Një tjetër “Zonjë e Hekurt” pritet ta drejtojë Britaninë e Madhe

05 shtator 2022 | 09:27

“Mendoj se jam paksa e pamëshirshme”.

Kështu iu përgjigj Liz Truss pyetjeve për jeten e saj politike gjatë njërit prej debateve mes kandidatëve për postin e drejtuesit të Partisë Konservatore në Britaninë e Madhe.

Politikania 46-vjeçare, e cila aktualisht drejton një nga departamentet më të rëndësishme në qeverinë britanike, ka të gjitha shanset për t’u zgjedhur kryeministre e re.

Rezultatet e votimit mes anëtarëve të Partisë Konservatore do të shpallen (sot) e hënë 5 shtator, por tashmë nuk shumë dyshime se kush do të jetë fituesi në fund.

Sondazhet tregojnë një avantazh të qartë të Liz Truss ndaj rivalit të saj, ish-ministrit britanik të Financave Rishi Sunak.

Domethënës ishte fakti që ky i fundit ishte i preferuari i deputetëve konservatorë, ndërsa Truss mbështetej nga anëtarë të thjeshtë partie.

Duket se asgjë nuk do ta ndalojë “Zonjën e Re të Hekurt” të hyjë në histori si gruaja e tretë në pozicionin e lideres së konservatorëve britanikë.

Rruga nga e majta në të djathtë

Cili është sekreti i popullaritetit të Truss-it?

Përgjigja e shkurtër për këtë pyetje është: ajo po përpiqet të imitojë Margaret Thatcher, kryeministren e parë grua të Britanisë.

Për më tepër, në rastin e Truss, imitimi i Thatcher-it fillon qysh në fëmijëri.

Në moshën shtatë vjeçare, ajo luajti kryeministren në shkollë gjatë një simulimi të zgjedhjeve britanike.

Por, ndryshe nga “Zonja e Hekurt”, e cila në vitin 1983 i dha partisë së saj një shumicë komode ulësesh, Truss humbi.

Sado e pazakontë të tingëllojë, fëmijëria dhe karriera e saj politike nuk janë aspak të lidhura me Partinë Konservatore.

Mary Elizabeth Truss është vajza e një profesori matematike dhe një infermiereje, pikëpamjet politike të së cilëve ajo i përshkroi si të majta.

Ajo kujtoi se kur ishte fëmijë, nëna e saj e çoi në protesta kundër vendimit të Thatcher-it për të lejuar që kokat bërthamore amerikane të vendoseshin në një bazë ushtarake pranë Londrës.

Kjo është e njëjta Truss që admiron Thatcher-in dhe pa asnjë drojë premtoi të përdorë armët bërthamore nëse është e nevojshme.

Politikania e ardhshme do të arsimohej në Universitetin e Oxford-it.

Ajo studioi në programin prestigjioz Bachelor për “Filozofi, Politikë dhe Ekonomi”, krijuar posaçërisht për udhëheqësit e ardhshëm politikë.

Edhe atëherë, Truss u aktivizua politikisht – duke drejtuar klubin universitar … të Partisë Liberal Demokratike.

Gjë që ndoshta nuk është për t’u habitur, duke pasur parasysh se familja e saj lexonte gazetat “e majta” The Guardian dhe The Independent.

Meqë ra fjala, asokohe Truss mbronte në mënyrë aktive legalizimin e kanabisit dhe madje … heqjen e monarkisë në Britani.

Por, pasi u diplomua në vitin 1996 (atëherë Truss ishte 21 vjeç), ajo iu bashkua Konservatorëve.

Një e afërme e saj kujtoi se në këtë vendim ka ndikuar edhe udhëtimi i politikanes në vendet e çliruara nga komunizmi në Evropën Lindore.

“Ajo ishte e bindur se Thatcher zgjodhi rrugën e duhur me pozicionin e saj të fortë”.

“Ne pamë një Thatcher të ri”

Pas disa vitesh punë në biznesin privat, Liz Truss tentoi të niste një karrierë në politikë.

Dy herë – në vitet 2001 dhe 2005 – ajo humbi zgjedhjet në zonat e saj zgjedhore në West Yorkshire.

Por në përpjekjen e tretë, në vitin 2008, Truss u zgjodh në këshillin bashkiak të qytetit të Greenwich-it dhe filloi të punojë në qendrën analitike konservatore “Reform”.

Atje, ajo u pikas nga lideri i atëhershëm i Partisë Konservatore dhe kryeministri i ardhshëm David Cameron.

Ky i fundit, e zgjodhi atë si kandidate për zonën elektorale të Norfolkut Jugperëndimor, ku konservatorët e kishin të sigurt fitoren.

Më pas, në vitin 2009, karriera politike e Liz Truss mund të kishte përfunduar po aq shpejt sa kishte filluar.

Kjo, sepse ajo nuk foli për lidhjen e saj me deputetin konservator Mark Field.

Si rezultat, konservatorët radikalë në zonën e saj elektorale kërkuan që Truss të tërhiqej, duke pretenduar se ajo po promovohej nga një krah i moderuar konservator.

Pastaj Truss u takua me anëtarët e indinjuar të partisë dhe ia doli të ndryshonte mendimin e tyre.

“Ne pamë një Thatcher të ri”, kujtoi një nga pjesëmarrësit e takimit. Truss fitoi zgjedhjet e vitit 2010 me një diferencë prej më shumë se 13 mijë votash.

Pas kësaj, më në fund u formuan pikëpamjet e saj politike – libertarianizmi i modelit Thatcher – më pak taksa dhe përfitime sociale, më shumë liri sipërmarrëse dhe tregti e lirë.

Këto ide janë paraqitur në librin “Britannia Unchained”, të cilin Truss e botoi në vitin 2012 në bashkëautorësi me katër Konservatorë.

Në vitin 2012, politikania filloi të punojë në Ministrinë e Arsimit dhe dy vjet më vonë drejtoi Ministrinë e Ekologjisë.

Në një nga vitet më vendimtare për Britaninë e Madhe – 2016 – Liz Truss mbështeti në mënyrë të papritur anëtarësimin e Londrës në Bashkimin Evropian.

Në një artikull të asaj kohe, ajo e quajti Brexit-in një “tragjedi të trefishtë: më shumë rregulla, më shumë forma dhe më shumë vonesa në tregtimin me BE-në”.

Por tashmë pas referendumit të vitit 2016, Truss, ashtu si 20 vjet më parë, ndryshoi pikëpamjet e saj.

Tani ajo thotë se largimi nga BE-ja do të jetë një mundësi për Britaninë që të bëhet më e mirë.

Në qeverinë e Theresa May-t, Truss kryesoi fillimisht Ministrinë e Drejtësisë – ku menjëherë u bombardua nga një breshëri kritikash.

Këto, për mosmbrojtjen e gjyqtarëve që vendosën t’i japin parlamentit të drejtën për të vendosur mbi fatin e Brexit-it.

Më pas, Truss fillon të punojë në një pozicion më të ulët – sekretare shtetërore e Ministrisë së Financave.

E megjithatë, ajo vazhdon të jetë aktive atje, duke mos iu shmangur kritikave të drejtpërdrejta ndaj kolegëve të saj.

Në veçanti, kolegët u ankuan se kjo ministri regjistroi rrjedhjet më të shumta të informacioneve në media.

Së bashku me Borisin

Liz Truss ishte një nga të parat që mbështeti kandidaturën e Boris Johnson pas dorëheqjes së Theresa May në vitin 2019.

Ajo e mbështeti deri në fund kryeministrin në prag të dorëheqjes së tij.

Për shkak të kësaj, Boris Johnson mbështeti kandidaturën e saj si pasardhësen e tij.

Në kabinetin Johnson, ajo u bë fillimisht ministre për tregtinë ndërkombëtare (një post i krijuar pas Brexit).

Truss përdori shumë udhëtime pune për të fituar edhe më shumë shikueshmëri në mediat sociale.

Para se të emërohej në një nga postet më të rëndësishme – kreu i Ministrisë së Jashtme – Truss arriti të lidhë marrëveshje tregtare dypalëshe me më shumë se 60 vende.

Dhe tashmë në postin e Ministres së Jashtme, ajo vendosi të shfaqej si një drejtuese e mundshme e Konservatorëve.

Kështu, Truss mbështeti një linjë të ashpër ndaj Brexit-it dhe luajti një rol të madh në synimin e Londrës për të rishikuar Protokollin e Irlandës së Veriut.

Në të përfshihet pjesa e marrëveshjes së tërheqjes nga BE-ja që rregullon kufirin doganor me Irlandën e Veriut (për të cilën BE-ja paditi Britaninë).

Një tjetër sukses i saj në politikën e jashtme mund të konsiderohet lirimi i dy shtetasve britanikë, të cilët mbaheshin të arrestuar në Irak për disa vite.

Dhe, në fund, nuk duhet të harrojmë qëndrimin pa kompromis të Truss-it ndaj Rusisë dhe pushtimit të saj në shkallë të plotë të Ukrainës, i cili në një farë mënyre ishte edhe më kategorik se ai i ish-shefit të saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Telashet nuk kanë fund për Vali Corleonen, i cili pak…