O’Brien zyrtarisht emërohet Ndihmës Sekretari i ri i SHBA-ve për Evropën dhe Euroazinë

07 tetor 2023 | 09:33

James O’Brien, këtë të premte edhe zyrtarisht mori pozitën e Ndihmës Sekretar të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, meqë këtë të mërkurë 67 senatorë votuan për O’Brien në këtë pozitë.

Ne Senati amerikan për mos-emërimin e O’Brien votuan 31 senatorë.

Në një postim në platformën sociale, X, diplomati amerikan pas marrjes së detyrës zyrtarisht shkroi se do të punojë për forcimin e lidhjeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Evropën “në një kohë kritike për sigurinë dhe prosperitetin e të dyja vendeve tani dhe në të ardhmen”.

Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë kryeson Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike.

Kësisoj i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili aktualisht është diplomati më i angazhuar amerikan kur bëhet fjalë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do t’i raportojë O’Brien, nga 5 nëntori i këtij viti.

Diplomati amerikan Jim James O’Brien ishte propozuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për ta marrë pozitën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.

O’Brien ka shërbyer si Shef i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën Ambasador në Departamentin e Shtetit, post të cilin e mban që nga viti 2022.

O’Brien më parë kishte shërbyer edhe në dy administrata amerikane si i dërguar special presidencial.

Top- diplomati amerikan shërbeu edhe si Këshilltar i Lartë i ish-Sekretares Madeleine Albright dhe Zëvendës Drejtor kryesor për Planifikimin e Politikave dhe i Dërguar Presidencial për Ballkanin.

Ai ishte pjesë e delegacionit amerikan gjatë negociatave në Rambuje në vitin 1999.

Përveç kësaj, O’Brien u përfshi në gjetjen e një zgjidhjeje për t’i dhënë fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe ndihmoi në formulimin e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund asaj lufte.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ky është rrëfimi i studentes Natyrë Ramusholli, i një vajze…