O njerëz, thirrini mendjes sa nuk është bërë tepër vonë!!!

28 janar 2019 | 11:27

Milazim Krasniqi

Ideja e shkëmbimit/përshtatjes/korrigjimit/adoptimit të kufirit ndërmjet Serbisë e Kosovës është ide për zhbërjen e shtetit të Kosovës. Është konspiracion serbo-rus, i koordinuar edhe me lobistët e tyre në Perëndim. Ka shumë argumente për këtë gjë. Dy po i veçoj në këtë rast: 1. zdërhalljet nacionalfashiste të serbëve në Bujanoc, ku ata dhanë mesazhin e qartë për luftë. Aty u rikthye slogani i këngës, “Kush thotë, kush gënjen se Serbia është e vogël”, me të cilin në vitet 90 patën filluar luftërat agresive të Serbisë kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës e Kosovës.

Nuk e di kush është aq idiot sa të mendojë se serbët e Bujanocit pranojnë të ndahen vullnetarisht nga Serbia e t’i bashkohen shtetit të pavarur të Kosovës? Në atë rast, ata do të ishin më idiotë, se sa idiotët që do t’ua impononin një vendim të atillë! 2. Deklarata e Janush Bugajskit se Kosova mund të mashtrohet në negociata. Sipas tij, Rusia do ta shfrytëzonte lëvizjen kufijve për interesat e veta, e jo për stabilitetin në rajon. Po ashtu Bugajski pohon se askush nuk mund ta detyrojë Rusinë e Kinën që ta njohin Kosovën e ta lënë të pranohet në OKB. Pra, ata që e besojnë këtë përrallë, janë gjithsesi naivë.

Nga mozaiku i deritashëm, një gjë është e sigurt: nëse hyhet në procesin e shkëmbimeve të territoreve, Kosova fillimisht do të përfundojë në konflikte ndëretnike, pastaj në katastrofë humanitare e spastrim etnik dhe në fund në copëtim e zhbërje. Planet e Serbisë dhe Rusisë janë të qarta në këtë drejtim. Ideja e Vuçiqit për “kufi ndëretnik ndërmjet serbëve e shqiptarëve” parasheh zhdukjen nga harta të Kosovës si shtet, duke e copëtuar ndërmjet Serbisë e Shqipërisë.

Ndërsa planet e Perëndimit ndaj Kosovës janë gjithnjë e më të paqarta, bile gjithnjë e më pak miqësore. Prandaj, në rast të fillimit të konflikteve të armatosura, që u paralajmëruan dje edhe në Bujanoc e përsëriten çdo ditë në veriun e Mitrovicës, Kosova nuk do të mbijetojë si shtet. Do të futeshin paramilitarë serbë e rusë, do të furnizoheshin me armatime dhe do të bënin vrasje masive e spastrim etnik. Kosovën do ta shndërronin në një tokë të djegur, ngjashëm me atë që ndodhi në Siri.

Në këtë mozaik duhet pasur para sysh edhe këtë zhvillim: ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës nga Kuvendi i Maqedonisë dhe ai i Greqisë, faktikisht Maqedoninë e fut nën ombrellën e NATO-s. Kjo do të thotë se konflikti eventual në Kosovë, do të ishte i izoluar, gjë që e bën më të lehtë zbatimin e një skenari të zgjidhjes së kontestit ndërmjet Serbisë e Kosovës me një konflikt të armatosur, të kontrolluar. Pra, ndryshimi gjeopolitik që ka sjellë Marrëveshja e Prespës, për Kosovën, paradoksalisht, mund të jetë i disfavorshëm.

Duke i pasur para sysh këto zhvillime, është e qartë se është koha e fundit që të shmanget skenari i tmerrshëm i shkëmbimit të territoreve, i cili pashmangshëm shpie në konflikt, luftë e spastrim etnik. Prandaj, Qeveria, Kuvendi dhe mbarë populli i Kosovës, duhet të mobilizohen e ta parandalojnë rrezikun. Ne nuk duhet ta harrojmë faktin se ata që nuk e parandalojnë të keqen, e keqja i godet. Mandej merren me pasojat e saj, në vend se t’i shijojnë gëzimet e lirisë dhe të jetës.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja nga Prishtina, Rita Ora, së fundi mori pjesë me…