Nuk ka filluar akoma renovimi i shtëpive të dëmtuara nga vërshimet

07 shkurt 2023 | 21:32

Shtëpitë e qytetarëve në Skenderaj që u dëmtuan nga vërshimet, nuk kanë filluar ende të rinovohen. Komuna po arsyetohet se po pret ende ndihmë nga Qeveria e Kosovës. Megjithëkëtë, thonë se po mundohen të fillojnë renovimet edhe nga fondet e mbledhura.

Shtëpia e tyre nuk ka kushte për jetesë normale. Andaj familja Sadiku përkohësisht qëndron te të afërmit e tyre. Dëmet që i shkaktoi shiu i madh në komunën e Skenderajt, dëmtoi shtëpinë e kësaj familje dhe kjo nuk është shtëpia e vetme që ka mbetur e pabanueshme.

Sipas kryefamiljarit, dëmi në shtëpinë e tij ka shkuar në 12 mijë euro, e për ta kthyer vetë në gjendjen e mëparshme e ka të pamundur.

“Krejt familjen brenda i kam heq prej dhomës, tani prej një dhome tjetër i kam bartë të djali e ka ma ndaltë shtëpinë, e aty jemi te strehum, uji ma prishi bunarin, njëfarë duvari, njëfarë fllaniku, kerrin edhe krejt senet brenda çka i kam pas”, ka thënë Jahir Sadiku, qytetar.

Sadiku ka theksuar se akoma paguan për investimet tashmë të shkatërruara.

“Edhe me një kredi ende e kom që e kam investuar në të, 100 euro e marr pension, çka me bo me to, a me mbajte familjen apo me rregulluar shtëpinë”, ka vijuar ai.

Por, me sa duket intervenimi në këto shtëpi nga komuna nuk do të bëhet dhe aq shpejt.

“Marrë parasysh kohën e dimrit, intervenimi nuk do të jetë i menjëhershëm, raportin e vlerësimit të dëmeve do ja procedojmë edhe Qeverisë pasi që janë të obliguar me legjislacionin në fuqi të na ndihmojnë”, ka thënë kryetari i Skenderajt, Fadil Nura.

Derisa Qeveria të ndërmerr diçka, Komuna po mundohet të gjejë zgjidhje edhe ndërmjet fondacioneve.

“Ne si komunë me buxhetin që e kemi edhe pse deri në qershor nuk mundemi me bo ridestinimin e mjeteve por krahas kësaj ne kemi hapur një fond i cili po mbushet çdo ditë dhe po tentojmë ti fillojmë renovimet sa më shpejt”, ka vijuar Nura.

Qytetarët të cilët kanë mbetur pa banim janë akoma në banesat sociale të Skenderaj dhe në shtëpinë e pleqve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Burimet thonë se Carlo Ancelotti rrezikon të humbasë punën nëse…