Nuk ndalet rritja e çmimeve të apartamenteve në Tiranë

21 nëntor 2021 | 10:43

Në Tiranë, ka vazhduar tendenca e shtrenjtimit të apartamenteve edhe në gjashtëmujorin e dytë të vitit.

Ekspertët e pasurive të paluajtshme pohojnë se në zonën rreth unazës dhe qendrës, asnjë pallat që po ndërtohet i ri nuk ka çmime më të ulëta se 1500 euro/m2.

Këtë vit vihet re që, hendeku mes çmimeve të apartamenteve në objektet e reja që po ndërtohen dhe atyre ekzistuese, është i lartë.

Për agjencitë imobiliare, pavarësisht se në ndërtimet e reja është rritur cilësia e punimeve, çmimet e larta në objektet e reja konsiderohen të fryra.

Ndërtuesit pohojnë se këtë vit ka shtim të kërkesës edhe për blerje të apartamenteve në kulla që në fazën e hershme të ndërtimit.
Çmimet e apartamenteve brenda unazës dhe në zonën rreth qendrës janë shtrenjtuar me të paktën 10-15% krahasuar me një vit më parë, sipas një vëzhgimi që “Monitor” ka bërë në kryeqytet.

Ekspertët e pasurive të paluajtshme pohojnë se në zonën rreth unazës dhe qendrës, asnjë pallat që po ndërtohet i ri nuk ka çmime më të ulëta se 1500 euro/m2, nga 1300-1400 euro një vit më parë.

Në zonën e ish-Bllokut, çmimet e apartamenteve në 2020-n varionin nga 2,500 deri në 2,700 euro për metër katror.

Këtë vit, nga administratorët e zyrave të shitjes në objektet e reja, që po ndërtohen në këtë zonë (si tek ish-vila Ferdinand, ish-bar Rovena apo pas selisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim), çmimet janë 3,000 euro për metër katror. Rritja e çmimeve, sipas zyrës së shitjeve, vjen për shkak të kostos së lartë të truallit që është paguar për pronarët.

Në brendësi të zonës së Komunës së Parisit (pranë godinës së ish- televizionit NTV) është rrethuar një shesh i ri ndërtimi. Nga zyra e shitjes u tha se apartamentet do të shiten me çmim mbi 1,500 euro për metër katror. Në këtë zonë, vjet çmimi i apartamenteve varionte nga 1,300 deri në 1,400 euro për metër katror.

Rritje të çmimeve të apartamenteve ka pasur edhe në zonën e ish-Universitetit New Jork. Në ndërtimin e ri ku ishte i ngritur universiteti, çmimet e shitjes, sipas zyrës së shitjeve, do të jenë 1,700 euro për metër katror.

Në 2020, çmimet e apartamenteve në këtë zonë ishin rreth 1,400-1450 euro metër katror.

Këtë vit, çmime më të larta shitje ofrojnë edhe zonat rezidenciale të cilat kanë përfunduar punimet.

Apartamentet në ndërtesat “Lake View” pranë liqenit artificial, këtë vit, sipas zyrës së shitjes janë me çmime 2,200 dhe 2,500 euro për metër katror, vetëm për apartamentet në katet e fundit të objektit nga 1,800 deri në 2,200 euro për metër katror që janë shitur në 2020-n.

Tendenca është e njëjtë edhe për zonat larg qendrës. Në ndërtimin e sapo përfunduar në rrugën “Hoxha Tahsim”, në kufi me rrugën “Bardhyl”, sipas administratorit të shitjeve, çmimet e apartamenteve janë 1,400 euro për metër katror. Në këtë zonë, apartamentet në 2020 janë shitur nga 1,000 deri në 1,100 euro për metër katror.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Moslirimi i masave nga ana e Qeverisë dhe mungesa operimit…