Një vjet padrejtësi ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së

05 nëntor 2021 | 11:36

Sot (e premten) bëhet një vjet kur ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selmi dhe Jakup Krasniqi, janë paraburgosur në Hagë pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Më 5 nëntor të vitit të kaluar Dhomat e Specializuara kishin konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe ishin ftuar të paraqiten në gjykatë. Thaçi, Veseli dhe Selimi, pas marrjes së ftesës, vullnetarisht kishin udhëtuar për në Hagë.

Në paraqitjen e tyre të parë para trupit gjykues, ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Deri më tani janë mbajtur disa konferenca statutore me qëllim të organizimit të shkëmbimeve ndërmjet palëve. Fillimisht në këto seanca ish-komandantëve të UÇK-së u është lexuar aktakuza, ku ata kanë hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë.

Konferencat statutore janë karakterizuar me përplasje të avokatëve me përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar. Pala mbrojtëse ka akuzuar vazhdimisht prokurorinë për zvarritje të qëllimshme të procesit dhe mosdorëzim të dosjes paraprake. Ndonëse është mbushur një vjet, prokuroria ende nuk ka caktuar ndonjë datë se kur mund ta dorëzojë dosjen paraprake.

Vetëm në seancën e fundit statutore, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është urdhëruar që deri më 17 dhjetor të këtij viti ta dorëzojë dosjen paraprake në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë duke u akuzuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Vendimi i gjyqtarit paraprak, Nicolas Guillou, është marrë pasi në konferencën e tetë mbi ecurinë e çështjes, të mbajtur më 29 tetor, prokuroria kishte deklaruar se pasi kanë shqyrtuar burimet që kanë, konfirmojnë se do të jenë në gjendje ta dorëzojnë dosjen paraprake në rastin e Hashim Thaçit e të tjerëve dhe materialet që lidhen me të më 17 dhjetor 2021.

 Avokatët mbrojtës: Themelet e Speciales janë të mbështetura në gënjeshtra

Akuzat më të ashpra të avokatëve ndaj kësaj gjykate janë thënë në seancën e fundit për ecurinë e çështjes, e cila është mbajtur të premten e kaluar. Në këtë seancë avokatët e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë thënë se themelet e gjykatës Speciale janë mbështetur mbi gënjeshtra.
Ben Emmersoni, avokati mbrojtës i Kadri Veselit, ka thënë se kjo gjykatë është ndërtuar mbi një raport të rrejshëm të Dick Martit. Sipas tij, gjithë kjo vonesë po bëhet qëllimshëm që krerët e UÇK-së të mbahen në paraburgim. “Ky është një proces i qëllimshëm që këta burra të rrinë në paraburgim. Ne nuk e dimë se kur do të fillojnë hetimet e tyre. Institucioni u themelua për t’i shqyrtuar këto akuza absurde të cilat ishin të rreme. E dimë që u sajuan nga dëshmitarë të cilët i ka paraqitur zbulimi i fshehtë serb. Prokuroria nuk ka gjetur asnjë provë mbështetëse për akuzat e saj. Themelet për ngritjen e këtij tribunali kanë qenë të mbështetura në gënjeshtër. Dick Marty shkroi një raport që përfshinte akuzat më absurde për UÇK-në”, ka thënë ai.

Emmersoni ka theksuar se ish-krerët e UÇK-së nuk kanë bërë asgjë, por vetëm kanë qenë politikanë të suksesshëm. Ai ka thënë se e sheh të pamundur që gjykimi ndaj komandantëve të UÇK-së të fillojë para fundvitit të vitit 2022. “Nuk mendoj, dhe duket absolutisht e pamundur që gjykimi të fillojë para fundvitit të 2022-s”, ka thënë Emmersoni.

Akuzat ndaj Prokurorisë së Specializuar të Hagës i ka pasur edhe avokati i Hashim Thaçit, Gregory Keohe. Ai e quajti “qesharake” qasjen e prokurorisë duke vënë në dukje se prokuroria në fillim pretendonte se gjykimi të niste në verën e këtij viti. “Është shokuese për mua pozicioni i ZPS-së. Jam i sigurt që edhe ju zoti gjykatës jeni mërzitur nga kjo. Klientët tanë janë burgosur që nga viti i kaluar. Avokati koleg sapo na tha që afati fillestar ishte maji. E kuptoj zoti gjykatës që e keni shtyrë. Çfarë ka ndodhur? Që nga konferenca e parë ne kemi marrë 1 732 dokumente teksa mbrëmë kemi marrë mbi 200 dokumente. Jam dakord me Robertsin. Kur do t’i vijë fundi kësaj çështjeje? Tani na kërkohet që afati të shtyhet deri më 31 janar. Flitej që gjykimi do të fillonte në këtë vit, teksa tani dëgjojmë këtë kërkesë për shtyrje. Klienti im është në burg. Kjo është qesharake. Duhet të ketë një pikë dalëse. Ata kanë vendosur që t’i ndalojnë këta burra”, ka thënë avokati Keohe.

Edhe avokati i Rexhep Selimit ka kritikuar prokurorinë për zvarritjen e procesit të nxjerrës së materialeve. Ai ka thënë se sa më shumë që po afrohen te materialet aq më shumë po zgjatet procesi. “I nderuar gjykatës, unë vetë nuk jam vrapues, por nga ana tjetër e shoh që sa më shumë të lëvizim ne aq më shumë na largohet pika e arritjes. Nga ana ime, pa u futur në detaje dhe në hollësi për materialet, mund të them se nuk kemi bërë asnjë lloj progresi. Jemi tërësisht në të njëjtin situatë dhe na u kërkua sërish që afati kohor të shtyhet deri më 31 janar të vitit të ardhshëm”, ka thënë avokati i Rexhep Selimit.

Apeli refuzon kërkesën e Thaçit, mbetet në paraburgim

Paneli i Gjykatës së Apelit, në kuadër të Gjykatës Speciale, ka hedhur poshtë kërkesën e parashtruar nga Hashim Thaçi kundër vendimit të gjykatësit të procedurës paraprake për mbajtjen e tij në paraburgim. Sipas Apelit, Thaçi ka dështuar të dëshmojë se pse vendimi paraprak ka qenë i paarsyeshëm për rreziqet nëse ai lirohet. Në vendimin e apelit thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake nuk ka pasur informacion të mjaftueshëm përpara tij në lidhje me kushtet e propozuara të lirimit për t’i mundësuar atij të marrë një vendim të informuar për zbutjen e rreziqeve të identifikuara.

Ndërsa në fillim të tetorit Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë fituar betejën e parë në Dhomat e Specializuara. Paneli i Gjykatës së Apelit ka rrëzuar vendimin e nxjerrë nga gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, i cili ua kishte refuzuar lirimin e parakohshëm nga paraburgimi.

Apeli ka kthyer çështjen në rivendosje, duke kërkuar më shumë bashkëpunim me Policinë e Kosovës për lirimin e mundshëm të të akuzuarve. “Paneli kujton se kryerja e një hetimi të tillë do të binte në kompetencat diskrecionale të cilat i janë dhënë gjyqtarit të procedurës paraprake në përputhje me nenin 39 (13) të ligjit në lidhje me çështjet e lidhura me paraburgimin, varësisht prej rrethanave të rastit. Paneli gjithashtu vëren se gjyqtari i procedurës paraprake nuk ka dhënë arsye për të mos urdhëruar drejtorin e policisë që të japë një përgjigje të hollësishme pavarësisht se e pranon nevojën për të”, është thënë në vendim.

Për çfarë akuzohen ish-krerët e UÇK-së?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Limaj kujton arrestimin e Jakup Krasniqit

Ndërkaq të enjten është bërë një vjet nga arrestimi i ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi nga Gjykata Speciale. Me këtë rast, lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se Jakup Krasniqi është duke u mbajtur padrejtësisht larg familjes dhe atdheut. “Sot një vit nga privimi i lirisë që iu bë ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z. Jakup Krasniqi, që vazhdon të mbahet padrejtësisht larg familjes e atdheut. Jakup Krasniqi gjithë jetën e tij ka qenë në shërbim të lirisë. Ai ka qenë dhe mbetet udhërrëfyesi se si duhet e punohet për atdheun. Ne qëndrojmë fort në mbështetje të fuqishme, me besim të palëkundur në pastërti dhe atdhetarizmin e bacës Jakup Krasniqi”, ka thënë Limaj.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot janë bërë një vit nga arrestimi i Hashim Thaçit…