Nuk mund të ketë dialog pa konsensus

11 shtator 2018 | 14:02

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Visar Ymeri, ka ftuar subjektet politike për një konsensus nacional për fazën finale të dialogut me Serbinë. Ai ka thënë se konsensusi politik dhe shoqëror për dialogun është i domosdoshëm.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Ymeri ka bërë me dije se nuk mund të ketë dialog me Serbinë pa konsensus.

“Konsensusi politik e shoqëror për dialogun është i domosdoshëm. Para se të flasim për mundësinë e arritjes së tij duhet ta themi qartë dhe troç: nuk mund të ketë dialog pa konsensus. Shteti ynë dhe shoqëria jonë e kanë shumë të rëndësishme që të debatojnë seriozisht për synimet tona politike, socio-ekonomike dhe pozicionin tonë rajonal. Ky lloj diskutimi është rruga drejt konsensusit që do ta forconte shumë pozicionin tonë në dialog. Para së gjithash, ne duhet të kemi projekt dhe vendosmëri për shtetndërtim në Republikën e Kosovës”, ka thënë Ymeri.

Në lidhje me mungesën e vendimmarrjes në Kuvendin e Kosovës, ai ka thënë se kjo çështje shkon përtej numrave. Sipas nënkryetarit të PSD-së, dialogu me Serbinë duhet të zhvillohet në kushte të transparencës së plotë dhe me pajtueshmërinë e të gjithëve për një platformë shtetërore.

“Është e domosdoshme që Kuvendit t’i bartet vendimmarrja sa i përket dialogut në mënyrë që të parandalohen e të pamundësohen aventurat e rrezikshme të presidentit Thaçi për territoret e sovranitetin e vendit. Dialogu me Serbinë duhet të zhvillohet në kushte të transparencës së plotë dhe me pajtueshmërinë e të gjithëve për një platformë shtetërore për sa iu përket qëllimeve dhe synimeve që i ka Kosova në këtë dialog”, ka thënë ai, duke shtuar se shpërfillja dhe pamundësimi i vendimmarrjes në Kuvend që do të nënkuptonte sjellje e logjikë institucionale të politikëbërjes, e shndërron dialogun në mjet që u shërben interesave partikulare të Vuçiqit dhe Thaçit.

Ymeri ka folur edhe për bashkëpunimin e mundshëm opozitar që, sipas tij, ende nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim. “Nuk kemi parë asgjë konkrete në këtë drejtim. Nuk është shpallur ndonjë datë proteste nga askush. Vendimi për të qenë bashkorganizator apo për të marrë pjesë në çfarëdo proteste mund të merret vetëm kur dihen qëllimet dhe detajet e atij organizimi. Lidhur me bashkëpunimin që i referoheni, PSD-ja vlerëson se komentet për të duhet t’i japë partia që ka bërë një thirrje të tillë për njërën pjesë të opozitës. Ne vlerësojmë se kundër së keqes duhet bashkëpunim i gjithë opozitës, shoqërisë civile, pa u shpërfillur askush. Përndryshe, organizimet e tilla përfundojnë si partiake”, ka thënë Ymeri.

“Epoka e re”: Z. Ymeri, Kuvendi i Kosovës ka ngecur në një situatë ku nuk po mund të marrë ndonjë vendim në lidhje me fazën finale të dialogut me Serbinë. As pozita dhe as opozita nuk e kanë shumicën e duhur. Çfarë mendimi keni ju për këtë situatë dhe PSD-ja?
Ymeri: Kjo çështje shkon përtej numrave. Është e domosdoshme që Kuvendit t’i bartet vendimmarrja sa i përket dialogut në mënyrë që të parandalohen e të pamundësohen aventurat e rrezikshme të presidentit Thaçi për territoret e sovranitetin e vendit. Dialogu me Serbinë duhet të zhvillohet në kushte të transparencës së plotë dhe me pajtueshmërinë e të gjithëve për një platformë shtetërore për sa iu përket qëllimeve dhe synimeve që i ka Kosova në këtë dialog. Përndryshe, shpërfillja e pamundësimi i vendimmarrjes në Kuvend, që do të nënkuptonte sjellje e logjikë institucionale të politikëbërjes, e shndërron dialogun në mjet që u shërben interesave partikulare të Vuçiqit dhe Thaçit. Republika e Kosovës as nuk ka interes në këtë lloj të dialogut, e as nuk i ka borxh as Vuçiqit e as Thaçit.

“Epoka e re”: Cila mund të jetë zgjidhja për të lëvizur? Është i mundshëm një konsensus kombëtar për këto dy çështje?
Ymeri: Konsensusi politik e shoqëror për dialogun është i domosdoshëm. Para se të flasim për mundësinë e arritjes së tij duhet ta themi qartë dhe troç: nuk mund të ketë dialog pa konsensus. Shteti ynë dhe shoqëria jonë e ka shumë të rëndësishme që të debatojë seriozisht për synimet tona politike, socio-ekonomike dhe pozicionin tonë rajonal. Ky lloj diskutimi është rruga drejt konsensusit që do ta forconte shumë pozicionin tonë në dialog. Para së gjithash, ne duhet të kemi projekt dhe vendosmëri për shtetndërtim në Republikën e Kosovës.

“Epoka e re”: Qeveria ka propozuar një ekip negociator për këtë fazë të dialogut. Si e keni parë këtë veprim të Qeverisë dhe pse nuk po i bashkëngjiteni këtij ekipi?
Ymeri: Në Rezolutën e propozuar nga grupi parlamentar i PSD-së ne kemi ravijëzuar dhe sekuencuar procedurën vendimmarrëse që duhet ndjekur. Së pari vendimmarrja duhet t’i bartet Kuvendit. Pastaj Kuvendi duhet të diskutojë, përpilojë dhe miratojë platformën shtetërore me votë të kualifikuar (2/3 e deputetëve). Kështu, procesi i dialogut do të fitonte legjitimitet dhe strategji. Vetëm pas kësaj do të duhej të miratohej po me votë të kualifikuar përfaqësimi i Republikës së Kosovës në dialog, njëkohësisht mekanizmi mbikëqyrës karshi tij. Rendi i gjërave është i rëndësishëm. Nuk mund të flasim për kush para se të pajtohemi për çka.

“Epoka e re”: Pavarësisht prej zhvillimeve në Kuvend, presidenti Thaçi ka vazhduar takimet për dialog në Bruksel, ndonëse me presidentin serb nuk është takuar. Si mund të kufizohet presidenti në këtë drejtim?
Ymeri: Për Kuvendin e Republikës nuk ka dialog me Serbinë. Ne në Kuvend ende nuk kemi miratuar kurrfarë dokumenti dhe nuk kemi mandatuar askënd që ta fillojë këtë dialog.

“Epoka e re”: Lëvizja Vetëvendosje ka përmendur protestat dhe bashkëpunimin me LDK-në si mundësi për ta penguar presidentin Thaçi. Do të jetë PSD-ja pjesë e protestave dhe këtij bashkëpunimi opozitar?
Ymeri: Nuk kemi parë asgjë konkrete në këtë drejtim. Nuk është shpallur ndonjë datë proteste nga askush. Vendimi për të qenë bashkorganizator apo për të marrë pjesë në çfarëdo proteste mund të merret vetëm kur dihen qëllimet dhe detajet e atij organizimi. Lidhur me bashkëpunimin që i referoheni, PSD-ja vlerëson se komentet për të duhet t’i japë partia që ka bërë një thirrje të tillë për njërën pjesë të opozitës. Ne vlerësojmë se kundër së keqes duhet bashkëpunim i gjithë opozitës, i shoqërisë civile, pa u shpërfillur askush. Përndryshe, organizimet e tilla përfundojnë si partiake.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dua Lipa ka publikuar këngën e saj të fundit “Electricity”…