Nuk guxojmë t’i koritim miqtë që kanë investuar në lirinë dhe sovranitetin tonë

18 maj 2018 | 10:27

Prof. dr. Hakif Bajrami

Nga shkolla kombëtare e Prekazit për progres kombëtar deri në liri, vlera historike dhe filozofike-kombëtare e luftës së UÇK-së 1991-1999 nuk bën të nëpërkëmbet (7)

Në këtë rrafsh, një fakt është edhe më brengosës. Ne nuk guxojmë, me anarkinë që po dëshmohet ngadalë, t’i koritim miqtë që kanë investuar në lirinë dhe sovranitetin tonë të kontrolluar. Pse është ky kontrollim, sepse lufta e UÇK-së është sabotuar publikisht, është luftuar deri në skajshmëri. Faktet janë të hidhura. Kam pasur urdhër nga bacë Adem Demaçi, të shkoj në çdo institucion dhe t’i ftoj: Po ju thërret zëri i atdheut në luftën çlirimtare.

Në atë mision e kam pasur përkrah edhe atdhetarin Osman Dumoshi. Por jo more, nuk kemi qenë të përcaktuar të flijohemi për liri. E tani shumëkush po mbështetet në Epopenë e Adem Jasharit, por ani disi le të thirren, nuk është vonë, po shumëçka është për paradë dhe me hile. Ja, këtu është embrioni i infektimit të nivelit ku kemi ardhur.

Ne nuk guxojmë t’i koritim miqtë e shtrenjtë, sidomos ShBA, që kanë investuar në lirinë tonë. Jo, këtë zakon më e shkelë bukën e mikut, nuk e kemi pasur kurrë në histori. Pse ta krijojmë një zakon të keq, e besa jemi shumë afër krijimit me këta politikanë bastardë dhe bukëpërmbysët, që disi po punojnë për idealet e Rusisë pansllaviste dhe Serbisë neofashiste. Mblidhni mend politikanë, të zhytur në lakmi dhe profite që sjellë pushteti, në inate primitive.

Jo, sjelljet e pushtetit ndaj deputetëve më 19 shkurt 2016 në Parlamentin e Kosovës, ua tejkalojnë sjelljeve të udbashëve më 1981, ndaj patriotëve demonstrues. Këta drejtues të policisë t i thyejnë brinjët sepse nuk kanë nivel tjetër të dëshmohen në injorancë dhe jo profesionalizëm. E vërteta, policia po e kryen profesionalisht punën, por urdhrat janë kriminale dhe anticivilizuese.

Ka metoda tjera, ato literatura historike shkencore i ka të elaborura. Ky fakt dhe kjo psikologji, që ka nxënë pozicion në pushtetin e kësaj qeverie duhet të analizohet prej psikologëve, sociologëve, historianëve, juristëve, pedagogëve, filozofëve. Kjo sjellje është kanceroze për të dy palët: pozitë dhe opozitë. Si ta doni merreni, kupa është mbushur. Dhe rrugëdalja duhet të gjendet nga kokat e ftohta dhe të nivelit të lartë intelektual, shkollor dhe zakonor popullativ.

Lehtë është të kritikosh por duhet ofruar zgjidhje përfundimtare. E zgjidhja nuk është çështje e mendimit të një individi, por mbetet çështje ekipore profesionale dhe besa edhe shkencore, gjithnjë duke e humanizuar shoqërinë, shtetin në dobi të civilizimit. Prova të shtetit të dhunës kemi për inflacion dhe shumë mirë të njohura. E pra, mos të përsëritet histori tragjike. Këtë të paktë nuk e meriton populli dhe miqtë që na përkrahin. Kjo thirrje nuk është moralizim ,por dashuri dhe brengosje për Kosovën.

Në këto rrethana që është sjell Kosova, duhet të pyetet publikisht LDK-ja dhe Vetëvendosja, pse nuk kemi ushtrinë e themeluar, forca e së cilës sot do të ishte një garanci i sigurt, se kombi dhe shteti më i ri dhe më i izoluar në Evropë me dhe pa fajin tonë nuk mund të jetë i sigurt pa ushtri. Tek e fundit çdo investitor së pari pyet këtu a ka siguri. Në investimet ekonom ike nuk ka fort patriotizëm.

Opinioni evropian dhe ai i ShBA-ve do të kishte këtë pyetje, pse minoriteti serb në Kosovë edhe sot është njëfarë rreziku që kërkon publikisht (jo të gjithë) Serbia të kthehet në Kosovë, sepse “shqiptarët e shihni çfarë janë, nuk dinë të krijojnë shtet, janë përçarë ne mes veti e çka do të bëjnë me neve pastaj po u pavarësuan”? Ngrihu e ndalojua gojën me këtë hallakamë kudo. Por, kur shtrohet kjo pyetje, duhet të gjendet përgjigja se kush ua ka “përkujtuar” serbëve të Kosovës dhe të Serbisë shansin, që ka mundësi të kthehet e vjetra dhe e dënuara gjenocidale, kur shqiptarët përgatitën për luftë qytetare!!!?.

Padyshim se në këtë përgjigje më së shumti ka hise Mati Ahtisari, me Kushtetutën e caktuar dhe të kurdisur si një bombë me sahat. Këtë bombë me sahat, tani pas përçarjeve të skajshme në Kosovë e ka në dorë detonatorin Rusia, Ahtisari dhe Grupi i Kontaktit – Quintit të sotshëm që duhet të pyetet pse çdo fshat serb u kthye në komunë dhe pse pas çdo paraqitje të Kosovës në arenën ndërkombëtare, diplomacia serbe ka siguruar fusnotë ku figuron numri 1244 rezoluta e OKB-së. Pas këtyre pyetjeve jepet shpjegimi se 5% e serbëve disponon me 25% të territorit Kosovës, njëjtë sikurse në Bosnje 31% popull e 49% territor. Ky fakt synohet të arrihet në Kosovë.

Dhe pse politikanët shqiptar lejojnë së të kërkohet nga zërat meskin dhe tradhtar që Ambasadori i ShBA-ve, të shpallet person i padëshiruar në Kosovë. Ky sulm në mikun më të madh të kombit, sigurisht se vjen nga qarqet kontrainformative tradhtare dhe antishqiptare, por kombi nuk e ka parë as në ëndërr. E pra politikanë, mos shihni ëndrra me sy qelë në përçarje se pse okupatori nuk po fle, sepse rruga po u humbë në oborr juve të gjithëve në pikë të ditës. Rruga u është bërë natë nëse e humbasin fronin, prandaj edhe keni filluar të trilloni çka jo e si jo.

Ndaleni turrin të gjithë politikanët shqiptarë, sepse shembulli, me dorëheqje dinjitoze ka treguar se ky komb do të mbijetojë dhe triumfojë para çdo stuhie që e fabrikoni. Mblidhni i mend pushtetarë, të gjithëve u drejtohem! (Fund)

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq thotë se nuk është optimist…