Nurellari: Kurti e Osmani s’kanë të drejtë të kandidojnë në zgjedhje

24 dhjetor 2020 | 11:17

Një dështim të koalicionit të shpresës e ka cilësuar analisti, Adri Nurellari, situatën më të fundit politike në Kosovë, me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që çon vendin në zgjedhje të parakohshme.

I ftuar në “A2 CNN”, ai ka thënë se Kosova është zhytur në destabilitet, pasi qeveritë Hoti dhe Kurti ishin të paafta për t’u përballur me sfidat e vendit.

“Kjo dëshmon një dështim të atij që u trumbetua si koalicion i shpresës, një mashtrim në opinionin e Kosovës, sikur VV e LDK do të krijonin stabilitet institucional dhe politik, si dhe do të sillnin kthesë radikale, por e kundërta ndodhi, Kosova është zhytur në destabilitet. Qeveritë Kurti dhe Hoti nuk kanë qenë funksionale, ishin të paafta për t’u përballur me sfidat e vendit dhe dështuan në mënyrë banale”, ka thënë ai.

Sipas Nurellarit, zgjedhjet e parakohshme janë një lajm i mirë për PDK-në dhe shpresa është që këto zgjedhje të sjellin zgjidhje konkrete.

“Shpresa është që të tejkalohet iluzioni i kultivuar dhe këto zgjedhje të sjellin zgjidhje konkrete. Ky është një lajm i mirë për PDK, u shfry balona që e keqja më e madhe ishte PDK. Brenda pak javësh këto vija të kuqe u zbehën dhe PDK krijon besim te qytetarët. Ka dhënë model pozitiv të opozitës, duke u treguar konstruktive si në qeverinë Hoti dhe ka marrë pjesë e vetme në aktivitetet që Kurti organizoi për pandeminë, si dhe ka votuar pakon e rimëkëmbjes dhe buxhetin e Hotit. Hyrja në garë për PDK është pozitive”, ka thënë ai.

Nurellari ka theksuar se as Albin Kurti dhe as Vjosa Osmani nuk kanë të drejtë të kandidojnë në zgjedhjet e parakohshme. Ai ka theksuar se pa konsensus nuk mund të krijohet qeveria dhe në rastin e zgjedhjes së presidentit ky konsensus duhet të jetë edhe më i madh.

“Osmani është një ndër personat më pak konsensualë pasi tradhtoi partinë e saj. Ajo që bën diferencën është aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Padia e Vetëvendosjes është një kurth që ajo ka ngritur vetë. Albin Kurti nuk ka të drejtë të kandidojë në zgjedhjet e parakohshme. Jo vetëm Kurti, por as zonja Osmani nuk kanë të drejtë të kandidojnë në këto zgjedhje”, është shprehur ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
"Balmons" Sh.P.K. nga Prishtina, shpall të pavlefshme certifikatën e regjistrimit…