Obama u kërkon demokratëve të votojnë në zgjedhjet për Kongres

07 shtator 2018 | 20:18

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama ka kritikuar të premten republikanët bashkë me presidentin aktual, Donald Trump, si dhe u ka bërë thirrje demokratëve të votojnë në zgjedhjet për Kongres në muajin nëntor për të rikthyer “nderin dhe njerëzinë” në Qeverinë amerikane, transmeton Reuters.

Në një fjalim të mbajtur në Universitetin e Illnois-it, Obama ka thënë se amerikanët janë duke jetuar në “kohë të rrezikshme” dhe ka akuzuar republikanët për shkatërrim të aleancave globale.

“Në dy muaj ne kemi mundësi që të kthejmë pamjen e shëndoshë në politikën tonë”, ka thënë Obama.

“Ka vetëm një mundësi për kontrollim të abuzimit dhe kjo është përmes votës suaj”, është shprehur ndër të tjera ai.

Të dyja partitë, Republikane dhe ajo Demokrate, kanë inkurajuar mbështetësit e tyre që të jenë pjesë e votimeve më 6 nëntor, pasi demokratëve iu duhen 23 ulëse në Dhomën e Përfaqësuesve dhe dy ulëse në Senat për të fituar shumicën në Kongres, ashtu që të ndikojnë në agjendën e Trumpit.

Obama, i cili ka qenë i zemëruar me disa demokratë lidhur me rolin e tyre prej kur është larguar nga zyra presidenciale në janar të vitit 2017, ka thënë se republikanët nuk po shprehin gatishmëri për të ruajtuar demokracinë.

“Nuk është konservatore, nuk është normale. Është radikale. Është një pikëpamje që thotë se mbrojtja e fuqisë tonë dhe atyre që na mbështesin qëndron mbi të gjitha, edhe nëse dëmton shtetin tonë”, ka thënë Obama.

Zgjedhjet e muajin nëntor janë duke u konsideruar referendum për Trumpin, i cili aktualisht është duke u përballur me hetimet e këshilltarit special, Robert Mueller, lidhur me atë nëse ka pasur ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndonëse ka dështuar, takimi i planifikuar ndërmjet presidentit të Kosovës,…