e Kosovës nga forcat e NATO-s, nga pushtuesi serb. Të gjitha strukturat e përfshira në luftën e UÇK-së kanë pasur nga kontributi i Mehmetit. E vërtetuar kjo edhe me dokumente, pasi Mehmetit i lindën shumë probleme në lidhje me furnizimin e UÇK-së në Gjermani. Ai i heshtur dhe me mençuri i kaloi të gjitha problemet dhe u kthye nga Gjermania pas luftës për të dhënë kontributin e tij në rindërtimin e Kosovës së çliruar me gjakun e dëshmorëve dhe të të rënëve për lirinë e Kosovës.

Në vitin 1999, pas çlirimit të Kosovës, ai fillon aktivitetin e tij filantropik të vullnetarizmit patriotik e atdhetar, ku shquhet duke dhënë një kontribut të veçantë për rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, duke afruar dhe duke sjellë në Kosovë investitorë dhe kapital të huaj, si firmën e njohur “Calik Holding” Ltd. Ky investitor ka kryer investime kapitale në Kosovë, si hapjen e Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) dhe në privatizimin e rrjetit energjetik, KEK-KESCO, si dhe në ndërmjetësimin e investimeve në Aeroportin e Prishtinës etj.

Pas çlirimit të Kosovës, Mehmeti, i etur për kulturë dhe dije, vazhdon rrugën e shkollimit dhe në vitet 2001–2003 përfundon Universitetin e Hagenit në Gjermani, në Shkencat Politike-Juridike, studime master. Në vitet 2009–2011 kryen studimet master në Marrëdhënie Ndërkombëtare – Diplomaci, Phd, në Shkenca Politike në Universitetin e Vjenës në Austri. Por, sukseset dhe arritjet e tij nuk ndalen këtu, sepse Mehmet Prishtina është dhe një biznesmen i suksesshëm.

Në vitin 2012, Mehmet Prishtina se bashku me  bijtë e tij Arianin dhe Pleuratin, që të dy me studime master në ekonomi në universitetet prestigjioze të Munihut LMU dhe TU, themelon kompaninë e tij “New Prishtina Residence LLC” Real Estate, në Prishtinë: Kosovë.web.//www.newpr.biz

Ai ka fokusuar punën dhe biznesin e tij në zhvillimin e pasurive të patundshme (Real Estate) dhe deri më sot ka ndërtuar një lagje të re, me rreth 286 vila moderne në një nga zonat më të bukurat të qytetit të Prishtinës, të emërtuar lagjja dhe rruga “Hasan Prishtina”. Në hyrje të kësaj lagjeje, më 25.11.2023, ka vendosur edhe bustin e heroit kombëtar Hasan Prishtina, të derdhur në bronz. Gjatë këtyre viteve ka themeluar edhe disa kompani të tjera.

Në vitet 2007–2012 themeloi kompaninë “Swiss Kosova AG” Real Estate, Prishtinë, Kosovë.

Në vitet 2004–2007 themeloi EIC “Europe International Consulting LLC” dhe KS-Team Prishtinë, Kosovë, dhe në vitet 2003–2006 punoi si korrespondent i huaj për Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi në kompaninë “Presdok AG by Hans-Ulrich-Helfer”,  Politikat e Sigurisë në Europë, me bazën e saj në Cyrih, Zvicër.

Kontributi madhor i patriotit e i atdhetarit Mehmet Prishtina fillon me themelimin e Fondacionit “Hasan Prishtina” në vitin 2012, ku i udhëhequr nga vlerat e larta morale, me qëllimin atdhetar e patriotik me mision historik për ringjalljen e historisë së lavdishme të Kosovës dhe heroit të saj Hasan Prishtina dhe Adem Jashari. Veprimtaria e tij filantropike, me qëllime bamirësie, mund të krahasohet pa frikë me veprimtarinë bamirëse të shqiptares së madhe Nëna Tereza.

Në këtë veprimtari ai u frymëzua edhe nga vepra e paraardhësit të fisit tij, patriotit dhe heroit të Kosovës Hasan Prishtina dhe nga akti heroik i babait tij Feriz Aliuka – Berisha, si dëshmor i luftës së fundit të Kosovës.

Por, patrioti Hasan Prishtina është një nga figurat më të mëdha të kombit shqiptar dhe së bashku me Ismail Qemalin e patriotë të tjerë arritën të shpallin Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Duke qenë se jeta dhe vepra patriotike e atdhetare e Hasan Prishtinës, fatkeqësisht është më pak e njohur në trojet shqiptare, jo vetëm për shkak të harresës qëllimkeqe e antishqiptare, por edhe nga neglizhenca e organeve të shtetit në Shqipëri dhe në Kosovë, puna e patriotit Mehmet Prishtina dhe e Fondacionit të tij “Hasan Prishtina”, gjatë viteve 2012–2024 është përqendruar në ndriçimin e veprën e tij patriotike, me qëllime filantropike në bamirësinë kulturore, dhe ka si qëllim studimin, njohjen, ndriçimin dhe nxjerrjen nga pluhuri i harresës i jetës dhe i veprës së patriotit Hasan Prishtina.

Në saje të tij, të punës këmbëngulëse, me vullnetin e tij të hekurt, i frymëzuar nga veprimtaria patriotike dhe atdhetare e patriotit Hasan Prishtina, ai ka arritur që brenda një dekade të nxjerrë në dritë, punën madhore dhe veprimtarinë patriotike dhe atdhetare të Hasan Prishtinës. Veprimtaria e patriotit Mehmet Prishtina dhe e Fondacionit të tij “Hasan Prishtina” janë unike në të gjitha trojet shqiptare, prandaj ai duhet përkrahur dhe duhet njohur nga të gjithë shqiptarët kudo në botë.

Ai ka arritur që duke u udhëhequr nga idealet e larta njerëzore të bamirësisë kulturore e filantropisë të financojë shtatore madhore dhe buste të Hasan Prishtinës në qytetet kryesore shqiptare, si: Tiranë, Vlorë, Peshkopi, Kukës, Prishtinë dhe Shkup.

Disa nga arritjet e Fondacionit “Hasan Prishtina” gjatë viteve 2009–2024 janë:

Aktiviteteve të Fondacionit iu paraprin botimi i librit “Veprimtaria atdhetare Hasan Prishtina”, i autorit Bedri Tahiri nga Galica e Azem Bejt Galicës, i cili doli në dritë me ndihmën e Mehmet Prishtinës, pasi priti me vite të tëra në radhë për botim. Menjëherë, më 9 shtator 2009, me mbështetjen e Mehmet Prishtinës organizohen edhe ditët e Hasan Prishtinës nga Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë, ku në këtë manifestim të shndërruar në traditë do të spikatej fjalimi i bacës Adem Demaçi

  1.  Në vitin 2011, me iniciativë dhe sponsorizim të tij, vendoset shtatorja e Hasan Prishtinës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
  2.  Më datë, 27.11.2012, në 100-vjetorin e Shpalljes Pavarësisë, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, vendoset shtatorja e Hasan Prishtinës në qytetin e Tiranës.
  3.  Më 14.10.2012, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, vendoset shtatorja e Hasan Prishtinës në qytetin e Shkupit.
  4. Në vitin 2019 është ndare çmimi “Hasan Prishtina” për gazetarin e mirënjohur z. Marin Mema.
  5. Në vitin 2021/22 me iniciativë dhe sponsorizim të tij është realizuar vepra “Muri i Kujtesës – Gjenocidi serb në Kosovë 99” në Parkun Hasan Prishtina në Han tw Elezit.
  6.  Më 7.5.2022, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, vendoset shtatorja e Hasan Prishtinës në qytetin e Vlorës.
  7. Më 28.11.2022 vendoset shtatorja e Hasan Prishtinës dhe e Adem Jasharit në Mushetisht, të cilën Mehmet Prishtina e përkrahu. Vlen të theksohet se ky është projekti i parë i një monumenti pas atij në Vushtrri, që financohet me mjetet e shtetit të Kosovës dhe me angazhimin e Naim Sopit.
  8.  Më datë 25.11.2023, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, vendoset busti i Hasan Prishtinës në qytetin e Prishtinës.
  9.  Më datë 12.11.2023, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, vendoset busti i Hasan Prishtinës në qytetin e Kukësit.
  10. Më datë 18.11.2023, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, vendoset shtatorja e Hasan Prishtinës në qytetin e Peshkopisë.
  11. Nga data 12–14 tetor 2012, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, mbahet në qytetin e Shkupit konferencë shkencore ndërkombëtare “Mbi veprimtarinë atdhetare të Hasan Prishtinës” dhe me 14.10.2012 bëhet inaugurimi i shtatores Hasan Prishtina në qendër të Shkupit, para qendrës Mavrovasja.
  12. Më datë 7.10.2012, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, mbahet në qytetin e Shkupit promovimi i botimit të librit “Veprimtaria atdhetare e Hasan Prishtinës”, me autorë: Skender Asani, Mehmet Prishtina, Sefer Tahiri.
  13. Më datë 12 gusht 2012, në përvjetorin e Lidhjes së Prizrenit dhe në 100-Vjetorin e Çlirimit të Shkupit, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, në bashkëpunim me ITSHKSH-në, Shkup, organizon Marshimin e Çlirimit të Shkupit, duke i bashkuar të gjitha familjet e lidhjes së 1912-s e që nga ajo datë kjo lidhje quhet “Lidhja e 1912-s është gjallë”.
  14. Më datë 12.8.2013, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, në bashkëpunim me ITSHKSH-në, dr. Skender Asani, Bujar Dugolli, Ibrahim Gashi, Blerim Reka, Arben Sylejmani, organizon Akademinë Përkujtimore në qytetin e Selanikut dhe vizitë në vendin ku u vra Hasan Prishtina nga shqiptari Ibrahim Çelo.
  15. Në vitin 2023, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, botohet libri për fëmijë me titull “Me quajnë Hasan Prishtina”.
  16. Në vitin 2024 i drejton kërkesë Bashkisë Shkodër për konservimin e Komitetit Mbrojta Kombëtare e Kosovës (KMK), i cili u themelua në vitin 1918 nga patriotët Hasan Prishtina, Hoxhë Kadria, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi etj.
  17. Në vitin 2024, në vazhdim të veprimtarisë tij filantropike dhe bamirësisë kulturore, ka planifikuar që më datë 7 mars 2024 të vendosë bustin e Hasan Prishtinës në oborrin e muzeut të Shkollës Normale në qytetin e Elbasanit. Pikërisht te kjo shkollë, patrioti Hasan Prishtina ka financuar shkollimin e nxënësve nga Kosova dhe trojet e tjera shqiptare.
  18. Në vitin 2024, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, ka planifikuar vendosjen e bustit të patriotit Mehmet Pashë Derralla, në qytetin e Tetovës.
  19. Në vitin 2024, me iniciativë dhe me sponsorizim të tij, ka planifikuar fillimin e punës së disa historianëve shqiptarë nga Shqipëria dhe nga Kosova, për të mbledhur, për të sistemuar, për të studiuar dhe për të botuar kolonën e plotë të veprës së patriotit Hasan Prishtina, kushtuar kombit shqiptar, dhe rolin e tij madhor në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, kolonë e cila nuk ka arritur të botohet as nga shteti i Shqipërisë dhe as nga shteti i Kosovës, megjithëse kanë kaluar 150 vjet nga lindja e tij.

Të lutemi për paqe dhe të radhitemi si shqiptarë në krijimin e shtresës hasaniste nën moton e fjalëve të tij në Parlamentin Shqiptar 1921:

“Atdheu prej nesh pret çlirimin, lirinë dhe bashkëpunimin! Rroftë Shqipëria!”

Më poshtë gjeni disa foto nga veprimtaria e Fondacionit “Hasan Prishtina”

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hetimi i Njësisë së Hetimit të Trafikimit me Qenie Njerëzore…