Nuhiu: Ndaj Maqedonisë e kemi ndeshjen e jetës

08 tetor 2020 | 10:34

Krah trajnerit Bernard Challandes, në konferencën për shtyp para sfidës historike me Maqedoninë e Veriut u shfaq Atdhe Nuhiu, i cili do të ketë mbi supe peshën e sulmit të dardanëve, në mungesë të Vedat Muriqi

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, jo vetëm kombëtare futbolli, por edhe si shtet. E kemi pritur këtë ndeshje gjatë dhe e dimë vlerën. Ne, si lojtarë,  po presim me padurim të luajmë”.

Mbështetje mbarëshqiptare: “Secili prej nesh e ndien përkrahjen. Secili shqiptar dhe kosovar është me ne. Do të jetë ndeshja e jetës për ne. Do të japim maksimumin që të marrim një rezultat pozitiv”.

Rritja e jashtëzakonshme e Kosovës: “Vështirë të mendohej se do të kishim arritur deri këtu. Kur jemi pranuar, para katër vitesh, e kemi ditur se çfarë lojtarësh kemi. Jemi rritur, rritur e rritur si ekip dhe kemi krijuar vetëbesim dhe kemi arritur këtu. Po të më pyesnit para katër vitesh, nuk besoj se do ta kisha parashikuar”.

Zëvendësimi i Muriqit: “Vedat Muriqi ka bërë paraqitje të mira, ai ka treguar me transferimin te Lazio se çfarë lojtari është. Do të isha i kënaqur nëse ai do të ishte këtu. Mund të mungoj një ditë unë dhe ndonjë tjetër, por cili është këtu e di për çka është. Besoj te secili prej tyre që është këtu dhe në këtë moment do të jap maksimumin”.

S’ka vend për pesimizëm: Pesimizëm nuk ka, por që na mungojnë lojtarët është fakt, nuk mund të gënjejmë. Jemi të gatshëm për këtë ndeshje, por duke e ditur situatën prej COVID-19, e kemi pritur që do të kishim mungesa. Mungesa ka, pesimizëm aspak. Ka vetëm optimizëm”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes ka konfirmuar se…