NJË TAKIM I PAZAKONTË DIPLOMATIK QË BËRI JEHONË BOTËRORE

16 tetor 2018 | 17:31

Bashkim Rrahmani

Hajdin Abazi: “Takimi në Junik”, botuar nga Kolegji AAB, 2018

Është shumë vështirë të përzgjedhësh gjëra që duhet thënë për një person të shquar dhe për një libër të shkëlqyer e para një auditori të rëndësishëm.
Sidoqoftë iu nënshtrova kësaj sfide dhe po filloj me një dialog nga një vepër të Jose Rizalit.

“Qe sa kohë keni që jeni larg nga vendi?” e pyet Laruja Ibarran.
“Qe gati shtatë vite”. “Atëherë me gjasë paskeni harruar gjithçka rreth atdheut”.
“Është krejt e kundërta. Madje, edhe po të dukej se vendi im më ka harruar krejtësisht, unë gjithmonë do të mendoj për te”.
– Jose Rizal, Noli Me Tangere

E vendi nuk është se e kishte harruar mikun dhe kolegun tim Lum Haxhiu dhe Hajdin Abazi. Rrethanat e kishin detyruar që të largohej fizikisht nga vendi por jo edhe me mendje, me shpirt e me zemër. Dhe largimi nuk ishte i përhershëm. Pak vite pas largimit fizik, Lumi do të kthehet në vendin e vet. Tashmë jo me poezi, jo me shkrime dhe jo me takime, por me tërë qenien e tij duke rrokur armët në luftë për lirinë e vendit të vet.

U ktheva nga një ndër udhëtimet e shumta nga ShBA në prill të vitit 1998, në një kohë kur vendi po sulmohej ashpër nga pushteti okupator i asaj kohe. Në vija të frontit po zhvilloheshin beteja të ashpra në të cilat Lumi ishte me armë në dorë. Lumi pra ishte me forcat e UÇK-së, të cilat po bënin të pamundurën për liri dhe për mbrojtje të të pambrojturve. Tashmë UÇK-ja po njihej si guerilë e ushtri që ishte ngritur në mbrojtje të vendit ndërkohë që Serbia nga dëshpërimi i humbjeve ushtarake dhe diplomatike, UÇK-në e quante terroriste.

E këta djem e vajza, këta burra e gra ishin nisur nën moton: “ky është atdheu ynë, jeta jonë dhe me që ne nuk e kemi edhe një atdhe, ne do të luftojmë për te deri në fund dhe nuk do të heqim dorë kurrë”. (Viktor Orban). E në mesin e këtyre djemve e vajzave, në mesin e këtyre burrave dhe grave nuk ishin vetëm ushtarët e thjeshtë. Aty ishin edhe mësuesit, mjekët, poetët, diplomatët, profesorët dhe kështu me radhë. Dhe kjo përbërje në rritje të vazhdueshme bëri që UÇK-ja të bëhej faktor që nuk mund të mos merrej si i tillë në përpjekjet për pushimin e luftës dhe vënien e paqes në Kosovë.

Në këto rrethana, unë isha në një mënyrë aktiv në politikë si sekretar i degës së LDK në Gjakovë, përderisa kishte vite që punoja për një organizatë mjaft me ndikim në Uashington, të cilën e përfaqësoja në regjion. Kjo bënte që të isha pak a shumë në rrjedhë të informatave, të cilat i merrja qoftë këtu duke qenë i angazhuar por edhe duke pasur rastin të udhëtoja nëpër shtete dhe vende të ndryshme.

Kisha ndjekur vizitën e z. Richard Holbrooke në Kosovë në fillim të verës së vitit 1998 dhe sidomos vizitën e tij në Junik. Dhe sigurisht mua, dhe të gjithë neve që ishim pjesë e asaj bote na kujtohen paraqitjet filmike të takimit të z. Holbrooke me Lumin dhe të tjerët në një odë të Junikut. Ato pamje filmike dhe ato fotografi me shpejtësi zunë emisionet qendrore të stacioneve televizive dhe faqet kryesore të gazetave prestigjioze në botë. Është shkruar shumë për këtë takim të rëndësishëm, për çka unë nuk do flas më shumë. Por do t’i them edhe disa fjalë, se çka më kishte thënë z. Holbrooke për takimin e Junikut dhe për Lumin, pak kohë më vonë, në Nju Jork.

Ndërkohë që Lumi po vazhdonte të qëndronte në vija të frontit dhe krahas të qëndruarit në front e kryente edhe një mision po aq të rëndësishëm duke informuar publikun për luftën dhe sukseset e pasojat e shkaktuara. E kisha të njohur emrin e Hajdin Abazit si aktivist për liri. Gjatë kohës së luftës po e njihja virtualisht më për së afërmi. E fotografia nga Oda e Junikut ishte objekt i bisedave formale e joformale në takime që i kisha brenda dhe jashtë vendit.

Kështu në fund të verës së vitit 1998, në një restorant, pronar i të cilit ishte një aktivist i dalluar i çështjes kombëtare, z. Bruno Selimaj, personalitete të shquara nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan u mblodhën në një takim joformal me Ambasadorin Holbrooke. Në këtë takim po merrja pjesë personalisht. Biseduam për shumë çështje që kishin të bënin me gjendjen në Kosovë por edhe me angazhimin diplomatik lidhur me Kosovën. U fol edhe për shqetësimet që dilnin nga të mos qenurit unik të faktorit shqiptar në Kosovë. Lidhur me mosunifikimin e faktorit shqiptar z. Holbrooke ishte shprehur në këtë takim dhe kjo është reflektuar edhe në librin e Lumit dhe Hajdinit në faqen 93 e 94.

Por ajo që dua të vë sot në pah, është ajo që z. Holbrooke më kishte thënë gjatë një pauze të këtij takimi të gjatë në Nju Jork lidhur me takimin e Junikut dhe për mikun dhe kolegun tim Lum dhe Hajdin. Citoj: “…Në një situatë të ndërlikuar ushtarake dhe politike, u takova në një odë të Junikut me përfaqësues të UÇK-së dhe drejtpërdrejt bisedova me ata. Kishte pajtime dhe mospajtime. Kishte gjëra që i kuptoja dhe kishte gjëra që pak me vështirësi i kuptoja. Megjithatë i kuptoja dhe shumë më bënte përshtypje përkushtimi i tyre për luftën dhe për paqen… Njëri nga ata ishte një i ardhur nga Skandinavia, më duket. Ishte i butë dhe të jepte përshtypje të ishte largpamës dhe ishte racional në mendime dhe në veprime.
Ai kishte ardhur të luftonte dhe kjo të jep qartë të kuptosh se kishte ardhur edhe të jepte jetën. Kjo ishte e qartë… Të jesh racional në vlerësime dhe në vendime në rrethana të tilla nuk është e lehtë…Është më shumë se e vështirë.

Ai nuk mbivlerësonte fuqinë e forcave të veta dhe nuk nënvlerësonte fuqinë e forcave kundërshtare….ishte i qetë, i shkurtër në fjalë por i thellë në mendime. Kishte përgjigje për rrethanat me maturi të duhur dhe ishte njeri me të cilin mund të bisedohet për marrëveshje të qëndrueshme…në një kohë të shkurtë dhe në rrethana të tilla edhe takimi i shkurtë të jep të kuptosh shumë gjëra. Ishte për t’u admiruar përballja e njerëzve si kjo e djalit që kishte ardhur nga Skandinavia, me mua dhe bisedat për paqen dhe për lirinë që këta njerëz e donin për popullin e tyre. Lumi dhe shokët e tij po tregonin atë që mendonin se duhej treguar në rrethana të tilla e unë po i shikoja dhe po i dëgjoja me kureshtje nga pozita e një zyrtari të një shteti, të cilit ata i besonin më së shumti dhe tek i cili shpresonin më së shumti. Jo rrallë e kam kujtuar takimin me Lumin dhe me shokët e tij dhe siç po e sheh edhe këtu po të them se është për t’u admiruar vullneti i tij, për t’u kthyer në vendin e tij të lindjes, kur para së gjithash mund te jepje jetën…po e di mirë se çka më kishte thënë Lumi dhe çka dëshironte Lumi…prandaj jam këtu sonte edhe me juve, edhe pse jozyrtarisht në takim…”, mbaron citati.

E thash në fillim se e kam të vështirë të përzgjedh momente të veçanta për t’i përmendur sot para jush, sepse secili moment është më i rëndësishëm se tjetri. Megjithatë dua të veçoj diçka që krahas botimi të librit është me rëndësi të theksohet. Lumi e nxjerr librin 20 vjet pas ngjarjes dhe nuk ngarend të bëj historinë me turravrap. Është për t’u çmuar modestia e tij, por Lumi duhet ta dijë se ai është i njohur pavarësisht modestisë edhe për atë kohë të lavdishme sikundër që është i njohur edhe për këtë kohë kur Lumi po jep kontributin e vet, natyrisht tash në një mënyrë tjetër. Kur e shikojmë Hajdin Abazin, shokun dhe kolegun tim dhe tuaj patjetër se duhet marrë thënien e Herbert Hoover që shkonte si vijon: “vendi im nuk më ka kurrfarë borxhi. Ai më ka dhënë mua, sikurse çdo djali a vajze një shans. Ai më dha shkollimin, pavarësinë për të vepruar, mundësinë për shërbim dhëndër”.

E Lumi duket se këtë thënie e ka si një lloj maksime udhëzuese për veten e tij. Ka kohë që punojmë bashkë dhe gjatë punës e shoqërimit, me Lumin flasim e diskutojmë për të sotmen dhe të ardhmen. Gjithherë i hapur në debat, i sinqertë , i artikuluar politikisht me precizitet gjeometrik, i avancuar në aspektin akademik, i papërtuar për të qenë i angazhuar, i gatshëm për të ndihmuar, i dashur për studentë dhe për të rrumbullakësuar, Lumi ka qenë dhe është trim i mirë me shokë shumë. Ndjehem i privilegjuar dhe shumë i nderuar që u përzgjodha që të jam njëri ndër recensentët e librit të Lumit, të cilin po e promovojmë sot. Faleminderit miku im. Faleminderit Kolegjit AAB që botoi një libër me vlerë shumë të çmuar. Faleminderit edhe juve që më dëgjuat. Shëndet e suksese për Lumin dhe për të gjithë Ju!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Drenicës e befasoi Flamurtarin, pasi e në kuadër…