Nuk ka kuorum për të diskutuar për minierat dhe mineralet

16 prill 12:58

Në mungesë të kuorumit ka dështuar mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, në të cilën ishte paraparë të shqyrtohej raporti vjetor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) për vitin 2018.

Në këtë mbledhje, nga anëtarët e komisionit ishte i pranishëm vetëm deputetit i LDK-së, Lutfi Zharku, ndërsa munguan të gjithë anëtarët tjerë që janë pjesë e këtij komisioni.

Kryetarja e këtij komisioni Sala Berisha-Shala, ka thënë se është për keqardhje mospjesëmarrja e deputetëve në këtë mbledhje, derisa ka shprehur shqetësime edhe për zvarritjen e Ligjit për Miniera dhe Minerale.

“Ka një vit e gjysmë që sillet nëpër Kuvend ligji për miniera dhe minerale. Ligji aktual ka pengesa në zbatueshmëri. Kam qenë shumë kureshtare që sot t’i shoh kolegët e opozitës sa janë përgatitur dhe të arsyetojnë pse po abstenojnë.  Ne duhet të bëhemi bashkë, që pasurinë që na ka falë zoti ta përkthejmë në zhvillim ekonomik”, ka thënë Berisha-Shala, e cila menjëherë ka mbyllur mbledhjen e këtij takimi.

 

(Epoka e re / A. MAVRAJ)

 

 

Lajme të sponsorizuara