Oda e Afarizmit reagon për masat e reja anti-Covid, kërkon shtyrjen e vendimit për kufizimet

19 gusht 2021 | 17:48

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka kërkuar nga kryeministri Kurti që hyrja në fuqi e vendimit lidhur me masat e reja anti-Covid të shtyhet së paku deri me datën 15 shtator 2021, në mënyrë që, sipas tyre, qytetarët ashtu edhe bizneset të kenë mundësi dhe hapësirë kohore të parapërgatiten për këto ndryshime.

OAK-u përmes një komunikate, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të shtyhet “vendimi i ngutshëm i Qeverisë së Kosovës për kufizime nga dita e nesërme”.

“Çdo vendim që merret duhet të paraprihet me përkrahje financiare për humbjet që i shkaktohen bizneseve dhe përkrahje për punëtorët që mbesin pa punë si pasojë e vendimit të Qeverisë”, thuhet në letrën dërguar kryeministrit Kurti.

“Hyrja në fuqi e vendimit lidhur me masat e reja të shtyhet së paku deri me datën 15 shtator 2021, në mënyrë që si qytetarët ashtu edhe bizneset të kenë mundësi dhe hapësirë kohore të parapërgatiten për këto ndryshime”, thotë OAK-u.

Sipas OAK-ut, “ndryshimet e menjëhershme qoftë në hapje totale apo tani në mbyllje të menjëhershme, po cilësohen shumë të dëmshme në aspektin biznesor, duke shkaktuar kështu humbje dhe vështirësi në menaxhim të stoqeve dhe furnizimeve”.

“Bizneset në përgjithësi, e veçanërisht sektori i HORECA-s, me rastin e lirimit të masave kanë bërë furnizimet e nevojshme për ushtrim të veprimtarisë së tyre ekonomike, andaj OAK kërkon që masat shtrënguese të jenë graduale, meqenëse bizneset nuk janë të gatshme të përballojnë të vetme tërë këtë situatë”.

OAK-u rithekson se çdo vendim për mbyllje duhet të shoqërohet me përkrahje financiare, në të kundërt do të ketë humbje të vendeve të punës, jo nga dëshira por nga detyrimi.

OAK-u konsideron që shtimi i masave dhe respektimi i rregullave gjatë gjithë kohës është i domosdoshëm me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, mirëpo duhet të gjinden mënyra për subvencionimin e kompanive.

“Ndalesat që po bëhen në periudhë shumë të shkurtër, duke mos pasur hapësirë dhe kohë për përgatitje, po e dëmtojnë shumë gjendjen e bizneseve edhe ashtu të rënduar si rezultat i pandemisë Covid – 19, duke shtuar që për shkak të mospërkrahjes financiare bizneset e kanë të pamundur që të mbajnë në punë numrin e të punësuarve që kanë pasur deri më tani”, thuhet në letrën e OAK-së.

Po ashtu, OAK ka kërkuar që orari në qendrat e vaksinimit të zgjatet, dhe të funksionojnë edhe gjatë ditëve të vikendit, me qëllim që të kemi sa më shumë persona të vaksinuar.

Sipas tyre, kjo kërkesë ka ardhur si rrjedhojë e ankesave të shumta që OAK ka pranuar nga bizneset anëtare në gjithë Kosovën, për vështirësitë që po hasin kohët e fundit për vaksinim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Feronikelit është përforcuar me 12 futbollistë. FIFA ia…