Nuk pranoi ta gjykojë statutin e Berishës, gjyqtarit i refuzohet kërkesa për t’u tërhequr
Gjykata e Tiranës ka refuzuar kërkesën e gjyqtarit Agron Zhukri për t’u tërhequr kryesimi i trupës për të gjykuar ndryshimet e bëra në statusin e Partisë Demokratike (PD), dhe të miratuara në Kuvendin e 11 dhjetorit të thirrur nga ish-lideri i demokratëve, Sali Berisha.
Zëvendëskryetari i kësaj gjykate ka vendosur mospranimin e kërkesës dhe në këto kushte është vendosur që çështja të gjykohet nga Zhukri.
“Ju informoj lidhur me kërkesën e depozituar në gjykatë nga ana e Partisë Demokratike me objekt ‘depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje te Kuvendit Kombëtar” ju bëjë më dije se pas hedhjes së shortit, gjyqtar i çështjes është caktuar gjyqtari Agron Zhukri. Ky i fundit, pasi ka administruar dosjen gjyqësore ka paraqitur para zëvendëskryetarit të gjykatës kërkesën për heqje dorë nga gjykimi. Bazuar në nenet 72 dhe 73 te K.Pr. Civile, është vendosur ‘mospranim i kërkesës”, nga ana e zëvendëskryetarit të gjykatës. Në këto kushte çështja është në gjykim tek gjyqtar Agron Zhukri, në pritje për t’ju nënshtruar procedurave të shqyrtimit gjyqësor”, është thënë në njoftimin e Gjykatës së Tiranës.
Komisioni i rithemelimit të Partisë Demokratike (PD) ka depozituar më 15 dhjetor në gjykatë ndryshimet statutore që janë miratuar në Kuvendin Kombëtar të PD-së më 11 dhjetor, të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, me qëllim për të legalizuar çdo ndryshim të miratuar në Kuvend.



