Njihuni me Altin Hilën, koleksionuesin e fluturave dhe molusqeve

26 nëntor 2021 | 17:21

Nga Shqipëria në Greqi e Itali për të siguruar një jetë më të mirë, e një të ardhme ndoshta më të sigurt nga ana financiare për familjen dhe më pas duke u kthyer dhe lënë të gjitha për vendlindjen e tij në Divjakë.

Ky është Altin Hila, entomologjisti, i cili u kthye për t’iu përkushtuar eksplorimit të natyrës, që e kishte nisur qysh në fëmijëri e në veçanti pasionit të tij për fluturat, molusqet dhe zogjtë shtegtarë, që e popullojnë pafundësisht pasurinë me rëndësi botërore të Divjakë-Karavastasë.

Të bukura, shumëngjyrëshe, të rralla dhe disa të rrezikuara të zhduken. Janë rreth 450 lloje fluturash të ekspozuara në koleksionin e Altinit në Divjakë bashkë me specie të tjera të një pune 15-vjeçare.

Për t’u njohur më shumë rreth Divjakës dhe koleksionit të fluturave, motilokal.com realizoi një intervistë me Altin Hilën.

Intervistoi: Shkelzen Rrecaj

Hila, ju keni jetuar një kohë jashtë vendit, a mund t’na tregoni se ç’ju shtyu të ktheheshit në Shqipëri?

Është e vërtetë, unë kam qenë disa vite jashtë Shqipërisë si emigrant. Në fillim në Greqi dhe më pas në Itali, vite që i përkasin periudhës pas viteve 90 deri në vitin 2000. Por gjithmonë kudo shkoja, insistoja të jetoja pranë detit, sepse nuk mund të jetoja pa parë detin. Kjo ishte si pasojë e marrëdhënies sime që si fëmijë e kam pasur me vendin e lindjes.

Përgjatë kohës në migrim kam kërkuar gjithmonë kontakte me njerëz apo profesorë të fushës së biologjisë, zoologjisë, natyrës… Përtej qëllimit për të punuar dhe për t’i bërë ballë kostot e jetesës kërkoja të punoja në ndonjë park apo ferma turistike. Në çdo vend që shkoja vizitoja muzetë e atyre vendeve dhe mendoja e ëndërroja rreth këtyre veprave. Kudo që shkoja u tregoja për Divjakën, për vendin tim të mrekullueshëm.

Disa herë pata kontakt me njerëz që më tregonin se kishin qenë në Shqipëri dhe në vendin tim. Ku kishin ngelur të mahnitur. I mbushur me çka kisha parë e prekur nëpër emigracion vendosa të kthehem në vendin tim dhe mezi prisja të bëja diçka. Në vitin 2001 fillova ta ndjek ëndrrën dhe pasionin. Nuk u largova më për në emigracion.

May be an image of wading bird, nature and body of water

Ju jeni lepidopterologjisti i vetëm shqiptar, si filloi pasioni juaj për t’u marrë me këtë krijesë me shumë hir?

Unë nuk do të të thosha lepidopterologjisti i vetëm, ngase më mirë do të shkonte entomologjist duke pasur parasysh që unë nuk i ndaj insektet nga fluturat, apo edhe “marinën detare” ku futim molusqet. Megjithatë, por kthehem te si filloi pasioni im për to!? Për të qenë korrekt dhe realist pasionin e kam filluar me molusqet, guaskat. Që në fëmijëri im atë më merrte me vete në punët që bënte në ato kohëra dhe shpesh e gjeja vetën pranë detit mes bukurive që deti i ofronte. Ashtu si çdo herë im atë më tregonte histori dhe ma bënte tepër të dashur marrëdhënien me natyrën.

No photo description available.

Duke u rritur pata fatin që në shkollë të isha nxënësi i një mësuesi të biologjisë, të një njeriu të jashtëzakonshëm dhe të apasionuar pas natyrës. Ai ishte një ndër specialistët më të mirë shqiptar për balsamimin e shpendëve. Ai më donte shumë dhe shpeshherë insistonte që t’i ushtroja balsamimet. Ai nuk jeton më, por unë e ruaj edhe sot nostalgjinë dhe respektin për atë burrë. Me kalimin e viteve, ndërsa unë shkoja si gjithmonë pranë detit, vura re se nuk gjeja më ato guaska apo midhje që i kisha parë me tim atë. Fillova të mendoja me keqardhje dhe po në ato çaste vendosa ta filloja këtë projekt. Mos të harrojmë se isha i mbushur edhe nga emigracioni. Këtu filloi ekzekutimi, pra e kam filluar me guaskat. Bëhet fjalë për vitet 2002-2003.

Deri tani sa lloje fluturash keni arritur t’i koleksiononi?

Deri më tani kam koleksionuar diku tek 450 lloje fluturash dhe vazhdoj pasurimin nga java në javë. Kemi parasysh dy llojet: fluturat e ditës dhe ato të natës.

Fluturat që ju i keni mbledhur janë vetëm nga zona ku jetoni, apo ka edhe nga vise të tjera të Shqipërisë?

Fluturat dhe gjithçka tjetër në koleksionin tim janë vetëm të Divjakës, jo nga zonat e tjera. Koleksioni që unë ekspozoj është një pjesë e koleksionit. Për arsye të vendit nuk mund t’i ekspozoj të gjitha.

May be an image of jewelry

A keni ndonjë lloj që e veçoni më shumë se të tjerat. Nëse po, a mund t’na tregoni se cila është ajo?

Në koleksionin tim i kemi disa lloje të veçanta, megjithëse për mua janë të gjitha të veçanta. Do të veçoja Monarkun Afrikan (danaus crispus). Është flutur shtegtare dhe vjen në qershor. Në Amerikë ka status të veçantë ku njerëzit dalin dhe e vrojtojnë sikur zogjtë. Kam një lloj që në shqip quhet kafka e vdekjes, është e vetmja flutur që vjedh mjaltin nga kosheret e bletëve.

May be an image of text that says 'Guida Divjake 10°C 14.12.2019'

A mund t’na tregoni ndonjë sekret që ju keni zbuluar te fluturat?

Fluturat janë terapi për njerëzit. Për fëmijët ato janë ilaç dhe nxitës i ndërgjegjes në zhvillimin mendor. Ashtu si bletët, ato janë përgjegjëse për vazhdimësinë e jetës në tokë. Falë pllenimit të luleve ato realizojnë frutifikimin dhe shtimin e bimëve. Pra kanë përgjegjësi të madhe mbi tokë.

Tashmë shumë specie janë të rrezikuara nga ndryshimet klimatike. Sa rrezikohen të zhduken fluturat?

Ashtu si çdo krijesë tjetër edhe fluturat janë tepër të rrezikuara nga ndryshimet klimatike apo edhe ndërhyrjes se njeriut në natyrë, në habitate dhe kudo. Sa për kuriozitet, ky vit është viti më i keq në historinë e vrojtimit të fluturave dhe bletëve. Sivjet në natyrë janë shfaqur fare pak lloje fluturash.

May be an image of text that says 'Altini 10°C 14.12.2019'

Shumë flutura shtegtare nuk erdhën fare. Ajo flutura e famshme monarku afrikan nuk erdhi fare. Unë vetëm dy ekzemplar kam parë sivjet nga mijëra e mijëra që ka parë viteve të shkuara. Dhe shumë lloje të tjera po ashtu.

Ju, po ashtu, koleksiononi molusqe. Me çfarë ju kanë bërë për vete këto krijesa?

Aaah, molusqet! Janë dashuria ime e parë. Me to jam prezantuar për herë të parë me botën e egër. I dua shumë ashtu siç e dua detin. Jam rritur me to. Por sot fauna detare është varfëruar shumë dhe vazhdon të jetë në vuajtje. Kjo tregon se më nuk mund të kemi më shumë specie. Është fat që i kam gjetur dhe i ruaj me fanatizëm në koleksion.

Le të kthehemi pak te “Amazona” e Shqipërisë, Divjaka dhe laguna e Karavastasë ku ju jeni guidë. Ç ‘pasuri fsheh ky vend?

Siç ju kam përshkruar dhe me parë, unë jam lindur dhe rritur në Divjakë. Edhe trashëgimia ime është nga Divjaka. Jam rritur në det, në laguna, në pyje, në lumenj, në fusha, në gjithçka që ky vend i rrallë e i bekuar i ka. Përse e kam pagëzuar “Amazonë”!? Është një vend që për nga mënyra e vendosjes gjeografike dhe relievit të futë, apo të gllabëron në magjinë e një amazone.

Biodiversiteti dhe fauna e shumëllojshme me shpendë e kafshë të ndryshme që ka e bën Divjakën një vend përrallor. Nuk mbaroj së foluri për Divjakën. Çdo vizitor që vjen në Divjakë dhe shoqërohet nga unë nuk mund të mos rikthehet në magjinë hyjnore të kësaj perle.

Të gjithë e njohim për botën e egër apo faunën, po sa është pasur me florë?

Kur përmendim një perlë pa dyshim që gjithçka është komplekse. Po ashtu është flora. Një vend me lumenj, kodra, fusha, pyje, laguna, oaze, sigurisht shoqërohen me një bimësi të jashtëzakonshme të egër. Shumëllojshmëria i përket bimësisë mesdhetare, subtropikale. Me orkide unike dhe pemë tepër të larta. Për mos të përmendur fushat e kultivuara. Për këtë gjë s’kam folur akoma, sepse fushat janë pagëzuar si Holanda Shqiptare.

Sa po ngjall interesim për vizitorë kjo pjesë e bukur e Shqipërisë?

Absolutisht shumë. Divjaka me gjithë këto resurse ngelet vendi magjik atraktiv që mund të vizitohet 365 ditë të vitit. Fluksi i vizitoreve është gjithmonë në rritje dhe i pandalshëm. Në Divjakë mund të vish edhe kur bie shi, edhe kur vendet e tjera në Shqipëri bllokohen. Divjaka ofron gjithçka që i duhet turistëve. Natyrë, histori, arkeologji, etnografi, vrojtim zogjsh, bujqësi, faunë, florë, sporte të ndryshme, peshkim, etj.

Në fund, cili është projekti i radhës me të cilin prisni ta befasoni publikun mbarëshqiptar?

Kam shumë projekte që kam dëshirë t’i realizoj. Por njëri është edukimi me brezin e ri, me nxënësit. E kam prioritet. Plus dhe të tjera që nuk mund t’i zbuloj./Motilokal.com

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reprezentuesi i Kombëtares së Anglisë, Raheem Sterling, nuk do t’i…