Nuk kemi frikë, na presin nëntë finale

16 maj 2020 | 23:14

Më në fund futboll! Kampionati gjerman ka rinisur sot pas një pushimi dymujor për shkak të pandemisë botërore. Një lajm i mirë për të gjithë tifozët anembanë globit të cilëve u ka munguar kjo lojë magjike.

Bayern Munchen do të luajë në Berlin ndaj Unionit. Një kundërshtar të cilin Hansi Flick kërkon ta mposhtë, ashtu siç ka mposhtur edhe frikën ndaj “COVID-19”.

Keni frikë të luani tani me virusin ende rrotull?
Jo. Nuk frikësohem për lojtarët e mi. Mendoj gjithmonë pozitivisht. Kemi folur me të gjithë dhe nëse një lojtar nuk ndihet komod për të luajtur, mund të qëndrojë në shtëpi. Kjo nuk përbën asnjë problem për ne. Por, shoh që skuadra është e gjitha këtu dhe kjo më tregon se lojtarët janë gati.

Prisni një luftë të fortë për titull?
Do të luajmë pa tifozë. Nëse duam që t’i bëjmë ata të lumtur, na duhet një lojë e bukur dhe rezultative. Kemi 9 finale dhe nesër (sot) gjithçka nis nga e para për të gjithë. Në fund, skuadra që do të grumbullojë më shumë pikë do të fitojë. Shpresoj që të jetë një spektakël, kampionati do të ndiqet nga 200 shtete të cilat duan të shohin një futboll atraktiv.

Si është gjendja e skuadrës?
Jam shumë i lumtur me gjendjen e lojtarëve të mi. Kemi vetëm 3 lojtarë të dëmtuar, të cilët do të na mungojnë për një kohë të gjatë, Kutinjo, Toliso, Zyle. Martinez ka nisur të vrapojë, por nuk e dimë ende se kur do të jetë në gjendje të luajë për ne. Jemi stërvitur fort në këto dy javë për të arritur formën që kishim para ndërprerjes.

Janë gati lojtarët për të luajtur 90 minuta?
Kjo është një pyetje me vend. Nuk e dimë ende nëse kjo do të jetë e mundur në perfeksion. Të dielën e kaluar zhvilluam një ndeshje kontrolli me tri pjesë nga 20 minuta. Kishte intensitet dhe skuadra u përgjigj mirë. Të presim ndeshjen për ta kuptuar më mirë situatën.

Ku ka qenë më shumë e përqendruar stërvitja?
Është e vështirë të stërvitësh një skuadër të ndarë në grupe të vogla. Kemi parë shumë video për sa u përket rreshtimeve taktike që duhet të përdorim. Lojtarët e dinë se ku duhet të jenë në momente të caktuara, ata janë përshtatur shumë mirë me këtë metodë, e cila shumë shpejt do të japë edhe frytet e saj. Sigurisht që nuk është më e mira, por në këto kushte që ndodhemi ishte e vetmja mënyrë.

Jeni i kënaqur tani që do të mund të kryeni 5 zëvendësime?
Do të kemi edhe dy mundësi të tjera se zakonisht, në kushtet që ndodhemi është diçka që më jep kënaqësi. Shpresoj që me këtë të mos abuzohet për të humbur kohë. Lojtarët do të jenë të lodhur më shumë se zakonisht dhe për këtë duhen forca të reja.

E keni pasur të vështirë t’i respektonit rregullat e karantinës?
Jo, tashmë është bërë një gjë normale. Kemi 1 javë që jemi mbyllur në hotel, por gjërat do të vazhdojnë të jenë kështu edhe pas ndeshjes me Unionin. Duhet të presim edhe pak për t’u kthyer në normalitet.

Ka qenë i vështirë izolimi në Gjermani?
Nuk ka qenë asnjëherë problem, tani gjithçka ka kaluar dhe ne duhet t’i gëzohemi faktit që po rikthehemi të luajmë. Të gjithë i kanë sytë nga ne. Le t’i tregojmë botës se si luhet në kushte pandemie. Duhet të jemi një shembull i mirë për këdo.

Si është situata me Kutinjon?
Filipe ka treguar edhe para pushimit kualitetet e tij. Ai është një njeri shumë i ndjeshëm dhe një futbollist i madh. E shijoj kohën kur punoj me të. Shpresoj që të rikthehet të luajë sa më shpejt.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Punëve të Jashtme, njëherësh deputet, Enver Hoxhaj, ka…