Nuk ka asnjë revokim të njohjeve

06 korrik 2018 | 14:01

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, ka bërë me dije se Kosova ka reaguar shpejt dhe me sukses ndaj përpjekjes së Serbisë për t’i revokuar njohjet e Kosovës.

Ajo ka deklaruar se deri më tani nuk ka asnjë revokim të njohjeve për shtetin e Kosovës. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Vuniqi ka treguar se me vendet që po i përmend Serbia, Kosova ka forcuar bashkëpunimin dypalësh. “Nuk ka revokim të njohjes.

Të gjitha vendet që po i referoni e kanë njohur Kosovën. E keni parë me Liberi, Guinea-Bissau, Gambia, Gana etj. Efekti që Serbia krijon është e kundërta e asaj që homologët tanë në Beograd mendojnë. Ne vetëm po forcojmë marrëdhëniet me ato vende. Por, ne duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë po bën Ministria e Jashtme e Serbisë.

Ajo po bën fushatë të rreme lajmesh e mbështetur nga ‘Sputnik’ dhe media të tjera”, ka thënë Vuniqi.

Ajo ka deklaruar se edhe Serbia po abuzon me gjendjen ekonomike të disa vendeve duke përdorur diplomacinë e dollarit për të marrë disa nota verbale të falsifikuara.

“Nuk mund të shkoni në një vend tjetër dhe të thoni se nuk njihni një vend tjetër. Është krejtësisht jodiplomatik dhe Serbia po abuzon me gjendjen ekonomike të disa vendeve duke ofruar ndihmë ushtarake, stimulime financiare, heqjen e vizave etj. Ne kemi shprehur shqetësimin tonë se Serbia si një vend kandidat i BE-së po e përdorë diplomacinë e dollarit për të marrë disa nota verbale të rreme/falsifikuara. Në një formulim tjetër kjo është korrupsioni. Në të njëjtën kohë po shkelet rregulli i Shengenit me të cilin Serbia është e detyruar të mbetet e angazhuar në listën e bardhë të Shengenit”, është shprehur Vuniqi.

Më tej, ajo ka vlerësuar se është duke u punuar për sjelljen e njohjeve të reja. Sipas saj, disa vende janë në proces të vendimit për njohjen e shtetit të Kosovës.

“Procesi i njohjes po shkon më tej dhe ne jemi duke punuar me disa vende që janë në proces për të marrë një vendim. Unë nuk do t’i përmend vendet dhe rajonet, por përpjekjet tona janë globale. Ne do të shohim rezultate konkrete dhe kur qeveritë janë gati ta shpallin njohjen, ne do ta bëjmë këtë. Në të njëjtën kohë po forcojmë pozitën e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka deklaruar Vuniqi.

“Epoka e re”: Znj. Vuniqi, së fundi Serbia ka shtuar përpjekjet për ta penguar konsolidimin e sovranitetit të shtetit të Kosovës duke penguar edhe njohjet e reja. Çfarë ka ndërmarrë Ministria e Punëve të Jashtme për t’iu përgjigjur kësaj përpjekje të Serbisë?
Vuniqi: Procesi i njohjes së Kosovës është projekti më i suksesshëm i politikës së jashtme të Kosovës. Kjo nuk është diçka e mirëpritur nga Serbia dhe duke sulmuar këtë proces, Serbia përpiqet ta vazhdojë politikën e vjetër të njohur për ta kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. Kosova është e pavarur dhe e njohur nga 116 vende dhe, si e tillë, do të vazhdojë ta rrisë angazhimin dypalësh me të gjithë anëtarët e bashkësisë ndërkombëtare. Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar shpejt dhe me sukses në përpjekjet e Serbisë për ta revokuar njohjen e Kosovës. Ne po komunikojmë me të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën duke forcuar bashkëpunimin tonë dypalësh, duke emëruar ambasadorët jorezidentë dhe hapjen e misioneve të reja diplomatike për ta forcuar praninë e Kosovës në të gjitha anët e botës etj. Duhet të jetë e qartë se nuk ka revokim e njohjes në të drejtën ndërkombëtare dhe praktikën diplomatike. Nuk mund të shkoni në një vend tjetër dhe të thoni se nuk njihni një vend tjetër. Është krejtësisht jodiplomatike. Serbia po abuzon me gjendjen ekonomike të disa vendeve duke ofruar ndihmë ushtarake, stimulime financiare, heqjen e vizave etj. Ne kemi shprehur shqetësimin tonë se Serbia si një vend kandidat i BE-së po e përdorë diplomacinë e dollarit për të marrë disa nota verbale të rreme/falsifikuara. Në një formulim tjetër, ky është korrupsion. Në të njëjtën kohë po shkelet rregulli i Shengenit me të cilin Serbia është e detyruar të mbetet e angazhuar në listën e bardhë të Shengenit. Ajo po heq regjimin e vizave për vendet që potencialisht në një kohë krize migrimi në Evropë mund të kontribuojnë në përdorimin e Ballkanit si një zonë transiti. Ky është një shqetësim për Kosovën dhe Bashkimi Evropian duhet të jetë i shqetësuar se kriteret e tij bazë nuk respektohen nga vendet e tjera të rajonit. Dhe, ne i kemi ngritur këto shqetësime në Bruksel.

“Epoka e re”: Ka pasur raste konkrete që Serbia ka pretenduar që ka arritur të nxisë shtete të caktuara për ta tërhequr njohjen për shtetin e Kosovës. Pse mendoni se po ndodh kjo?
Vuniqi: Nuk ka revokim të njohjes. Të gjitha vendet që po u referoheni e kanë njohur Kosovën. Pra, Liberia, Guinea-Bissau, Gambia, Gana etj. Efekti që Serbia krijon është e kundërta e asaj që homologët tanë në Beograd mendojnë. Ne vetëm po forcojmë marrëdhëniet me ato vende. Por, ne duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë po bën Ministria e Jashtme e Serbisë. Ajo po bën një fushatë të rreme lajmesh e mbështetur nga ‘Sputnik’ dhe media të tjera. Ata nuk kujdesen nëse luajnë me imazhin e një vendi tjetër. Ata duan të krijojnë një tregim të rremë që pavarësia e Kosovës është një punë e papërfunduar. Por, nuk është kështu dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë punën tonë për t’i mbrojtur interesat e Kosovës jashtë vendit dhe do të kundërshtojmë Serbinë më tej.

“Epoka e re”: Prej objektivave më të rëndësishme të politikës së jashtme është shtimi i njohjeve të reja dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare. Gjatë kësaj vere mund të presim ndonjë njohje të re?
Vuniqi: Procesi i njohjes po shkon më tej dhe ne jemi duke punuar me disa vende që janë në proces për të marrë një vendim. Unë nuk do t’i përmend vendet dhe rajonet, por përpjekjet tona janë globale. Ne do të shohim rezultate konkrete dhe kur qeveritë janë gati ta shpallin njohjen, ne do ta bëjmë këtë. Në të njëjtën kohë po forcojmë pozitën e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kohët e fundit kemi pasur Organizatën Botërore të Doganave, e cila është një element tjetër i keqpërdorur nga Serbia. Qeveria serbe dhe mediet raportuan se Kosova është pezulluar, por fakti është se Kosova ishte ulur si një anëtare e barabartë dhe e plotë. Po punojmë edhe për disa organizata dhe konventa të tjera. Në javët dhe muajt e ardhshëm do të shohim rezultate konkrete.

“Epoka e re”: Synimet janë që së shpejti Kosova të bëhet anëtare e UNESCO-s dhe Interpol-it. Sa po përgatitet Kosova për këto procese dhe cilat janë gjasat për t’u bërë anëtare e këtyre organizatave?
Vuniqi: Këtë vit jemi në agjendën e Interpol-it dhe në Dubai në nëntor do të zhvillohet votimi. Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Brendshme, Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera po punojnë përmes një grupi pune të krijuar posaçërisht që lobon dhe punon me vendet për ta fituar mbështetjen e nevojshme. Ishte një betejë e ashpër për të hyrë në agjendë, por qasja dhe puna e drejtë ka përfunduar me sukses. Tani jemi duke punuar drejtpërsëdrejti me vendet për ta arritur rezultatin e synuar për t’u bërë anëtar i Interpolit. Edhe partnerët e Kosovës po mbështesin jashtëzakonisht këtë proces. Në lidhje me UNESCO-n, ky është një projekt që do të fokusohemi vitin e ardhshëm kur Asambleja e Përgjithshme të mblidhet në nëntor 2019. Deri në fund të vitit do të merret një vendim për qasjen që Kosova do ta ndjekë, por Ministria e Punëve të Jashtme është e gatshme për ta filluar punën. Kosova duhet të bëjë disa detyra para se të aplikojmë për UNESCO, duke miratuar Ligjin për liritë fetare, Ligjin mbi trashëgiminë kulturore dhe për marrjen e masave për t’i treguar botës që trashëgimia fetare dhe kulturore në Kosovë është e garantuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. Sapo t’i bëjmë detyrat e shtëpisë në Parlament, aq më mirë dhe më e fortë do të jetë aplikimi i Kosovës në UNESCO dhe Serbia nuk do të jetë në gjendje të abuzojë me të.

“Epoka e re”: Kosova është në pritje të rekomandimit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. Sa është lobuar tek vendet anëtare të BE-së që, pas rekomandimit të KE-së, këto vende ta përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën
Vuniqi: Presim që Komisioni Evropian do ta rekomandojë dhënien e udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës në Zonën Shengen. Ne jemi të bindur se ky është një proces i pandalshëm. Kosova ka bërë punën e saj, ka qenë gjithmonë argumenti i BE-së se ky është një proces teknik dhe jo politik dhe ne presim të njëjtën gjë që ky do të jetë një proces thjesht teknik. Natyrisht, Evropa po kalon sfida të vështira për shkak të debateve të migracionit midis vendeve kryesore të BE-së, zgjedhjeve të ardhshme për Parlamentin Evropian, rritjes së ekstremit të krahut të djathtë etj. Por, jemi optimistë se kjo nuk do të ketë ndikim në proces. Unë kam qenë me ministrin Pacolli në disa kryeqytete evropiane në javët e fundit dhe reagimet që marrim janë pozitive, por puna duhet të vazhdojë me të gjitha vendet dhe kemi një qasje të qartë ndaj institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare si të lobojmë.

AKR-ja është duke bërë punë të madhe në Qeveri

 “Epoka e re”: AKR-ja është pjesë e kësaj Qeverie. Sa jeni e kënaqur me performancën e Qeverisë, dhe a po keni hapësirë si parti për të vepruar në kuadër të koalicionit?

Vuniqi: AKR-ja ka marrë përgjegjësitë dhe obligimet e veta në raport me Qeverinë dhe qeverisjen. Në kuadër të Qeverisë së Kosovës, AKR-ja ka hapësirën e mjaftueshme për ta implementuar programin dhe vizionin politik që përfaqëson. Në këtë kontekst, personalisht mendoj se është duke u bërë punë e madhe në përgjithësi në Qeverinë Haradinaj, veçanërisht nga dikasteret që udhëhiqen nga AKR-ja.

Muhamet KOCI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka prezantuar të…