Nuk ka vend për panik, kemi marrë masa për koronavirusin

28 shkurt 2020 | 11:21

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka bërë me dije se Kosova i ka mobilizuar të gjitha kapacitetet e veta profesionale për t’u përballur me koronavirusin.

Ai ka ftuar qytetarët e Kosovës që të mos kenë panik, por përkujdesje ndaj epidemisë që ka goditur mbarë globin.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Ramadani ka deklaruar se Kosova është e gatshme të përballet me këtë virus. “Mesazhi im për gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës është se ata nuk duhet të kenë panik nga koronavirusi, por duhet të kenë përkujdesje. Kjo përkujdesje bëhet duke e ruajtur higjienën personale duke mos shkuar në ambiente ku ka shumë njerëz dhe të qëndrojnë në shtëpi mundësisht”, ka thënë ai.

Ramadani ka treguar se jo çdo qytetar i prekur nga ky virus ka nevojë për ndihmë mjekësore. “Institucionet e Kosovës janë të përgatitura që t’i dalin në ndihmë çdo qytetari që ka nevojë. Mirëpo, jo çdo qytetar i cili preket nga koronavirusi ka nevojë për ndihmë mjekësore. Nevojë për ndihmë mjekësore kanë vetëm ata persona që kanë gjendje të rëndë klinike”, është shprehur Ramadani.

Më tej, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik ka treguar se pse Kosova ende nuk është prekur nga koronavirusi. Sipas tij,vetëdijesimi i hershëm i qytetarëve për këtë epidemi mund të ketë ndikuar në këtë drejtim.

“Epoka e re”: Z. Ramadani, deri më tani në Kosovë janë dyshuar disa persona me koronavirus, por pas ekzaminimeve askush nuk ka rezultuar pozitiv me këtë virus.
Ramadani: Është e vërtetë se kemi pasur disa raste të dyshuara, mirëpo më pas testi ka rezultuar negativ. Pra, deri më tani nuk kemi asnjë rast të identifikimit me koronavirus. Ne jemi duke dedektuar të gjitha rastet dhe jemi nën kontroll të plotë epidemik.

“Epoka e re”: Sa është e rrezikuar Kosova ndaj këtij virusi?
Ramadani: Kosova është e rrezikuar nga koronavirusi si çdo vend tjetër pa dallim në Ballkan ose në Evropë.

“Epoka e re”: Sa jeni të përgatitur si institut të përballeni me këtë virus?
Ramadani: Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik tashmë është përgatitur dhe ka një muaj e gjysmë që i ka të gjitha dokumentet përkatëse për të gjitha aktivitetet e parandalimit. Laboratori është furnizuar dy javë pasi kanë dalë rezultatet e para prej prodhimit. Janë bërë më shumë se tri javë që IKShP është furnizuar me analiza laboratorike të nivelit më të lartë të laboratorëve më prestigjiozë evropianë. Pra, ne i kemi bërë të gjitha parapërgatitjet dhe të gjithë aktorët janë identifikuar. Mendoj se jemi të gatshëm që të përballemi me këtë virus.

“Epoka e re”: Cila janë masat që i kanë marrë institucionet qendrore për t’u mbrojtur nga ky virus?
Ramadani: Ne i kemi marrë të gjitha masat e parapara me planin e gatishmërisë dhe kontigjentës që parashihet sipas protokolleve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Epoka e re”: Kosova ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore që të përballet me këtë epidemi?
Ramadani: Besoj se kemi kapacitete të mjaftueshme njerëzore për t’u përballur me koronavirusin.

“Epoka e re”: Shumë vende kanë paraparë edhe hapjen e karantinave. Institucionet e Kosovës kanë menduar për këtë gjë?
Ramadani: Edhe në parapërgatitjet që kemi bërë kemi paraparë hapjen e karantinës.

“Epoka e re”: Në cilin vend është paraparë hapja e karantinës?
Ramadani: Ne si institut vetëm japin ide për ta hapur karantinë, tjetërkush ka kompetencë për hapjen e saj.

“Epoka e re”: Tanimë ekziston një lloj paniku te qytetarët për këtë virus. Cila është këshilla juaj për ta?
Ramadani: Mesazhi im për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës është se ata nuk duhet të kenë panik nga koronavirusi, por duhet të kenë përkujdesje. Kjo përkujdesje bëhet duke e ruajtur higjienën personale, duke mos shkuar në ambiente ku ka shumë njerëz dhe të qëndrojnë në shtëpi mundësisht.

“Epoka e re”: Pra, qytetarët e Kosovës duhet të ndihen të sigurt se institucionet e shtetit do t’u dalin në ndihmë?
Ramadani: Institucionet e Kosovës janë të përgatitura që t’i dalin në ndihmë çdo qytetari që ka nevojë. Mirëpo, jo çdo qytetar i cili preket nga koronavirusi ka nevojë për ndihmë mjekësore. Nevojë për ndihmë mjekësore kanë vetëm ata persona që kanë gjendje të rëndë klinike.

“Epoka e re”: Deri më tani Kosova dhe Shqipëria janë pothuajse vendet e vetme në rajon që nuk janë prekur nga koronavirusi. Pse mendoni se po ndodh kjo?
Ramadani: Unë mund të flas vetëm për Kosovën, sepse për Shqipërinë nuk jam përgjegjës. Sa i përket Kosovës, në bazë të parapërgatitjeve dhe dedektimit të hershëm, ne e kemi vënë vigjilencën dhe mbikëqyrjen ndaj sëmundjes që nga 1 janari i vitit 2020.

“Epoka e re”: Mendoni se kjo vigjilencë e hershme ka ndikuar në vetëdijesimin e qytetarëve?
Ramadani: Gjithsesi se ka ndikuar. Vetëdijesimi i qytetarëve me kohë, duke iu treguar atyre informacionet e duhur për këtë virus dhe duke iu treguar se si duhet të mbrohemi, natyrisht se ndikon.

“Epoka e re”: Për sa kohë do të jetë e nevojshme mbajtja e këtyre masave, si kontrolli në kufi dhe masat e tjera?
Ramadani: Kontrollet kufitare dhe në aeroport për këtë virus i kemi vendosur prej fillimit. Pra, kontrollet në pikat kufitare ne i bëjmë për më tepër se një muaj. Ne nuk dimë për kohëzgjatjen e kësaj epidemie. Por, ne i kemi marrë masat për hulumtimet epidemiologjike dhe mbajtjen nën kontroll të epidemisë.

/Muhamet Koci/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga hyrja në fuqi…