Nuhi Bytyçi promovon “Librin e lirisë”: vepër publicistike, dokumentare dhe historike për rrugën e Kosovës drejt lirisë

23 nëntor 2026 | 15:06

Gazetari Nuhi Bytyçi ka promovuar të hënën librin “Libri i lirisë – gjurmë në kohë vendimtare”, në një aktivitet të mbajtur në “Kino Armata”, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve, personalitete akademike, profesorë dhe familjarë të personaliteteve të historisë së Kosovës. Në promovimin e librit kanë marrë pjesë edhe protagonistë të luftës së UÇK-së, përfshirë gjeneralin Kudusi Lama, Nait Hasanin, Ramë Bujën dhe Kadri Kastratin.

Po ashtu, në këtë aktivitet kanë qenë të pranishëm edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda dhe Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit.

Në fillim të promovimit është shfaqur një dokumentar, i cili ka përmbledhur përmbajtjen e librit dhe materialet që gazetari Bytyçi ka dokumentuar ndër vite.

Liria lind dhe ruhet nga rezistenca”: çfarë thonë redaktori dhe recensentët

Redaktori i librit, Prof. Dr. Bajram Kosumi, në recensionin e tij thekson se titujt e dy librave të Bytyçit, “Libri i luftës” dhe “Libri i lirisë”, krijojnë vetëm një antitezë të dukshme: “Prandaj, dy librat e Bytyçit, pavarësisht titujve antinomikë, janë një tërësi dhe një vazhdimësi përmbajtjesore.”

Mesazhin e librit ai e shpreh kështu: “Liria lind dhe liria ruhet nga rezistenca ndaj të keqes, ndaj dhunës, ndaj pushtimit, ndaj padrejtësive.”

Sipas tij, ky mesazh nuk është i mësuar nga librat, por i diktuar nga puna më se dyzet vjeçare e autorit si gazetar “në shërbim të së vërtetës, të popullit të tij dhe të lirisë”.

Prof. Dr. Astrit Salihu vlerësoi frymën e shkrimeve të Bytyçit në kohën e luftës: “Fryma dhe gjuha që përdori Bytyçi, posaçërisht në emisionet dhe reportazhet gjatë luftës, ishte gjuhë e mosthyerjes së shpresës, e mbijetesës së popullatës civile, gjuhë optimiste.”

Gazetari i karrierës Aleksandër Çipa shkruan në recensionin e tij se libri nuk sjell vetëm kronikë, por edhe kujtesë e dinjitet: “Ky libër është plotësim i kujtesës, rikthim i përhershëm i saj për gjakun e lirisë, por njëherësh është edhe një artefakt për etjen e përhershme për mendim dhe ide kombëtare atdhedashjeje.”

Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha vlerëson se për Bytyçin “gazetaria nuk ka qenë thjesht profesion, por mision”. Në përfundim të recensionit të saj ajo shkruan: “Liria nuk fitohet vetëm me qëndresë dhe sakrificë; ajo ruhet edhe përmes kujtesës.”

“Ky libër është shkruar nga zëri dhe sakrifica e njerëzve të Kosovës”: fjala e autorit

Në fjalën e tij, Nuhi Bytyçi tha se libri është shkruar në rrethanat e mungesës së lirisë dhe se ai nuk e ka shkruar vetëm: “Ky libër është shkruar nga zëri, vepra dhe sakrifica e njerëzve të Kosovës.”

Sipas tij, libri është autentik, sepse secili që i ka përjetuar vitet vendimtare të rezistencës e gjen në të veten, zërin dhe frymën e vet.

Bytyçi theksoi se libri dëshmon qartë se projekti më i madh dhe më i organizuar politiko-ushtarak për lirinë e Kosovës ka qenë projekti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Si dëshmitar autentik i luftës, e kam thënë gjithmonë dhe e përsëris: Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe në radhë të parë udhëheqja e saj politike dhe ushtarake, ka vepruar në frymën e vlerave të lirisë”, tha ai, duke shtuar se kjo histori nuk mund të rishkruhet nga tendencat keqdashëse të gjykatës politike speciale në Hagë. “Libri i lirisë e dëshmon më së miri se lufta jonë ka qenë e drejtë dhe e ka arritur qëllimin e saj fisnik: lirinë e Kosovës”, tha Bytyçi.

“Libri i lirisë – gjurmë në kohë vendimtare” sjell një përmbledhje të materialeve publicistike, raportimeve, intervistave, dokumentarëve dhe kronikave televizive të gazetarit Nuhi Bytyçi, të cilat pasqyrojnë periudha dhe ngjarje të rëndësishme në historinë e Kosovës dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri.

Në këtë libër është përfshirë edhe dëshmia e Nuhi Bytyçit në Gjykatën Speciale, në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Barcelona po rikthehet fuqishëm në aspektin financiar dhe tashmë është…