
OAK-u i prezanton kryetares së Kuvendit gjendjen e rëndë të biznesit
Vështirësitë e bizneseve si pasojë e pandemisë, përfshirja e kërkesave të bizneseve në Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, krijimi i Komisionit Parlamentar, i cili do të trajtojë çdo ligj dhe të bëjë harmonizimin mes tyre në mënyrë që të njëjtat të mos bien në kundërshtim me njëra-tjetrën, kërkesat e OAK-së për ndryshim/plotësimin e disa ligjeve specifike, përkrahja nga ana e shtetit dhe ulja e normës së interesit nga BQK-ja, ishin disa nga pikat kyçe të cilat përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) i kanë diskutuar gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Përgjatë këtij takimi përfaqësuesit e OAK-ut i kanë shprehur shqetësimin Osmanit për gjendjen e rëndë të të bërit biznes si rezultat i pandemisë Covid-19 dhe mosreagimit të Kuvendit në përputhje me këtë gjendje e cila po rezulton me largim masiv të punëtorëve, falimentimin e biznesit dhe ulje të madhe të buxhetit të shtetit.
Si rezultat i kësaj, OAK-u bazuar në vizitat e vazhdueshme që po i bënë në terren dhe aktivitetet e saj i shpalosi kërkesat e bizneseve duke kërkuar nga Osmani, ashtu siç është duke kërkuar nga çdo institucion tjetër shtetëror, që të trajtohen me urgjencë këto kërkesa.
Përfaqësuesit e OAK-ut theksuan faktin se Ligji aktual për rimëkëmbje ekonomike nuk i zgjidhë problemet e bizneseve. Për këtë arsye OAK-u ka dërguar edhe rekomandimet të cilat janë bërë në koordinim me sektorin e biznesit.
Përfaqësuesit e OAK-ut kanë bërë me dije se këto rekomandime i kanë dërguar disa herë me radhë në institucionet përkatëse si në qeveri ashtu edhe tek deputetët, por që nuk janë marrë në konsideratë.
Anëtari i bordit të OAK-ut, Hamdi Malushaj, ka potencuar faktin se nuk mund të krijohen ligje për bizneset, pa prezencën e tyre.
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka falënderuar përfaqësuesit e OAK-ut për takimin dhe ngritjen e këtyre shqetësimeve dhe ishte e njëmendimi, se secili ligj i cili bëhet duhet të jetë në dakordim me sektorin përkatës i cili do të afektohet nga ligji në fjalë.
Gëzim Selimi nga Industria e mishit “Calabria”, ka kërkuar mbështetje nga ana e shtetit për bizneset prodhuese.
Ai ka theksuar se gjendja në terren nuk është aspak e mirë dhe se një numër i madh i qytetarëve tanë po mbesin të papunë.
(A.M / Epoka e re)