OAK-u kërkon masa të rrepta reciprociteti me Maqedoninë

03 tetor 2019 | 12:30

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) është shumë e shqetësuar që prapë po pengohet eksporti i rasadit të peshkut me origjinë nga Kosova në Maqedoninë e Veriut dhe kërkon nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë  së Kosovës, Endrit Shala, që me urgjencë ta zgjidhë këtë problem.

“Edhe pse vendimi i datës 01.06.2019 me të cilin ndalohet importi i peshkut të gjallë që dedikohet për rritje ose mbushjen e hurdhave me peshq të vegjël me prejardhje nga Kosova, është shfuqizuar gjatë muajit që lamë pas, eksporti përsëri po pengohet. Ndryshimi i ligjit dhe procedurave nga ana e Maqedonisë së Veriut po bëhet një pengesë shumë e madhe jo vetëm për bizneset tona por edhe për bizneset e Maqedonisë të cilat furnizohen nga Kosova”, është thënë në reagimin e OAK-ut.

Në lidhje me këtë, OAK-u ka kontaktuar me biznesin ‘Trofta’ dhe me biznesin ‘Fresh Fish’ nga Gostivari, i cili ka theksuar që me ndryshimet e fundit që janë bërë bizneset, nuk kanë qenë të informuara paraprakisht duke u krijuar kështu një barrierë shumë e madhe për bashkëpunim. “OAK-u kërkon nga ministri Shala që të ndërmarr masa urgjente në reciprocitet deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje. Kujtojmë që bilanci tregtar Kosovë Maqedoni edhe ashtu është ne disbalancë të madhe në dëm të Kosovës”, është theksuar në reagimin e OAK-ut.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova vazhdon të renditet lart sa i përket matjes së…