ODE E USHTARËVE TË ARMIKUT

16 nëntor 2020 | 08:59

XHEVDET BAJRAJ

 

ODE E USHTARËVE TË ARMIKUT

(E imja është veç dhimbja)

 

S’ngritën as mur të pushkatimit

as deriçkë që shpie në jetë s’lanë

i vranë si tufën e zogjve

në lastarin e lisit të jetës

 

ZJAAAARR

 

bubullimë

vetëtimë

dhe …

vlon gjaku

 

I shtrirë përtokë

tek po shuhej drita e jetës

Fatos Zhuniqi u përqafua me të birin

mbahu mos kij frikë vogëlushi im

po shkojmë në parajsë

 

Ç’t’i thoshte i vëllai të vëllait

babai të birit të mitur

i biri nënës

nëna mortit ç’t’i thoshte

 

S’di çfarë race djalli festonte

ditëlindjen e pesëdhjeteshtatë

por pesëdhjetë e shtatë qirinj jete fiku

veç me një frymë

Ndiqeshin dielli me hënën nëpër qiell

mespërmes klithmave të njerëzve

e krimbat majmeshin

nëpër këngët e braktisura nga vargjet

 

Pas dy dite i gjetën kufomat

të masakruarit flinin me engjëjt

dy orë iu deshën njerëzve

për t’i ndarë babë e bir nga përqafimi i ngrirë

 

Kjo poezi s’është e imja

këto vargje i kanë shkruar ushtarët e armikut

e imja është veç dhimbja

dhe ky vaj që … me ty e ndaj

 

NË VITRINË MORTI*

 

Duke zënë në thua mbi varret e njoma

liria ecte si zonjë e rëndë

më kot përpiqej ta fshinte me mëngë

shijen e vdekjes nga buzët

 

Majë gërmadhave të shtëpive

si urna të gjalla në vitrinë morti

njerëzit përtypnin kujtimet

diku larg

në qiellin e shqyer nga klithmat

të vrarët ngushëllonin njëri-tjetrin

për ata që mbetën gjallë

 

 * Poezi e lexuar në ceremoninë e Ditës së të Vdekurve nga ana e poetit Javier Sicilia, lider i Lëvizjes për Paqe me Drejtësi dhe Dinjitet të Meksikës, te Engjëlli i Pavarësisë, 1 nëntor 2011, Meksiko City.

 

GJELLË SHQIPTARE

 

Ushtarët e armikut në Kosovë

kishin meny të pasur shqiptare

 

Në mëngjes

Qumësht nga gji të shqyer nënash

dhe foshnja të palindura të ziera në zjarr shtëpish

servirur me sy të zinj të kaltër apo ngjyrë kafe

dhe nga një shishe lot të valë

 

Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur

 

Në drekë

Zemra të plasura të të gjitha moshave

të ziera në lëng eshtrash në njërën anë

dhe mish kurrizi të pjekur në gacë

përcjellë me tru të fërguar fëmijësh

e sallatë klithmash spërkatur me uthull tmerri

dhe nga një litër e gjysmë gjaku vashash të dhunuara

 

Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur

 

Në darkë

Mushkëri të zeza e të bardha

aty – këtu ndonjë veshkë

mish fëmije të përzier me gjakun e nënave

ca tul plake a plaku pjekur në hell

njelmësuar me kripën që nxirrej nga lotët

 

Dikush kënaqej veç me nga një kokë të pjekur

 

Në meskohë

bluanin vesh të majtë e të djathtë

gishtërinj duarsh e këmbësh

aty – këtu ndonjë hundë të përgjakur

dhe ëndrrat tona të thara në murin e pushkatimit

 

Dikush kënaqej edhe veç me një kokë të pjekur

 

Piqnin e zienin në zjarre shtëpish

hanin e pinin nga kafka shqiptarësh

sikur të mos ishin njerëz

sikur të mos ishim njerëz

apo jo Zot

derisa vera i ktheu në dhéun e tyre

kur u majmën nga vdekja

 

NËNTËMBËDHJETË TË EKZEKUTUAR NË PADALISHTË

 

Zonja Lirije Imeraj dëshmon në Tribunalin e Hagës

si i vranë nëntëmbëdhjetë anëtarë të familjes Imeraj

mes tyre burrin e saj dhe djalin e saj të vogël

 

Afrimi ishte dy vjeç

kur ushtari ia këputi krahun me bajonetë

në atë moment fëmija filloi të qante dhe klithi

baba

ky njeri ma mori dorën

 

Ishte pranverë

duhej të shfaqej dhe të zhdukej nëntëdhjetë herë dielli

në dhé të huaj

për t’u kthyer njerëzit dhe për t’i varrosur

 

Tani të mbijetuarit kalojnë jetën e tyre

duke e pritur autobusin

për t’u kthyer në të kaluarën

ose për t’i mbartë në anën tjetër të jetës

 

Dhimbja është ende gjallë

mallkuar qoftë

gjëja më e keqe për ata që nuk mund të flenë

është se nuk mund të zgjohen

 

(Këto poezi janë botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë. Në ditët në vijim, duke nisur nga 13 nëntori, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidenti Barack Obama nuk do ta pranojë një vend në…