OBSh-ja: Koronavirusi nuk përhapet përmes ushqimit

14 gusht 09:02

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) u ka bërë thirrje njerëzve që të mos shqetësohen nga përhapja e koronavirusit të ri përmes ushqimit, pasi autoritetet kineze kanë thënë se kanë gjetur gjurmë të virusit në ushqim dhe paketim të ushqimit.

“Njerëzit nuk duhet të frikësohen nga ushqimi, paketimi i tij, apo dërgesat me porosi”, ka thënë udhëheqësi i programit të OBSh-së për Emergjenca, Mike Ryan.

“Nuk ka të dhëna se ushqimi apo zinxhiri ushqimor është pjesë e përhapjes së virusit. Njerëzit duhet të jenë rehat dhe të sigurt”, ka thënë ai.

Ryan i ka bërë këto komente pasi dy qytete në Kinë kanë thënë se gjurmët e koronavirusit janë gjetur në ushqim të importuar të ngrirë dhe në paketime të ushqimit, duke ngritur shqetësime se ushqimi i helmuar mund të shkaktojë shpërthime të reja.

OBSh-ja i ka bërë këto deklarata teksa numri i personave të vdekur si pasojë e këtij virusi në botë ka tejkaluar shifrën 750 000 sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”.

Sipas po këtij institucioni, numri i të infektuarve në nivel global me koronavirus ka shkuar në më shumë se 20,7 milionë.

Ryan ka paralajmëruar se bota mund të jetë vetëm në fillim të stuhisë, sepse vetëm një pjesë e vogël e popullsisë globale i është ekspozuar virusit.

“Virusi ka rrugë të gjatë nëse ne e lejojmë”, ka thënë ai.

Amerika Latine dhe Karaibet është raportuar të jenë epiqendrat e reja të shpërthimit të virusit që shkakton sëmundjen Covid-19.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtatë pacientë janë shëruar gjatë 24 orëve të fundit nga…