NJË SHOQËRI E ETUR PËR VAKSINA, JO VETËM SHËNDETËSORE!

28 mars 2021 | 09:39

Kriza shëndetësore nuk duhet të jetë një temë afatgjate në agjendën qeveritare, për arsye se Kosovën e presin ditë edhe më sfiduese në planin e rikthimit të shtetit të së drejtës, në vendosjen e rendit në shumë institucione e departamente, të cilat një kohë të gjatë kishin funksionuar mbi bazat e meritave partiake e jo profesionale si dhe në konsolidimin e shëndetësisë, arsimit e çështjeve të sigurisë.

Nga Mehmet PRISHTINA

Përballja me krizën shëndetësore, e shkaktuar nga pandemia globale Covid-19 dhe hartimi i një strategjie konkrete për rimëkëmbje ekonomike, janë dy nga prioritetet e shumta të Qeverisë Kurti 2. Qytetarët kanë pritje të shumta, kurse emergjenca vazhdon të dominojë mbi nevojat tjera, të cilat presin të marrin udhën e operacionalizimit posa të përfundojë pandemia.
Situata momentale me vaksinat është dëshpëruese. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka reaguar pasi u raportua se në Kosovë, nuk do të vijnë vaksina antiCOVID. Ajo thotë se së shpejti do të arrijë vaksinat e financuara nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe njoftoi se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti si dhe me liderët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilëve u ka thënë se BE-ja është “pranë partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor”, për ta tejkaluar pandeminë e koronavirusit.
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se vaksinat anti-Covid do të dërgohen në Kosovë brenda tri javëve.

Mossigurimi i vaksinave në Kosovë erdhi për shkak të vonesave të shumta në krijimin e një mekanizmi të mirëfilltë menaxhues, në kohën kur pothuajse të gjitha shtetet në rajon kanë filluar vaksinimin.
Në Shqipëri ka kohë që kanë arritur kontingjentet e vaksinës së Pfizer, kurse në prill pritet të arrijë kontingjenti i parë i 360.000 dozave të vaksinës së kompanisë britanike, AstraZeneca dhe Universitetit të Oxford-it.
Edhe Maqedonia e Veriut po ashtu ka filluar vaksinimin me vaksinat e dhuruara nga Serbia, kurse Serbia tashmë u ka mundësuar qytetarëve të vetë të zgjedhin në mes katër vaksinave dhe ka vaksinuar mbi një milion njerëz.
Vaksinimi ka filluar edhe në Malin e Zi dhe në Bosnje e Hercegovinë, po ashtu me vaksina të dhuruara nga Serbia.
Për dallim nga Kosova e cila është në pritje të vaksinës së AstraZenecas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra, disa nga shtetet e rajonit kanë bërë negociatat të drejtpërdrejta me kompanitë për të siguruar vaksinat.
Tani, nuk ka hapësirë që të analizohen shkaqet e këtyre defekteve në mosfurnizimin me vaksinat. Kjo ishte edhe arsyeja pse qytetarët më 14 shkurt u përcaktuan për një opsion tjetër qeverisës, me shpresë që edhe kriza shëndetësore të ketë një trajtim krejt tjetër, i bazuar në plan konkret operativ dhe në veprime konkrete për të siguruar vaksinën e shumë kërkuar.
Një popullatë e vaksinuar, paraqet siguri dhe mirëqenie për jetën kolektive të njerëzve, si në planin shëndetësor, ashtu edhe ekonomik e social. Prandaj, një prej prioriteteve kryesore të Qeverisë së porsazgjedhur është hartimi një plani konkret që do të zbuste pasojat e pandemisë, sidomos në shtyllat kryesore të funksionimit të shoqërisë, siç janë ekonomia dhe ruajtja e standardit të qytetarëve.
Kriza shëndetësore nuk duhet të jetë një temë afatgjate në agjendën qeveritare, për arsye se Kosovën e presin ditë edhe më sfiduese në planin e rikthimit të shtetit të së drejtës, në vendosjen e rendit në shumë institucione e departamente, të cilat një kohë të gjatë kishin funksionuar mbi bazat e meritave partiake e jo profesionale si dhe në konsolidimin e shëndetësisë, arsimit e çështjeve të sigurisë.
Kryeministri Albin Kurti në ekspozenë e tij që ishte një sinopsis i programit qeverisës, paralajmëroi disa veprime konkrete që pritet të ndodhin, sepse kjo ishte edhe kërkesa e votuesve, të cilët presin që Kosova të shënojë një kthesë pozitive në dinamikën e ndryshimeve, si në aspektin substancial, ashtu edhe në atë konceptual.
Parasëgjithash , njerëzit kërkojnë punë dhe drejtësi. Pa punë dhe drejtësi, njeriu mbetet jo vetëm larg të qenit dinjitoz, por edhe larg vendlindjes, sepse mungesa e perspektivës zhvillimore dhe drejtësia e kapur, janë dy nga biletat e sigurta që iu japin njerëzve udhë njëkahshe.
Mbi malin e lartë të nevojave e kërkesave, Qeveria Kurti 2 mund të ngjitet vetëm duke përdorur mjeshtërinë e alpinistëve të sprovuar, të cilët kokën e mbajnë më pak te poshtë e më shumë te lartë, sepse kjo iu siguron atyre më tepër garancë për të mbërritur në cakun e dëshiruar, ku zakonisht vendoset edhe flamuri i triumfit. Tani për tani ai cak është shumë larg, por për një qeveri të përgjegjshme të gjitha pengesat janë të menaxhueshme.
Prishtinë, 28 mars, 2021

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bejtullah Tahiri Gjilan, 27.03.2021 Të nderuar zonja e zotrinj! Familje…